PD hap  fushatën elektorale me miting madhështor

Mijëra përkrahës të Opozitës mbushën  dje  sheshin “Nënë Tereza” duke paralajmëruar fitoren e madhe të 25 prillit. Lulzim Basha: Do të çrrënjosim këtë kastë, do të hapim faqen e historisë modern dhe europiane të Shqipërisë

 

Sigal

 

Përkrahësit, simpatizantët, mbështetësit dhe militantët e PD-së dhe të mbarë Opozitës së Djathtë kanë 8 vjet që prisnin një ditë si e djeshmja, që, edhe pse në kohë pandemie, nuk u përmbajtën, për të shprehur besimin e tyre se këto zgjedhje parlamentare janë jo vetëm vendimtare, por edhe të garantuara se do të fitohen nga e Djathta. Ata, si rrallë herë, dje mabsdite mbushën rrugët e Tiranës dhe me brohoritje dhe entuziazëm të papërshkuar dhanë siglën: Fitore në 25 prill! Dje nisi zyrtarisht fushata elektorale për zgjedhjet e 25 prillit. Demokratët mbushën sheshin“Nënë Tereza”, ndërsa socialistët zgjedhën sheshin “Skënderbej”. Rrugët e kryeqytetit u  mbushën mbasditen e djeshme me simpatizantë të shumtë të së Djathtës, të cilët kanë krijuar një atmosferë ndryshe, me flamuj të selisë blu. Me borie e flamuj të PD-së përkrahësit  “pushtuan” Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe më pas edhe sheshin  “Nënë Tereza”. 22 kandidatë janë rreshtuar në skenën e improvizuar te sheshi “Nënë Tereza”.  Të pranishëm në ceremoninë e hapjes së fushatës elektorale të PD-së janë edhe aleatët e Lulzim Bashës, si Fatmir Mediu i PR, Dashamir Shehi i LZHK, Agron Duka i PAA, Shpëtim Idrizi i PDIU, Vangjel Dule i PBDNJ.

“Jam i pandalshëm dhe fitoj çdo lojë”, kënga himn e fushatës

Kënga e fushatës së PD do të jetë “Unstoppable”( I pandalshëm) nga këngëtarja e njohur ndërkombëtarisht Sia.  “Jam i pandalshëm/ Unë jam një Porsche pa frena/ Jam i pathyeshëm/ Po, unë fitoj çdo lojë të vetme/ Unë jam aq i fuqishëm/ Nuk kam nevojë për bateri për të luajtur/ Jam kaq i sigurt/ Po, sot jam i pandalshëm.”, thuhet në refrenin e këngës, duke lënë të kuptohet fare qartë synimin që Partia Demokratike ka.

Mbërritja e Lulzim Bashës në hapjen e fushatës, i rrethuar nga demokratët

Mbërritja e Lulzim Bashës në hapjen e fushatës së Partisë Demokratike për zgjedhjet e 25 prillit, u prit me entuziazëm nga demokratët në Shehsin “Nënë Tereza”.

Përlotet  shkrimtarja Flutura Açka: Luftoj edhe për tim bir

Fushatën e opozitës në sheshin “Nënë Tereza” e hapi shkrimtarja Flutura Açka, kandidate në qarkun e Elbasanit. E emocionuar, kandidatja demokrate Flutura Açka tha se nuk di të mbajë fjalime politike, por të flasë me zemër. Unë jam Flutura Açka, shkrimtarja shqiptare. Unë nuk di të mbaj fjalime politike, por di të flas me zemër. Edhe pse jam njeri i fjalës, nuk e kam të lehtë të ndaj emocionin, nis edhe më merret goja kur flas për gjëra shumë të dashura. Mjekë, inxhinierë, profesionistë po ikën sepse nuk kishin mundësi. Ne do t’ia dalim t’i kthejmë, vetëm duke ndrequr demokracinë. Ose të ndreqim demokracinë tonë, ose të shkojmë në diktaturë. Të fillojmë ta ndreqim që sonte demokracinë. Vetëm kështu do ta çlirojmë Shqipërinë nga baronët e drogës, baronët e kullave.  Kapërcimi nga vetmia te shumria e njerëzve nuk është e lehtë. Nuk ka qenë hezitim, por përgjegjësi për të thënë po, vetëm pak çaste për të vendosur. T’i thuash jo në kohërat si tona, nuk bën gjë tjetër vetëm se pohon postulatin e Dantes për vendin që kanë në ferr indiferentët për kohët e turbullta. Unë vendosa të mos isha indiferentë në kohëra kaq të turbullta. Më shtytë të shoh një botë që më ka bërë edhe më të ndjeshme se magjia e fjalës. Duke hyrë në zemër të demokracisë po zbuloj se çfarë i shtyn këta shqiptarë të thjeshtë të trokasin portë më portë që ndajnë me mua çdo ditë. Besoj se ajo shtysë është vetëm besimi te fitorja. Në fakt, nuk jam thjesht një grua që valëvitet mes shkrimit dhe politikës, tek unë luftojnë dy njerëz që luftojnë në një trup. Bashkë me mua lufton edhe im bir, ëndrra e pakryer e të cilit për ta parë Shqipërinë në Europë është pjesë e betejës time. Ndaj, kundërshtarit tim politik do t’i duhet të përballet me dy qenie të drejta, luftarake dhe pa kompromis, në detyrën e shenjtë të ndreqjes së demokracisë shqiptare.

Liçaj ndez sheshin: T’i marrim me shkelmat e votës çitjanet e qeverisë!

Aktori Neritan Liçaj mbajti  një fjalim të fortë në foltoren e sheshit “Nënë Tereza” aty ku Partia Demokratike çeli dje zyrtarisht fushatën për zgjedhjet e 25 prillit. “T’i marrim me shkelmat e votës çitjanet e qeverisë”- tha aktori Neritan Liçaj.

Ish-futbollisti i Kombëtares, Andi Lila: Më 25 prill votoni PD-në dhe Lulzim Bashën!

Përpara se të nis këtë fjalim, ne kemi një amanet që nga studentët e ’90 dhe kauzën e kemi të pa përfunduar, një thirrje këtu “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Ndihem i privilegjuar sot t’u drejtohem të gjithë shqiptarëve të bëhemi bashkë për të sjellë ndryshimin. Sot dua të them se kam pranuar ofertën politike të kryeministrit Basha me bindjen e plotë se fitorja është e jona. Sa herë jam futur në fushën e futbollit e dija që në fund do të kishte një që fiton dhe një që humbet, por kjo e sotmja nuk është lojë, garë, por përballje, e ardhmja e fëmijëve tanë. Më 25 prill të gjithë shqiptarëve u them se me dorë në zemër votoni PD-në dhe Lulzim Bashën.

Lulzim Basha: Jemi vetëm 31 ditë larg nisjes së rrugës për ndryshim

Përshëndetje ju motra dhe vëllezër që keni mbushur këtë shesh. Ju motra dhe vëllezër shqiptar kudo që ndodheni në këtë mbrëmje hyjnore të bashkimit tonë për ndryshim me të cilin do të fitojë Shqipëria dhe çdo shqiptar. Mirëmbrëma kandidatëve të Partisë Demokratike të Shqipërisë, aleatëve tanë të koalicioni, ekipit tonë të fitores dhe ndryshimit për çdo shqiptar. Edhe 31 ditë. Vetëm 31 ditë për të nisur së bashku rrugën e ndryshimit të Shqipërisë, rrugën e zhvillimit, të punësimit, të mirëqenies dhe të integrimit të saj në familjen tonë europiane.

25 prilli, fundi i tranzicionit

Jemi këtu të gjithë bashkë dhe jam mes jush sepse ju keni marrë një vendim shumë të rëndësishëm t’i japim së bashku fund tranzicionit shqiptar dhe të hapim një faqe të re të historisë moderne dhe europiane të Shqipërisë. Të mundësojmë që më të mirët, më të ndershmit të drejtojnë fatet e vendit sepse familja jonë e madhe Shqipëria ka nevojë sot më shumë se kurrë për punë, nder dhe ndryshim rrënjësorë. Sepse ne sot më shumë se kurrë duhet të mbrojmë e të vendosim në vendin e duhur krenarinë tonë të kahershme kombëtare si shqiptarë, sepse duhet të ndalojmë një orë e më parë këtë varfërim dhe këtë zbrazje që po i ndodh so Shqipërisë, sepse nënat dhe motrat tona nuk duhet të kursen më nga dhimbja që shkakton braktisja e vatrave të familjes, që si pasojë sjell braktisjen e madhe që ka pllakosur sot mbarë vendin, sepse Shqipëria gjithmonë ka qenë kryelartë në shekujt e trazuar të historisë së vet. Dhe ne jemi sot këtu si përgjigje e thirrjes së saj për të ndalur dorën që zhvat pasuritë e kombit, dorën që vret shpresën e shqiptarëve dhe mendjen e errët që kërkon të mbjellë frikën dhe dyshimin në zemrat e bashkatdhetarëve tanë. U bënë më shumë se një vit që filluam këtë marshim, këtë rrugëtim për të ndryshuar vendin tonë. Është një rrugëtim i vështirë por të cilin ne e kryejmë me përgjegjësi dhe me një gëzim të brendshëm sepse ne jemi të vetëdijshëm se puna jonë është një përkushtim dhe sakrificë për vendin, për shqiptarët, për Shqipërinë, për kombin sepse po shkulim dhe çrrënjosim nga damarët e tokës tonë një kast, një grusht, një të keqe që ka vendosur të shterojë dhe të përvetësojë për interesat e veta të gjitha pasuritë dhe burimet që Zoti kaq bujarisht ia ka falur Shqipërisë.

Shqiptarët meritojnë një Shqipëri demokratike

Dhe po luftojmë kundër një grushti njerëzish që janë gati të bëjnë gjithçka vetëm për të mbajtur karriget e tyre por në të vërtetë ata nuk na qeverisin por ju shërbejnë vetes dhe ortakëve të tyre që po rrëmbejnë përmes akteve grabitqare gjithçka që ky vend ka, pasuritë tuaj, pasuritë e kombit. Por vëllezër dhe motra ne po zhvillojmë edhe një betejë tjetër, një betejë brenda vetes. Unë e di se pas 8 vitesh zhgënjime, mashtrime shumëkujt i ka humbur besimi e shumëkush mendon se ky vend nuk ndryshon. Për të gjithë ata që kështu mendojnë unë kam një pyetje për ju. A është kjo ajo që ne meritojmë? A janë varfëria dhe kostoja e jetës që rritet çdo ditë e më shumë ajo që ne meritojmë? A është mungesa e vendeve të punës, papunësia dhe mjerimi ajo që meritojmë? A është largimi nga sytë këmbët i rinisë, i këtij populli të talentuar, ajo që meritojmë? A është ky fati i shkruar për secilin prej nesh? Jo, nuk ka gënjeshtër më të madhe se kjo. Ky vend meriton më shumë, shqiptarët meritojnë më shumë dhe prandaj ne jemi sot këtu para jush që tua bëjmë të qartë të gjithëve, ne shqiptarët meritojmë më shumë dhe mundemi të bëjmë më shumë dhe do të bëjmë më shumë.