Unë qaja për ty. Lot më rridhnin si rrëke
mbi kraharor. S’do të t’prekja më, s’do
të të puthja e trupin tënd të imët, nuk do
ta shtrëngoja në krahët e mi më, jo.
Kush do t’më dhuronte dashuri pafund,
si oqean? Kush do t’më bënte të qeshja
me shpirtin hare plot, kush do t’më falte
gëzim në një jetë të pabesë si kjo?
Avulli i kafesë më mbulonte si mjegull,
po ja që gjithçka e shikoja qartë! Fjalët
mbyteshin në atë pellg të errët dhe unë
e pambrojtur ndihesha qysh në atë çast.
Nënë, unë qaja për ty, për jetën tënde,
që do të tretej shpejt si rrufe, për atë
dashuri që dot nuk ta dhashë pa kufij,
për ndjenjat e pendimet që si grushte
ma rrihnin gjoksin pa mëshirë. Nëse
do të kisha mundësi të t’falja shumë
vite nga jeta ime, unë do t’i nxirrja
që në atë çast nga shpirti im që ty të
t’kisha pranë edhe disa stinë të tjera
dhe të t’strehoja ende në një përqafim.
Unë qaja për ty…


















