Suplementi Pena Shqiptare/  Enver Bytyçi: Për shkrimtarin Zija Çela më flet zemra

127
Sigal

Këto ditë shkrimtari i madh Zija Çela, ‘Nderi i Kombit’, kishte ditëlindjen dhe më bënë përshtypje urimet, dashuria dhe respekti i lexuesve e miqve të shumtë, që shprehën aq ndjeshmëri. Për mua është hera e parë që shkruaj për Zija Çelën. Jo se nuk kam dashur. Por e kam parë veten në vështirësi që të gjej fjalët e duhura për t’u shprehur publikisht. Edhe sot nuk mund t’i gjej ato fjalë që meriton. Ose më saktë nuk mund t’i shpreh, edhe pse mendja ime i përsërit një e nga një e vazhdimisht vlerësimet e epërme për shkrimtarin e ndritur. Madje për Zija Çelën, më shumë sesa mendja, më flet zemra e shpirti.

Dhe ka arsye. Kam qenë vetëm 13 vjeç, kur e kam njohur. Isha nxënës i klasës së shtatë në shkollën dhe konviktin “Skënderbeu” të Krumës në Has. Zija Çela erdhi nga Helshani në Krumë së bashku me të shoqen, zonjën Aliqi. Ata kishin një vit që kishin mbaruar studimet e larta dhe, meqë shkrimtari kishte marrë mbi vete “barrën” biografike nga e shoqja, i kishin emëruar në një fshat, që ndante Kukësin nga Tropoja dhe ku nuk kishte as elektrifikim. Aty, nën dritën e kandilit, Zija Çela do të shkruante librin e tij të parë me tregime.

Ata jo vetëm erdhën mes nesh, por jetuan me ne në konvikt, ku kishin një dhomë e zgjoheshin me zile si të gjithë konviktorët. I kishim të dy mësuesit më të mirë të gjuhës dhe letërsisë shqipe, por edhe kujdestarët tanë më të vëmendshëm, më të dashur. Luanim basketboll e volejboll së bashku. Nganjëherë edhe futboll. Na donte, na përqafonte si të ishim të një familjeje.

Aty në konvikt u bënë me Dritanin, që edhe ne na solli gëzim. Kur prindërit ndodheshin në shkollë duke dhënë mësim, dera e asaj dhome rrinte gjithnjë çelë dhe ne e mbanim fodhnjën në krahë, luanim me të. Nëse qante dhe nuk arrinim ta pajtonim, ashtu hopa, ia çonim mësueses në klasë: “Oj zonjushë, po qan voci!”. Skena që Zija Çela i ka përshkruar në mënyrë të paharrueshme në librin e tij “Për dashurinë shkruhet pas vdekjes”.

Ne ishim adoleshentë, por të përgjegjshëm. Asokohe profesori dhe modeli ynë, Zija Çela, ishte dhe mbeti mësuesi që vuri themelet në dijet tona. Shpesh herë them se, nëse jam ky që jam sot, meritë të jashtëzakonshme ka Zija Çela. Ai nuk na kërkoi kurrë të ishim perfekt. Por na ngjizi perfeksionin në të mësuarit e të nxënit e dijes. Na dha vullnetin e leximit dhe mësimit. Na motivoi si askush tjetër për të sfiduar kohën dhe limitet e vullnetit tonë. Në një vit do të lexonim së paku 100 libra të letërsisë për fëmijë. Madje edhe romanet e të rriturve.

Zija Çela na bëri që të ishim të parët në rrethin e Kukësit në olimpiadat e letërsisë. Ishte ai që, nganjëherë, edhe në mesnatë na vinte te krevati e na pyeste nëse e kishim krijuar poezinë ose jo, nëse e kishim përfunduar leximin e librit të radhës ose jo! Ishte kërkues, ishte krijues, ishte liberal dhe na krijonte armosferën e një familjeje të përbashkët. Edhe pse ishte mësuesi ynë, nuk kishte ndonjë diferencë të madhe moshe, çka na jepte më lehtë në komunikim. Vetë mësuesi bënte shaka, hidhte batuta e kënaqej edhe nëse dikush prej nesh ia kthente po me shpoti!

Kurrë nuk u bë nervoz me ne nxënësit e klasës së shtatë e të tetë në vitin tjetër. Kurrë nuk e ngriti zërin. Prandaj asnjëherë nuk bëmë ndonjë truk për të mos zhvilluar orën e mësimit, siç bënim me ndonjë mësues tjetër, duke ia zënë sobës oxhakun për ta mbushur klasën me tym. Apo duke futur breshkën në sirtarin e shkumësave!

Zija Çela ishte ndryshe, unik, dhe i tillë mbeti edhe si shkrimtar gjatë gjithë jetës së tij. Ndoshta pse, i lindur në Shkodër, ishte fëmija i shtatë i dy prindërve punëtorë. Ndoshta se vetë ai i kishte kaluar vështirësitë e jetës njësoj si ne. Ndoshta për të gjitha këto së bashku! Por ai vetë u realizua dhe u plotësua në jetë më mirë se gjithkush tjetër, sepse gjeti fuqinë, motivin e jetës dhe u ngrit me guxim kundër së keqes, madje edhe kur humbi Dritanin e shtrenjtë, përkthyesin e paharrueshëm.

Të tilla i ka dhe veprat letrare. Në Has dhe në Kukës shkroi katër vepra, deri te “Një verë pa lamtumirë”, e cila desh e murosi me një lamtumirë të hidhur, si ajo që prodhonte diktatura! Në Helshan, Krumë dhe Kukës ndenji një dekadë, së bashku me mësuese Aliqin, Dritanin e Rivieren e vogël. Për ca kohë punoi si gazetar. Në udhën e gazetarisë më futi Zija Çela. Thonë se asgjë nuk ndodh rastësisht në këtë botë. Kjo do të thotë se jam krenar që mësuesi e modeli im i pakontestueshëm as sot pas 50 e ca vitesh ishte shkrimtari i madh, emri i shquar i letërsisë shqipe, Zija Çela.

E me këtë rast, thjesht, po vë në dukje se ai na dha ne lexuesve, 31 vepra letrare me tregime, novela e shumica romane. Na dha kumtin e krijimtarisë. Sepse në veprën e tij nuk gjen ujë të burimeve të ndryshme, ideologjike, politike apo perverse. Eshtë krijimtaria e një shkrimtari të përgjegjshëm për ndikimin e tij në publikun shqiptar. Eshtë semantika që lidh botën shpirtërore të njeriut me nevojën e formimit kulturor të kombit. Për mua, Zija Çela është shkrimtari më origjinal i tri dekadave të fundit të shekullit XX dhe dekadave të fillimit të këtij shekulli. Ta lexosh Zija Çelën ndjehesh në fund si pas një terapie psiko-analitike me Frojdin ose Jungun. Ta lexosh Zija Çelën mëson se si përjetohen kategoritë e ndjenjave njerëzore, gëzimi e hidhërimi, malli, dashuria dhe humanizmi.

Veprat letrare të Zija Çelës janë, në një kuptim metaforik, kodikë e kode të shoqërisë shqiptare. Asnjë letrar nuk ka mundur ta imitojë stilin e të shkruarit në detaje të Zija Çelës, madje është thënë se ai nuk ka as paraardhës. Zija Çela është dhe mbetet i papërsëritshëm. Unik në krijimtari, unik në paraqitjen e tij para publikut! Unik për mesazhet që jep! Unik në urtësinë dhe mençurinë e tij! Aq sa kur del në ekranet e televizioneve, tërheq menjëherë vëmendjen dhe vlerësimin e shikuesve.

Në këtë kuptim, Zija Çela na shërben edhe si modeli i ndërtimit të shoqërisë sonë. Ja përse nuk ishte e rastit qe edhe në ditëlindjen e tij ndjeshmëria e lexuesit ishte aq e ngrohtë.