Vit pas viti fëmijët u larguan të gjithë!
Një ditë shtatori zilja e shkollës nuk u dëgjua më!
Mësuesi që priti e priti përpara derës,
u fsheh diku dhe qau me zë.
Pastaj hyri në koridorin e madh pa nxënës,
dhe sërish lot mbi faqe i rrodhën.
E mori zilen në duar ta tundte
si dikur,
por duart ju drodhën.
Ku është vallë tani Valbona?
Në cilin cep të globit është strukur?
Ku është Arbëri me shpirtin e ndjeshëm,
që vjershat Atdheut i recitonte aq bukur?
Ku është Arditi që i pëlqente natyra?
Ku është Iliri që nuk mërzitej kurrë?
Ku është Aleksandra që donte të bëhej mësuese,
a buzëqesh më si dikur?
Një ditë shtatori ish ditë e dhimbshme!
Zilja e shkollës heshti përgjithnjë.
Fëmijët ikën larg tek prindërit e tyre,
dhe lindje nuk kishte më.