Suplementi Pena Shqiptare/ Korça Bibjana: Duke lexur Zija Çelën

Ka një hijeshi të rrallë në mënyrën si shkrimtari Zija Çela na rishfaqet herë pas here. Ai nuk vjen me zhurmë, por me një qetësi që ngre peshë mendimin; një qetësi që të fton të lexosh e krahas të dëgjosh.

Fjala e tij e tejkalon tekstin, është  rrugëtim drejt thellësisë së shpirtit, ku çdo rresht të kujton se letërsia është ende një strehë e gjallë.

Sigal

Kur e lexoj, më duket sikur marr pjesë në një tryezë të padukshme. Nuk ka karrige, por ka praninë e autorit që di të flasë me të gjitha hijet dhe dritat e jetës.

Në çdo libër, në çdo shkrim të tij, dhimbja dhe butësia ecin krah për krah, dhe arti bëhet dëshmi se njeriu mund të mbetet i mirë edhe në mes të stuhive. I kam ndier këto edhe në librat e fundit të autorit, romanet “Banka e ankesave” dhe “Pilisama selfie”, në vëllimin me tregime “Thika pa gjak”, apo në refleksionet e tij të mprehta.

Ky është takimi im me Zija Çelën: një takim thuajse i përditshëm, një premtim me tërheqje të vazhdueshme, një komunikim ku të ngjan se fjala merr trajtë drite dhe njeriu qëndron më i lartë se çdo lavdi letrare.

Vepra e tij madhështore është dhuratë për letërsinë shqipe; por mirësia, mençuria dhe thjeshtësia që shndrisin në çdo paragraf janë dhuratë për zemrën njerëzore.

Kështu e ndiej praninë e mjeshtrit të fjalës, i cili na kujton se letërsia nuk është vetëm art, por edhe akt, akt dashurie ndaj jetës. Ashtu siç shpesh edhe qortim e qëndrim kritik ndaj ndërgjegjes së shoqërisë bashkëkohore.

Dëshiroj t’i mbyll mbresat e mia me një nga refleksionet e publikuara të Zija Çelës. Aty lexojmë:

“Dikush i tha atij, ai diamant nuk është për ty, më kot e lakmon, ti nuk e meriton. Por ai e deshi patjetër. Dhe çfarë nuk përdori, maskën, xhepin e thonjtë, derisa e arriti. E kështu fitoi emër në qytet. Nuk vonoi edhe në kryeqytet. Më pas s’e la nga dora t’i ikë, hyri fort në politikë, ku siguroi kolltukun me pushtet, derisa u ngjit në parlament… Çfarë ndodhi në vazhdim? Ai diamanti i zi nuk mbajti gjatë, kishte qenë kakërdhi. Tash u bë kohë që lakmitari i etur, ai egoisti i famës dhe përjetësisë, vuan pasojat e mëkatit duke u zhgërryer në gjirizet e lavdisë.” Dhe më poshtë autori shënon: “Nga falsifikimi i vlerave nuk përjashtohet asnjë, asnjë fushë e jetës, as domeni i letërsisë dhe arteve, as arsimi dhe gazetaria, as shkenca dhe gradat shkencore, as gjyqsori e policori, as edhe fytyra që tregon pasqyra.”