Pa ty, i dashur jam si thëllëza që humbet në mjegull,
jam drenusha,që tretet gjetheve ngjyrë tjegull,
gjurmën tënde nuhas,si mëshqerra barin e njomë,
udhët rrah me shputa,si qengji qumështor.
O Zanë e pyllit, më thuaj, ku shkoi i dashuri,i xhanit,
tregomë ku fshihet se po tretem prej mallit!
Kofshët, si drenusha dridhen në llucë e leshterikë,
në gji të mjegullës humba e si thëllëza kam frikë.
Ku je i dashur, vallë,ku je fshehur që s’po të gjej,
ah, në rënça në gjurmë, me krahë do të mbërthej?!
Oh,përse trembesh i dashur, përse ke frikë, përse,
a s’jam gruaja,që të shuaja etjen, si toka nën re?!
Joshur nga përkëdheljet e tua, shkisja mbi gjymtyrë,
rrëshqisja në luadhin e gjirit, me push e zymbyl,
ah,kur humbisja në pyllin e kërthizës, si nëpër mjegull,
në lisin tënd, gjithë qejf përdridhesha, si pjergull!
Mos më braktis i dashur, asnjë çast, mos më braktis,
se jam gruaja unike, që shpirtin ta djeg,si pish,
pastaj hirin ta mbledh, në kupën e artë të zemrës,
që të rilindësh nga mitra e dashurisë së femrës!
Se kur rilind nga mitra e dashurisë së gruas unike,
s’ke kohë të vdesësh, ajo do pjalmin e çasteve idilike,
se kur rilind nëpër burime, ku tretet palca femërore,
kthehesh në Krisht për gruan, që lind krijesa tokësore.






















