Kam një ide të ndarë përgjysëm,
ide të ngulmët.
Gjysma e saj është e mysët,
gjysma e lugët.
Jam gati të vdes për njërën gjysëm.
madje dhe verbtas.
Për gjysmën e lugët, gjysmën e mysët
dhe anasjelltas.
Kjo nuk përbën asfarë kundërvënieje,
sido të jetë rasti.
Krejt qenia ime është kundërvënie
e çdo grimëçasti.
E vërteta në do të bashkëjetojë
ka kushte komploti.
Dy gjysmat idesë le t’i bëjnë rojë
tek unë, i ploti.
2017
Pamjaftueshmëria
Shiu është për të gjithë:
fatet janë të ndryshme.
Zhurma e ekspresit të kafesë
i përbashkon një grimë
këto arabeska gjaku njerëzor,
që kundrojnë përhumbur pas qelqesh,
shqelmat e ujshme të kalit hapësinor.
tokë, o rrafsh i së tashmes…
fat, o fytyrë e së panjohurës…
ëndërr, o stacion kalimtar trenash…
Ajo që qëndron,
ajo që do qëndrojë –
(dhe duhet të qëndrojë),
është pikëpyetja shtegtare
mbi thekse emocionale
të njëfarë kuptimi,
të njëfarë pandehme,
të njëfarë shprese a ëndërrimi
në kontekstin e përkohshëm të universit
me prenka efemere shirash.
Mendimi e shtyn gojën të hapet
dhe ndjen pamjaftueshmërinë e vet
për t’u shprehur.






















