Më kot i kthej unë sytë mbi shtegun mbetur shkret!
Mos shoh një rreze drite, një trëndafil kërmëz.
Këtej e nisi rrugën, mbi shteg e vuri këmbën.
Këtu e la tek unë a pas e mori ëndrrën.
Sa zogj e prekën shtegun, sa drerë qanë aty,
po mua më ka zënë, do mbaj shtegun në sy.
Mbi të fërshëllen era, tufani shfryn si ujk,
po unë rri e pres, i heshtur mbledhur shuk.
Gjithë natën gjer sa zbardh, gjithë ditën gjersa ngryset,
Aty numëroj yjet, aty numëroj sythet.
Mbi shteg e pres pranverën, si hyn edhe si del,
mbi shteg shoh jargavanin, si zhvishet e si çel.
Më ëndërrtar i flaktë a gjendet vallë në botë,
që prêt te shteg’ i artë e prej atij nuk lot?
Më kot i kthej unë sytë mbi shtegun mbetur shkret,
gjithmonë si shkabë mali dhe asnjëherë si shterg.
BREGU I BRENGËS
M’u thërmua breg i brengës,
po durimi nuk m’u sos.
Në kafaz
tërbim i zemrës
pikëllimin ma rropos.
Në rrëpirën shkëmb e gurë
qielli im loton i kaltër.
Pse kjo xhungël-
katrahurë
mbeti tempulli i varfër?
Edhe pse plot ajër e diell,
Heq gërmuqur sa më s’ka.
M’u thërmua breg i brengës,
krahërori keq m’u ça…
* * *
“Vetëm në varrezë gjen prehje udhëtari”,
Vetëm në varrezë… Po ku tjetër?
E ka thënë me mendje ari,
ndjesë pastë, i urti i vjetër!






















