Suplementi Pena Shqiptare/ Kopi Kyçyku: Thirrje patetike për paqtim e mirëkuptim (Romani „Pajtimi” i Shpendi Hulësi Topollajt)

Dashurinë tashmë të mirënjohur për të afërmit, për miqtë e shokët, prozatori dhe poeti më prodhimtar i letrave të sotme shqipe, Shpendi Hulësi Topollaj, në veprën më të freskët „Pajtimi” (Shtëpia Botuese „ 2M2 Printing”, 2021) e ka shtrirë në shkallë mbarëkombëtare.

Tolerancën ai e cilëson si garancinë më të sigurtë për mbarëvajtjen dhe përparimin e pandalshëm e pa pengesa të shoqërisë shqiptare. Në konkretizim të kësaj ideje, vjen Deviza që e parapërgatit dhe e grish lexuesin të solidarizohet e të ndjekë shembullin e „… atyre që kapërcyen mbi mentalitetet e kohës dhe e kuptuan se burrë e grua, i ri a plak, i bardhë a me ngjyrë, verior a jugor, fshatar a qytetar, i pasur a i varfër, partizan a ballist, komunist a nacionalist, socialist a demokrat, pra, i majtë  a i djathtë; të gjithë jemi shqiptarë e për pasojë vëllezër, dhe vijmë nga i njëjti gjak dhe e njëjta histori, me të njëjtat fitore e disfata, me po ato gëzime e hidhërime ndër shekuj, që krenohemi me të njëjtët heronj dhe të njëjtën mrekulli të natyrës dhe kemi po ato synime në rrugëtimin tonë drejt së ardhmes”. Më tej, duke cituar një personalitet të kulturës botërore, autori tërheq vëmendjen për faktin që falja nuk është gjithnjë e lehtë, ama e domosdoshme ngaqë pa falje nuk ka paqe. Në çast na shkon mendja tek rrahja e dendur e mendimeve rreth hapjes, pra dekonspirimit të dosjeve të bashkëpunëtorëve të ish-Sigurimit të Shtetit. Vetëkuptohet që ky proces tejet delikat medoemos do të hapte probleme, të shoqëruara me pasoja të ndryshme, disa prej të cilave tepër të rënda. Natyrisht, njohja nga opinioni i gjerë i emrave të bashkëpunëtorëve, i denoncuesve të rekrutuar nga organi shtypës, të cilin regjimi i mëparshëm e quante „arma më e dashur e partisë”, në radhë të parë do të kishte karakter edukativ dhe parandalues, për të mos u përsëritur më e kaluara e hidhur. Por nuk duhet të harrojmë se, për shkak të historisë së trazuar shumëshekullore, ne, si popull, ende nuk jemi të çliruar nga shumë reminishenca, ndër të cilat nga hakmarrja ndaj dikujt që ka dashur ose ka mundur të na dëmtojë. („Paragjykimet e të vdekurve rëndojnë si ankth mbi të gjallët” shprehej Marksi). Gjithashtu, nuk mund të anashkalohet as fakti që shumë spiunime janë bërë nën trysni dhe kërcënime. Këtu përfshihen edhe ish-të burgosur apo ish-të internuar, që janë rekrutuar nga ish-Sigurimi i Shtetit, – në shumicën dërrmuese të rasteve me dhunë, – ngaqë ua hapte zemrën më lehtë i deklasuari, se sa njeriut të besuar të regjimit – komunistit, të indoktrinuarit. Pra, hapja e dosjeve të të gjithë ish-spiunëve, pa bërë asnjë përjashtim, por edhe e dosjeve të çdo qytetari që do ta kërkonte një gjë të tillë, vërtet do t’u jepte rastin të marrin dijeni se si ka vepruar regjimi mbi ta, ama do të shkatërronte familje të tëra, do të ngjallte urrejtje me përmasa të papërfytyrueshme dhe do të përbënte një atentat ndaj unitetit kombëtar. Prandaj, mendojmë se më e udhës do të ishte që të hapen vetëm dosjet e atyre që synojnë të zgjidhen në organe drejtuese në të gjitha nivelet dhe të cilët duhet të deklarojnë me përgjegjësi se nuk e kanë atë njollë. Në rast se nuk thonë të vërtetën, mbi ta duhet të veprojë ligji ndëshkues. Romani „Pajtimi” është strukturuar në 31 kapituj që mbajnë nga një titull domethënës përderisa identifikojnë një personazh apo një ngjarje të ndryshme nga të tjerat. Parakalojnë tipa që, pa pikë turpi, e kthejnë shpinën nga fryn era, duke e zëvendësuar lëkurën e ujkut me të qëngjit. Ata, sikur të mos paskej ndodhur asgjë, vazhdojnë të kamuflohen si zhapiu në lëndinën në blerim e sipër të demokracisë, rrahin gjoksin me përbetim në emër e në mbrojtje të saj, ruajnë dhe shtojnë privilegjet vetjake e familjare, në të shumtën e rasteve si biznesmenë, kapo skafistësh – transportues klandestinësh, politikanë e deputetë, pra vazhdojnë të mbajnë postet zyrtare, përfshi ushtrimin e detyrave të hetuesit e të dhënësit të drejtësisë! Tipik në këtë kategori është Jakov S. Tiparet e arrivistit shfaqen qartë në fytyrën hipokrite të tij qysh në kapitujt e fillimit („A duhet falur Jakovi”, „Shkrimtarët”, „Pasanikë të rinj”). Ca më shumë: Jakov S. përmbyll në kokën e në shpirtin e tij të gjitha damkat veçorizuese të një numuri relativisht të madh njerëzish që nuk kanë as për nga larg ideal apo besë dhe që, për të mbërritur në pikën e përmbushjes së qëllimeve meskine, nuk ngurrojnë të venë në punë çdo mjet. Zemërgurit Jakov S. nuk i bëjnë përshtypje as fjalë të tilla të inxhinier Jetgjatit, njeri i thjeshtë e shpirtpastër: „Zoti Jakov, të më falësh, por nuk mund të vazhdoj të punoj më gjatë për ju. Kapedanë ju, si atëhere, si tani. Dhe ne po në shërbimin tuaj. Ky është kulmi. Bukur na e hodhët. Ju lumtë! Bëni vila e hotele me paratë që vetëm ju e dini se ku i gjeni”. Megjithatë autori jo vetëm nuk e urren, por, pa i mbajtur anën e pa ia përligjur qëndrimet e veprimet, ndjen në një farë mënyre keqardhje dhe uron që të ndreqet për t’u bërë, në mos i dobishëm, i pranueshëm për shoqërinë.  Zëri i të përndjekurve në roman ka tingëllimën e një vajtimi prekës, por që nuk gjen veshë për t’u dëgjuar. Të gjitha akuzat i kanë të drejta e të argumentuara me fakte dhe, megjithëse kanë vuajtur jashtë mase, në të shumtën e rasteve tregohen shpirtgjerë, nuk kërkojnë hakmarrje. Përkundrazi, janë për bashkim, mirëkuptim, jo mllef e urrejtje. (Kapitulli 13, Diskutime ndryshe). Ata vetëm pretendojnë që të paktën t’u lypet ndjesë nga keqbërësit që ua patën nxirë jetën. Mjerisht këta të fundit, me heshtjen e tyre cinike, sikur kërkojnë falenderim nga viktimat e tyre sepse janë përpjekur t’i kthenin në rrugën „e drejtë” të partisë-shtet! „Për asgjë nuk i vret ndërgjegjja” shprehet Bedri B., intelektuali i ndershëm demokrat. „Nuk pritej të ndodhte kështu. Menduam se demokracia do të pranohej nga të gjithë me urtësi e mençuri” shton Kristaqi.  Me dhembje qytetare përshkruhen (në Kapitullin 17), krimet që vazhdojnë të bëjnë kërdinë pa kursyer askënd, duke pasur më shpesh emërues të përbashkët etjen për pasuri. Në themel të rrëmujës e të kaosit, të mbjelljes e lulëzimit të ferrave piramidale, të ngujimit të malësorëve – viktima të gjakmarrjes primitive, të pasigurisë së jetës që mund të të merret për hiçmosgjë, të degjenerimit e drogimit moral që përhapet si virus nga media e shkruar dhe elektronike, të nëpërkëmbjes së interesave kombëtare etj etj, qëndron shkatërrimi i strukturave të specializuara, i vetë shtetit, që „ua dha edhe tanket e avionët të tjerëve”. Dikur, deshe s’deshe, do të thoshe „amin” për gjithçka që urdhëronte partia, në rast se nuk doje të të bënte gjëmën personalisht, familjarisht e fisërisht. Me ardhjen e pluralizmit, të cilin siç është katandisur na shtyn ta krahasojmë me plehralizmin, po ndodh pak a shumë si gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur prindërit njërin djalë e nisnin në mal me partizanët e tjetrin me ballistët e legalistët. Tani, brenda së njëjtës familje, për të mos mbetur duarzbrazët, njëri vetëquhet i majtë e tjetri i djathtë. Hipokrizi e llahtarshme në demoNkraci e në emër të demoNkracisë, poshtëruese e dinjitetit njerëzor!  E, megjithatë, kërcëllitja e dhëmbëve dhe mprehja e tyre për kafshim, nuk çon askund. Për më tepër, ndjenjat e pastra të të rinjve, si Kaltrina me Rezartin ( Kapitulli 30, Fejesa) nuk po përfillin mëkatet e së shkuarës dhe po ndërtojnë lidhje krushqore-ura mirëkuptimi mes përfaqësuesve të „kampeve” kundërshtare. Kësisoj brezi i ri po i jep një mësim dobiprurës brezit të vjetër duke e grishur të hedhë vështrimin përpara, drejt horizonteve të gjera plot dritë, duke lënë pas terrin-qorrsokak. Urime, Shpend, penëmbajtës besnik i demokracisë së mirëfilltë, në dobi të kombit!

Sigal