Presidenti Ilir Meta: Denoncimi i krimit zgjedhor, mision patriotik

237
Sigal

 

Presidenti i Republikës hap një dritare të re në mbrojtje të votës së lirë për trajtimin e çdo denoncimi dhe publikimin e fakteve, që lidhen me ndërhyrjet e paligjshme në procesin zgjedhor, të drejtën dhe fshehtësinë e votës, dëmtimin e materialeve, votimin më shumë se 1 herë, falsifikimet e dokumentave, abuzimet e administratës, Policisë së Shtetit, FA etj. VOA/ Presidenti Meta dhe diplomatët perëndimorë bëjnë thirrje për maturi qytetare gjatë fushatës elektorale.

 

Presidenti Ilir Meta dje, vetëm dy orë para hapjes zyrtare të fushatës zgjedhore nga dy partitë më të mëdha në vend PD-ja dhe PS ka bërë thirrje për mbrojtje të votës së lirë. Kreu i shtetit ka krijuar një rubrikë në faqen e presidencës për të denoncuar krimet zgjedhore. Presidenti Meta, 30 ditë para zgjedhjeve thekson se demokracia merr kuptim vetëm nëse qytetarët, mbrojnë të drejtat e tyre duke refuzuar e denoncuar çdo përpjekje, që shtrembëron vullnetin e tyre në zgjedhje.

Ilir Meta: Presidenti i Republiës, do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për trajtimin e çdo denoncimi, dhe bërjen publike të fakteve që lidhen me ndërhyrjet e paligjshme në procesin zgjedhor

Mesazhi i Presidentit Ilir Meta

Nga sot (dje)na ndajnë vetëm 30 ditë nga dita e mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme të 25 prillit 2021. Për këtë arsye dua të ndaj me Ju nismën time “DENONCO KRIMIN ZGJEDHOR”, ku çdo qytetar mund të denoncojë dhe të demaskojë çdo veprim, që përbën shkelje të së drejtës themelore të votës apo që dëmton procesin zgjedhor! Krimi zgjedhor, godet dhe shtrembëron vullnetin e zgjedhësit, instalon autokracinë dhe rrezikon demokracinë, duke përdhosur Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, të drejtat, liritë dhe vlerat universale, që mbrohen prej saj.

 

Rreziku i shit-blerjes së votës është i pranishëm dhe kërcënues

Prandaj të gjithë bashkë, ne duhet të jemi barrikadë për të ndalur një herë e mirë, këto veprime të shëmtuara dhe të papranueshme për një vend demokratik! Demokracia merr kuptim vetëm nëse qytetarët, mbrojnë të drejtat e tyre duke refuzuar e denoncuar çdo përpjekje, që shtrembëron vullnetin e tyre në zgjedhje.

Ne duhet denoncojmë hapur dhe pa hezitim çdo krim zgjedhor

Për këtë arsye kam vendosur t’i jap udhë një nisme, që synon realizimin e një procesi zgjedhor të qetë dhe sipas standardeve europiane; për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave dhe lirive themelore kushtetuese ku përfshihet e drejta e votës së lirë. Për këtë qëllim kam zgjedhur si bashkëpunëtor kryesor qytetarët e Shqipërisë, unitetin e të cilëve, përfaqësoj, pasi ky proces zgjedhor është i një rëndësie mbarëkombëtare. Që nga sot, kam vendosur t’u vë dispozicion të gjithë qytetarëve një dritare të re të mbrojtjes së votës së lirë me moton, “DENONCO KRIMIN ZGJEDHOR”. Kjo dritare shfaqet në faqen e institucionit të Presidentit të Republikës dhe çdokush, mundet të denoncojë çdo fenomen negativ, që ka lidhje me procesin zgjedhor. I ftoj të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë, të mos hezitojnë, të mos tremben, por me kurajo dhe pa hezitim, të denoncojnë në mënyrë të dokumentuar, me çdo mjet, me zë dhe me figurë, çdo veprim të kundraligjshëm.

Në këtë nisëm të re, ftoj të gjithë shqiptarët për të “DENONCUAR KRIMIN ZGJEDHOR”, nën moton: “Të mbrojmë zgjedhjet, të mbrojmë pluralizmin, të mbrojmë demokracinë!”

Ja çfarë duhet të denoncojnë shqiptarët

Çdo lloj veprimi, që përbën kanosje apo dhunim të zgjedhësve, apo subjekteve zgjedhore, apo çdo shkelje, që i bëhet të drejtës së votës së qytetarëve;

Çdo veprim, që synon të pengojë ushtrimin e të drejtave nga subjekteve zgjedhore gjatë këtyre zgjedhjeve;

Të denoncohet çdo falsifikim që mund të tentohet t’i bëhet materialit zgjedhor apo rezultatit të zgjedhjeve;

Të denoncohet çdo veprim, që synon të dëmtojë materialet zgjedhore;

Të denoncohet çdo veprim apo mosveprim, që dhunon votimin e fshehtë;

Të denoncohet çdo përpjekje apo veprim, që synon votimi më shumë se një herë;

Të denoncohet çdo veprim që synon korrupsionin aktiv apo pasiv në zgjedhje;

Të denoncohet çdo tentativë apo përdorim i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore;

Të denoncohet çdo lloj veprimi që synon pengimin e zgjedhësit në votime;

Të denoncohet çdo shkelje e së drejtës së zgjedhjes;

Të denoncohet çdo veprim, që synon të tërheqë apo të përdorë në mënyrë të paligjshme dokumenta të identifikimit të personave të tjerë;

Të denoncohet pa hezitim, çdo anëtar i Forcave të Armatosura apo i Policisë së Shtetit, i cili shpërdoron detyrën, duke u angazhuar politikisht, apo duke mbështetur me veprime apo mos veprime një forcë politike.

Denonconi dhe demaskoni çdo gjë, që ju duket e parregullt, e paligjshme, e pamoralshme, që tenton të manipulojë zgjedhësit, zgjedhjet, procesin e votimit, votën e lirë dhe vullnetin e qytetarëve. E thërras këtë Aleancë me qytetarët, me moton “DENONCO KRIMIN ZGJEDHOR”, për të sensibilizuar ,mbështetur, nxitur dhe përkrahur drejtpërdrejt çdo qytetar, apo dhe funksionar publik të përgjegjshëm, që të denoncojë cdo veprim të paligjshëm në organin e Prokurosisë, KQZ, dhe tek Presidenti i Republikës, me qëllim që askush të mos i shmanget drejtësisë dhe çdokush të vihet përballë përgjegjësisë sipas ligjit. Përmes kësaj Aleance, ne bashkë do të garantojmë në mënyrë të padiskutueshme, se kushdo që tenton të prekë votën e lirë, nuk do të ketë shpëtim. Kushtetuta parashikon se e drejta themelore për të zgjedhur dhe respektimi i parimit të pluralizmit politik, janë bazat e funksionimit të shtetit tonë demokratik dhe secili prej nesh ka për detyrë t’i respektojë dhe t’i mbrojë këto parime.

Presidenti i Republiës, do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për trajtimin e çdo denoncimi, dhe bërjen publike të fakteve që lidhen me ndërhyrjet e paligjshme në procesin zgjedhor. Vetëm përmes garantimit të ushtrimit të së dejtës themelore të votës dhe realizimit të zgjedhjeve të lira e të ndershme do t’i japim fund krizës së legjitimitetit dhe të përfaqësimit, që ka përfshirë institucionet kryesore të shtetit, do të zhbllokojmë çeljen e negociatave me Bashkimin Europian dhe do të garantojmë se do të qeverisemi sipas vullnetit real të sovranit. Presidenti i Republikës është i hapur të bashkëpunojë me të gjitha institucionet shtetërore përgjegjëse, shoqërinë civile, organizatat ndërkombëtare dhe të gjithë ata, që kanë për detyrë mbarëvajtjen apo monitorimin e procesit zgjedhor, për të garantuar se çdo fenomen negativ, që përbën vepër penale, të evidentohet, rregjistrohet dhe të hetohet brenda një afati të arsyeshëm.

Të nderuar qytetarë,

Këto zgjedhje janë të lidhura drejtpërdrejt me të ardhmen tonë europiane dhe kanë një rëndësi mbarëkombëtare. Unë kam bindjen e palëkundur se do të jemi të gjithë aleatë në këtë mision historik! Në këtë nisëm të re, ftoj të gjithë shqiptarët për të “DENONCUAR KRIMIN ZGJEDHOR”, nën moton: “Të mbrojmë zgjedhjet, të mbrojmë pluralizmin, të mbrojmë demokracinë!”.

Zëri i Amerikës: Nis fushata zgjedhore, Presidenti Meta dhe diplomatët perëndimorë thirrje për maturi qytetare

Partitë politike nisën dje zyrtarisht në Shqipëri fushatën zgjedhore për parlamentin e ri dhe zgjedhjet e 25 prillit. Garuesit kryesorë, socialistët dhe demokratët e opozitës, po zhvillojnë tubimet hapëse në dy sheshet më të mëdha të kryeqytetit, duke zbatuar rregullat e pandemisë. Socialistët po kërkojnë mandatin e tretë qeverisës, duke thënë se kanë punuar mirë dhe kanë plane të reja për zhvillimin e vendit. Ndërsa demokratët vijnë pas 8 vitesh në opozitë dhe dy vite bojkotim të parlamentit, duke synuar të largojnë me zgjedhje nga pushteti, sipas tyre, një qeveri të korruptuar thellësisht, që ka dëmtuar rëndë ekonominë dhe shoqërinë. Fushata zyrtarisht nis sot (dje), por në fakt partitë politike e kanë hapur atë disa muaj më parë, qyshkur presidenti i Republikës dekretoi 25 prillin si ditën e zgjedhjeve. Presidenti Meta shpalli sot (dje) me një dritare enkas në faqen elektronike të institucionit nismën “Denonco krimin zgjedhor”, dhe një thirrje publike qytetarëve, që shohin shkelje të së drejtës së votimit apo që dëmton procesin zgjedhor. Zoti Meta tha se rreziku i shitblerjes së votave është një kërcënim i pranishëm, ndërsa krimet zgjedhore shtrembërojnë vullnetin e zgjedhësve, dëmtojnë demokracinë dhe instalojnë autokratët. Ai tha se me këtë nismë do të ndihmonte që procesi zgjedhor të ishte i qetë dhe me standarte europiane dhe u kërkoi qytetarëve të denoncojnë pa frikë, me dokumente, me zë dhe me video, shkeljet dhe manipulimet që shohin gjatë zgjedhjeve, për të mbrojtur pluralizmin dhe demokracinë shqiptare. Partitë politike ato kanë kulmuar këto muaj një oratori të zjarrtë publike me akuza të skajshme për kundërshtarët politikë. Tensionet e krijuara disa ditë më parë dhe përplasje fizike mes militantëve të dy palëve e kanë rritur vëmendjen dhe shqetësimin e diplomatëve perëndimorë ndaj procesit zgjedhor të 25 prillit. Shefi i Delegacionit të BE-së, Luigi Soreca, dhe përfaqësuesit e 27 misioneve të shteteve anëtare të BE-së në Shqipëri, publikuan një deklaratë të përbashkët, ku theksuan se partitë politike dhe kandidatët duhet t’i përqendrojnë debatet e tyre tek programet politike dhe reformat, që synojnë të paraqesin për të përmirësuar jetën e të gjithë qytetarëve. “Dialogu konstruktiv dhe gjithëpërfshirës është i rëndësishëm, siç u pa me konsensusin e gjerë ndërpartiak që çoi në marrëveshjen e 5 qershorit të Këshillit Politik mbi reformën zgjedhore” – tha ambasadori Soreca. Po ajo frymë duhet të nxitë një fushatë elektorale paqësore, pa retorikë provokuese apo gjuhë urrejtjeje, të bazuar në respekt të ndërsjellë, dialog dhe vetëpërmbajtje, shtoi ai. Zoti Soreca nxiti qytetarët të marrin pjesë në votime, duke respektuar të gjitha masat kundër pandemisë COVID-19. “Zgjedhjet transparente, gjithëpërfshirëse, të lira dhe të ndershme, si dhe respektimi i rezultatit të tyre, janë të rëndësishme për të siguruar legjitimitetin e parlamentit dhe qeverisë së re, – tha zoti Soreca. Ai shtoi se vëzhgues vendas dhe ndërkombëtarë po ndjekin nga afër përgatitjen e zgjedhjeve, misioni i ODIHR-it, Delegacioni i BE-së dhe ambasadat e Shteteve Anëtare të Bashkimit, duke siguruar për mbështetjen e Shqipërinë në rrugën e pranimit të saj në BE. Përfaqësuesit e SHBA-ve po ashtu kanë një vëmendje të shtuar për zgjedhjet në Shqipëri. Ambasada e SHBA-ve në Shqipëri nxiti marrëveshjen e 5 qershorit mes partive kryesore politike dhe prej asaj kohe edhe sot po këmbëngul që partitë politike të mos përfshijnë në listat e kandidatëve për deputetë persona me rekorde kriminale. Fushata zgjedhore po kushtëzohet dukshëm nga rregullat mbrojtëse të pandemisë Covid-19. Gara e tubimeve të mëdha, se cila forcë politike mbledh më shumë përkrahës në sheshe është zhvendosur nëpër ekranë internet. Vetëm në fund, nga numërimi i votave, mbetet të mësohet se kush e gëzon vërtet besimin e qytetarëve për të qeverisur 4 vitet e ardhshme një ekonomi post-Covid të dëmtuar ndjeshëm, por edhe me ambicjet për t’u ngritur në standartet e kërkuara nga Bashkimi Europian.