Suplementi Pena Shqiptare/ Ismail Xhaferi: Baladë për Adem Jasharin

 

Sërish për ty dhe dëborën e parë

Sigal

Ra dhe dëbora e parë,

U zbardh një mal, një kodër, një përrua,

Po mua nuk e di pse më pëlqen

Dëbora që bie mbi supet e tua.

 

Hodhi dëborë edhe ky dimër,

E zbardhi tokën vende-vende,

Po mua nuk e di pse më pëlqen

Dëbora që bie mbi gushën tënde.

 

Kjo borë e beftë që ra kaq butë,

Ishte e magjishme sa më çmend,

Po mua nuk e di pse më pëlqen dëbora

Që ulet mbi qerpikun tënd.

 

Sërish dëbora erdhi papritur,

Nuk mbeti pa zbardhur asnjë pëllëmbë vend,

Po mua nuk e di pse më pëlqen

Dëbora që bie mbi flokun tënd.

 

Ra dhe dëbora e parë,

U zbardh në oborr një mollë e një ftua,

Po mua nuk e di pse më pëlqen

Dëbora që shkrin mbi buzët e tua…

….Dil nga dhimbja….

 

Dil nga dhimbja ku rri strukur,

Fshiji lotet permbi faqe,

Dil siç del prilli prej dimrit,

Mbushur plot me manushaqe!

 

Dil nga dhimbja, qetesoje,

Shpirtin qe aq shume te dhemb,

Jeta ka ende shume rruge,

Zemra ka akoma vend!

 

Dil nga dhimbja vajze e brishte,

E venitur me te qara,

Mund te dashurosh serish,

Mund t’ja nisesh nga e para!

 

Mos e kthe me koken pas,

Per nje enderr qe t’u prish,

Thyhet nje degez ne peme,

Çel nje syth ne mars serish!

 

Dil prej dhimbjes qe po vuan,

Dil perdite e dalengadale,

Dil siç del nje pikez loti,

Qe eshte fshehur nen qepalle!

 

Larg nga ditet e trishtimit,

Harroje plagen e vjeter,

Dil kerkoje serish fatin,

Dhe trokit ne zemer tjeter!

 

Dil nga dhimbja ku je strukur,

Fshiji lotet permbi faqe,

Dil siç del prilli nga dimri,

Mbushur plot me manushaqe!

Baladë për Adem Jasharin

 Të gjithë malet u përulën,

Gjak i kuq çdo gur, çdo plis,

Se po shkon Adem Jashari

Drejt altarit të lirisë.

 

Kur e panë nëpër beteja,

Bubullimat qiejt drodhën,

Se po shkon Adem Jashari,

Që të vdesë për Kosovën.

 

Shkon të vdesë Adem Jashari,

Për kurban e do liria,

Që të marrë frymë Kosova,

Ai dha frymën e tija.

 

Plagë në trup e brengë në shpirt,

Nuk ka shkja që ta kthejë pas,

“Ah, të kisha dhe ca gjak

Që ta derdhja në Prekaz!”

 

“Do ta derdhja për Kosovën,

Po të kisha edhe pak,

Ndaj bozhuret e Kosovës

Fort u shtrydhën, nxorën gjak.

 

Heshtur Isa Boletini,

Shtrëngon dorën tek martina,

Rrudhat çajnë shtegun e ballit,

Dhe kthehen në vetëtima.

 

Edhe Vlora, kryezonjë,

Prapë rindez prushin në gjiri,

Ismail Qemalit mjekra

I dridhet si flakë qiriri.

 

Flamuri i rëndë i kombit

Nga shtiza nisi të zbresë,

Shkon i mbështillet në trup,

Si krahët e nënë Zahides.

 

Thonë u vra Adem Jashari,

Po nuk vritet ai burrë,

U bë shkëmb e hodhi rrënjë,

U bë shqipe mbi flamur.

 

Thonë u vra Adem Jashari,

Po ai s’ka vdekje kurrë,

U bë erë në Alpet tona,

Që të valëvitim flamur.

 

Ranë Jasharajt për lirinë,

Sup më sup e dorë për dore,

Pesëdhjetë e tetë dëshmorë,

Pesëdhjetë e tetë llogore.

 

Ranë një nga një të gjithë,

Ranë si lisa të prerë,

Por në djepin e Jasharajve

Prapë përkunden djem të tjerë…

 

Po dha kushtrimin Kosova,

Baca prapë e braktis varrin,

Se s’ka varr që e mban brenda

Komandant Adem Jasharin.

 

Të gjithë malet u përulën,

Gjak i kuq çdo gur, çdo plis,

Se po shkon Adem Jashari

Drejt altarit të lirisë.