Suplementi Pena Shqiptare/ Istref Haxhillari: Braktisja e madhe

138
Sigal

Qarkullon prej shekujsh legjenda e moçme:

“Debrova e bën Romën, Roma nuk e bën dot Debrovën.”

Që kur, rrotull njëmijë vjet më parë, perandori romak i habitur nga mullinjtë e shumtë artikuloi për herë të parë fjalën Mokër, vendi mban këtë emër të spikatur. Dhjetëra mullinj në Dunicë, Kalivaç, Trebinjë, Zëmçë, Slabinjë, Losnik bluanin pa pushim bereqetin e sjellë nga anë e anës. Gurët e blojës vërtiteshin pa u lodhur të jepnin bukën e mijëra njerëzve, që udhëtonin ditë të tëra për të ardhur gjer këtu. Drithi mbillej e korrej fushës, po bluhej në male ku zhurmonin mullinjtë radhë-radhë, falë Shkumbinit ujëshumë dimër e verë. Banorët e hershëm të fushës së Korçës, ata përreth liqenit të Ohrit e shumë më tepër se kaq, u jepnin me dëshirë nuse djemve mokrarë.

Mbi këtë vend të bekuar dora e Zotit ka shkundur hire natyrore pa kursim. Me kokën mbështetur përmbi Kozic, trupin plot forma zgjatur gjer tutje fushës së Përrenjasit, treva ngjason me një qenie stërmadhe, shpërfaqur si çudi në këtë cep të dheut. Shkumbini, gjaku i saj i pastër e përshkon tej e ndanë si enë e spërdredhur pambaruar kurrë. Nëpër rrjedhat e kohës, Mokra dhe mokrarët janë shquar si rrallë tjetër. Kjo copëz e sertë e dheut nuk ndenji mënjanë dallgëve të betejave për mbrothësinë e atdheut. Sado të përpiqen studiuesit nuk do të gjejnë ndonjë qoshe të historisë së trazuar të vendit, ku mokrarët të mos kenë qenë rreshtuar në anën e progresit.

Mokra jonë ka qenë zonjë… Po tani? Shpërfillur e lënë pas dore, e ka mbuluar pluhuri i harresës. Fshatra gjysmë të braktisur, lagje të tëra kthyer në murishte me ndonjë shtëpi të rrallë mbetur diku në ndonjë qoshe. Më së shumti të zë syri fëmijë anemikë dhe pleq të gërmuqur rrugëve pa gjallëri. Të rinjtë dhe burrat në moshë rrahin dherat e huaja, vinë rrallë, sjellin ca thasë me miell dhe ikin përsëri. Të tjerët që nuk kanë mundur të çajnë, jetojnë me shpresë se një ditë do të largohen. Kështu gjithnjë, vit pas viti. Një pjesë hahen me dheun, duke shkapetur pas parmendës së stërlashtë. Në vend të qeve, mbrehin kuaj e gomarë a thua nuk jetojnë në shekullin njëzetenjë, po diku në prehistori. Ca të tjerë jetojnë me dru zjarri. Presin ahet qindravjeçarë, lisat e njomë, pishat e bredhat, zhdukin nga faqja e dheut pyjet e mbetura. Ç’të bëjnë tjetër për të nxjerrë bukën e gojës? Migrimi bën kërdinë. Mot pas moti largohen dhjetëra familje ku të mundin e si të mundin, vetëm të ikin sikur i ndjek pas fati i lig, apo ndonjë kuçedër nga ato të qëmotit shpërfaqur prej nëndheut. Ç’të jetë ky mallkim i dhimbshëm përtej vetë dhimbjes? Përse mokrarët ikin dhe vetëm ikin…? Virgjili, poeti dhe mendimtari romak, para dymijë e ca vjetësh thoshte se Zoti u jep tokë, ujë e pyll atyre që nuk i shpërdorojnë, por u falen si të shenjta. Këto elemente thelbësore të jetës janë derdhur pa kursim mbi viset tona. Nëpër shekuj i kanë adhuruar.

A thua këta të sotmit nuk i duan më!? Buka e emigrantit ngjyhet me djersë e turp, jo rrallë edhe gjak. Sfilitja e rrugës, pasiguria, meraku për ata që lënë pas janë bashkudhëtarë të përhershëm. Bëjnë çdo punë pa naze, veçan në bujqësi ku janë mjeshtër. Edhe zanatet e hidraulikëve, muratorëve, ndërtuesve, i tretin djemtë tanë atje në dheun e largët, ama përbuzja nuk u ndahet për asnjë çast. Të gjitha i përtypin, shpesh me shpirt ndër dhëmbë, vazhdojnë të robtohen me vite, shkojnë e vijnë pa pushim. Në dheun e huaj ngrenë banesa të hijshme, çelin rrugë moderne, kullosin tufa me dhen e dhi, mbjellin e korrin kokulur vetëm të marrin atë pagë shumë herë më të lartë se për çdo punë në atdheun e tyre. Kur kthehen qeshin me gjithë shpirt, siç nuk mundet të qeshin andej. Pas dukjes së jashtme, eurove nëpër xhepa, pispillosjes evropiane, fshihet zhgënjimi i duarve të plasaritura. Në një analizë sado të përciptë kuptohet sheshit se të gjitha gjasat çojnë në dy hulli të pashfrytëzuara, apo më keq, të nëpërkëmbura. Pasuritë e shumta të Mokrës humbasin ose kalben, se s’mund të tregtohen. Si nuk u ka vajtur mendja atyre që e drejtojnë vendin se paratë e taksapaguesve duhet të venë atje ku u shërbejnë prodhuesve që të nxisin punën dhe biznesin vendas?

Në tërë këta vite nuk u ndërtua një rrugë për të qenë. Janë çarë udhë të sfilitura që i fshin dimri më i parë duke lënë pas shembje masive. A thua mungojnë specialistët e vërtetë të bëjnë llogari të sakta e të qarta, apo ca të tjerë më të fuqishëm nuk e duan këtë zhvillim?

Kullotat e gjera e të begata mund të mbarështojnë bagëti pa hesap. Po deri tani asnjë politikë nxitëse. Prodhimi bio mokrar në të gjitha zërat shkon dëm, nuk e përball mundin. Ata që e provojnë heqin dorë dhe zgjedhin rrugën e kurbetit ku, për punë të tilla, fitojnë shumë më tepër.

Kur do të kujtohet ndonjë qeveri nga ato që shkojnë e vijnë se panxitur punësimin, nuk mund të ketë zhvillim? Deri kur kombi do të vazhdojë të mbështesë mbrothësinë jashtë punës dhe prodhimit vendas? A do të duken realisht politikat e stimulimit për të mbledhur sërish burrat e gratë shpërndarë larg dheut të tyre të begatë?

Së fundmi janë shpërfaqur edhe ca që u kanë vënë syrin pasurive të nëntokës mokrare. E nxjerrin pa mundim mineralin në sipërfaqe dhe e shesin fare lirë jashtë. Me këtë pasuri bëhet Shqipëria e tërë, jo vetëm Mokra, se nuk ka dalë më kot ajo fjala e urtë që përmendëm në krye të shkrimit, po kush i peshon kaq hollë punët? Mungojnë ekonomistët e vërtetë, që shohin përpara apo mendje të mbrapshta duan të kundërtën?

Le të presim dhe shpresojmë më të mirën..!?