Suplementi Pena Shqiptare/ Kim Mehmeti: Peshku Ekstasis  

23
Sigal

E di se të paktë janë ata që kanë pasur rastin të shohin ndonjë peshk Ekstasis, nga vetë shkaku se këta peshq janë aq të rrallë, sa që mund të numërohen në gishtat e një dore. Prandaj do mundohem ta përshkruaj sa më hollësisht. Peshqit Ekstasis jetojnë në kushte të veçanta: në ujë plotësisht të pastër, që do të thotë, nëpër ato lumenj, shtratin e të cilëve nuk e ka prekur asgjë tjetër, përpos dorës së natyrës. Nuk durojnë as ndotjen më të vogël, e lëre më ato papastërtitë e shumta, që kohëve të fundit i hasim nëpër lumenjtë. Nëpër shumë enciklopedi, të cilat kam pasur rastin t’i shfletoj, nuk kam hasur në të dhëna të mjaftueshme, e që do të thotë se edhe shkenca nuk e njeh aq mirë këtë lloj peshku. Në të vërtetë, si edhe për shumë gjëra të tjera , të cilat vetëm përmenden nëpër enciklopeditë e shumta, e jo rrallë jepen edhe të dhëna jo të vërteta, edhe për peshkun Ekstasis, nuk do të gjeni atë që ju intereson, nëse vendosni t’i shfletoni ato. Nën shkronjën “E”, përmendet emri i tij dhe ceket se i kanoset zhdukja dhe se, kohëve të fundit, kanë qenë të kota gjurmimet e zoologëve që të gjejnë ndonjë peshk të tillë. Peshku Ekstasis nuk rritet më shumë se dhjetë centimetra, ka trup elipsoid dhe ka bisht çfarë kanë të gjithë peshqit e rëndomtë. Ajo që e bën të veçantë, është se kur e shikon duke notuar në ujin e pastër si loti, nuk mund të përcaktosh ngjyrën e tij. Në të vërtetë, nga trupi i tij rrezatojnë ngjyra të ndryshme, varësisht se nga cili kënd e shikon dhe cilën anë të tij e ledhatojnë rrezet e diellit, apo të hënës. S’di si të shpjegohet ndryshe ajo shumëngjyrësi e tij, po të them se i ngjan ylberit, i cili pandërprerë rrezaton me ngjyra të ndryshme dhe kurrë nuk mund të veçohet ndonjëra nga ato e të thuhet se është më madhështore se tjerat. Nuk shoqërohet me peshqit e rëndomtë dhe gjithmonë noton i vetmuar. Kur Ekstasisit i afrohet ndonjë peshk i rëndomtë, ndodh diçka e çuditshme: peshku i rëndomtë shtanget dhe nguroset, thuajse harron të notojë; kthehet me barkun e bardhë përpjetë dhe qëndron si i ngordhur aq kohë, sa i duhet Ekstasit të largohet nga aty. Edhe për këtë fenomen nuk kam hasur në sqarime shkencore, prandaj as që mund të them diçka më shumë se kaq. Gjatë notimit, si të gjithë peshqit e tjerë, pandërprerë i çelë dhe mbyllë kapakët e velëzave, nga të cilat lëshon një si pluhur shumëngjyrësh. Nuk e di saktësisht a është pluhur, apo ndonjë dritë, e cila rrezaton nga brendësia e velëzave të tij, por kam parë se prapa tij, gjithmonë mbetet një muzavë, e cila gjatë kohës nuk zhduket. Ky peshk, me shumçka, i ka tiparet e dilleit: kurrë nuk mund ta përcaktosh se cilat rreze i ka më të bukura, ato kur lind, apo ato kur perëndon. Ekstasisi e zbukuron vetvetën me bukurinë e trupit të vet. Kanë kaluar shumë vite qysh se edhe unë nuk kam pasur rastin të shoh ndonjë peshk të tillë. Kot sillem buzë lumenjve dhe shkoj nëpër vendet ku burojnë ato. Ka një peshk të ngjashëm me Ekstasisin, por lehtë mund të dallohet se nuk është ai të cilin unë ua përshkruaj. Edhe pse ky është shumëngjyrësh, mund ta dalloni lehtë se nuk është peshk Ekstasis, ngaqë ngjyrat i ka të zbehta dhe jeton edhe nëpër lumenj të ndotur. Sipas të dhënave zoologjike, Ekstasisin e vjellin ngjalat, të cilat dy muaj më parë kanë gëlltitur ndonjë vezë peshku të rëndomtë. Kjo do të thotë se ikra e peshkut të rëndomtë, çelë në stomakun e ngjalës, e pas dy muajsh shëtitjeje nëpër oqeane dhe detëra, ngjala kthehet dhe gjen ndonjë lumë të përshtatshëm për ta nxjerrë nga goja. Ekstasisin, i cili në atë kohë i ngjan një pike shumëngjyrëshe. Ky peshk jeton vetëm tre vjet. Vitin e parë e kalon nën ndonjë gur të madh, ku është uji më i qetë, dhe ushqehet me pështymën e gaforreve trevjeçare. Vitin e dytë, e arrin gjatësinë dhe formën e duhur dhe gati pandërprerë noton mbi sipërfaqen e ujit. Gjatë ditëve verore trupin gjithmonë ia rrezatojnë dielli dhe hëna. Kur vjen dimri, thuajse tërë shpinën e mban mbi ujë dhe shpesh e mbulojnë fjollat, duke krijuar një ujdhesë të vogël prej bore. Vitin e tretë, Ekstasisi shndërrohet në ylber shumëngjyrësh dhe noton pandërprerë duke u ikur turmave të peshqve të rëndomtë. Sa me kënaqësi i pret valët, sa i magjishëm duket përderisa e lëviz bishtin laraman. Tërë ditën e kalon duke lozur në valët e lumit. Në ujërat e qeta ndalet vetëm natën. Është pamje madhështore të shohësh Ekstasisin në orët e natës, kur lumin e mbulon terri: kthehet me kokën nga lindja dhe ashtu i palëvizshëm, si ndonjë fëmijë i lodhur nga lojërat e ditës, e ndriçon tërë rrethinën e vet me ngjyrat e shumta. Në këto çaste, nuk i afrohet asnjë peshk i rëndomtë, sepse mund të verbohet nga ngjyrat e tij dhe drita që rrezaton. Derisa ai pushon, i afrohen shumë ngjala, të cilat lozin rreth tij, ia ledhatojnë trupin dhe herë-herë, bëhen kinse e kafshojnë, e në të vërtetë e puthin. Siç duket, Ekstasisi vetëm ngjalat i adhuron dhe nuk frikësohet prej tyre. Ngjalat atë e ruajnë natën dhe kur bën t’i afrohet ndonjë gaforre, ato i vërsulen dhe e largojnë nga bujtina e Ekstasisit. Sipas një legjende, ku peshk kurrë nuk ngordh. Ka diçka të vërtetë në këtë thënie. Në të vërtetë, ngordhja e tij është diçka e paparë, madhështore dhe enigmatike. Kur Ekstasisi mbush tri vjet, e kjo ndodh gjithmonë nga fundi i verës, ai fillon t’i bëjë përgatitjet e vdekjes. Muaj me radhë kërkon vendin e posaçëm për një gjë të tillë dhe i ngjan qiririt, që i ndriçon të tjerët, e vet digjet. Ndalet në ndonjë pjesë të lumit, ku uji është i qetë dhe shtrati i mbuluar me guralecë shumëngjyrësh. Qëndron ditë me radhë në të njëjtin vend, duke e pritur çastin e fundit të jetës. Vendin ku ai qëndron e rrethojnë ngjalat e shumta, të cilave thuajse ndonjë zë sekret ua ka lajmëruar lajmin e dhimbshëm. Herë-herë, ngjalat afrohen dhe e shikojnë të mahnitura nga bukuria e tij, nga ngjyrat e tij të cilat tani janë edhe më të forta dhe më madhështore se kurrë më parë. Ngjalat ia pastrojnë vendin ku qëndron ai, i largojnë nga aty guralecët e mprehtë dhe kullosat ku mund të bëjnë çerdhe insekte të ndryshme. Qarkullojnë rreth tij të shqetësuara, e kafshojnë bishtin e vet dhe e bëjnë copë-copë ndonjë peshk, apo gaforre të pakujdesshme, e cila u afrohet. Ekstasisi ngordh vetëm natën dhe atëherë kur është hëna e plotë, kur në qiell nuk ka asnjë re. Është fshehtësi e veçantë si ky peshk, në çastin e fundit të jetës së vet, ndalet në vend të atillë ku hëna pasqyrohet mbi syprinën e ujit m‘u në orët e mesnatës, atëherë kur ngrihet në zenit të qiellit. Qëndron me natë në të njëjtin vend dhe kur hëna pasqyrohet mbi lumë, nuk të duket se ai është në fund të lumit, por se qëndron shtrirë mbi hënën. Asaj nate, kur hëna e merr formën e vet të plotë, ndodh akti madhështor, i cili as që mund të përshkruhet me fjalë. Atë natë Ekstasisi është më magjepsës, dhe nga trupi i tij rrezaton më fuqishëm drita shumëngjyrëshe. Ngjalat thuajse e kuptojnë se ka ardhur çasti i ndarjes, andaj formojnë një kurorë të çuditshme rreth tij. Në të vërtetë, ato e thurnin një rreth. Më në fund, e ndajnë krejtësisht Ekstasisin nga hapësira tjetër e lumit. Në orët e mesnatës, kur hëna pasqyrohet në vendin ku qëndron peshku, gardhi i krijuar nga ngjalat, është plotësisht i njëjtë me hijen e hënës në syprinën e ujit. Në atë çast zhduket uji ku pasqyrohet hëna dhe një fuqi e padukshme nuk u lejon valëve të lumit të depërtojnë nëpër ngjalat e thurura. Kur krejtësisht thahet uji ku qëndron peshku shumëngjyrësh, dëgjohet një muzikë melankolike dhe peshku zhduket, e gëlltisin rrezet e hënës. Prej diku, një zë pikëllues, jehon nëpër hapësirë: “Isha thesar i fshehur, dëshirova të më njohin, ju mahnita dhe iu ktheva vetes!” Pastaj, ngjalat e lëshojnë njëra-tjetrën, lumi merr rrjedhën e rëndomtë dhe vazhdon rrjedhën. Kam vërejtur se pastaj hëna qëndron gjatë e palëvizshme, ndërsa ngjalat notojnë si të çoroditura, duke goditur me bisht valët e lumit.