-Rrëfenjë e jetuar-
Shumëkujt i kujtohet koha kur në rrugët e Tiranës autobusët e markës italiane “Viberti” ishin më të mirët në shërbimin urban. Për ato vite ishin komod dhe i vinin në ndihmë qytetarëve. Një ditë të mjegullt, por pa shi, në vjeshtën e vitit 1979, sapo dilja prej spitalit qëndror të Tiranës që akoma nuk e kishte marrë emrin “Nënë Tereza”, ku kisha parë një mikun tim të shtruar atje për kurim të gjatë falas. Shpejtova që ta kap autobusin “Viberti” dhe hyra në derën e prapme. Por pas meje erdhi nxitimthi edhe dikush tjetër që nuk ia pashë dot fytyrën. Fiksova se ishte trupgjatë e i mbushur dhe në kokë kishte rrasur një kasketë të thjeshtë gri. Ishim ngucur si dikur fishekët në vezme me ata që ishin përpara meje dhe pengonin lëvizjen. I hipuri pas meje iu ngjesh trupit tim dhe sa desha që t’i them fjalën “kujdes”, shoferi, që kish futur marshin për lëvizje, bërtiti:”Ti atje në fund, fute këmbën brenda se ke penguar derën të mbyllet!” Ai në vend të fuste këmbën, zbriti e doli duke munduar të ruante ekuilibrin në rrugën e madhe. Dera u mbyll dhe unë instinktivisht shtira dorën në xhepin e pasmë të pantallonave ku mbaja një biçim portofoli. Nuk ishte! Tëmthat filluan të më rrihnin me furi. Një angushti e jashtëzakonshme më kaploi të tërin dhe nisën të më bien djersë të ftohta. I qava edhe kursimet e mia prej 29 mijë lekësh! Le ato po më humbën edhe dokumentet! Ktheva trupin, hodha shikimin përtej xhamave dhe vura re se ai që duhej të ishte “vjedhësi im” po ecte normalisht në rrugë drejt klubit të vetëm, që kishte ai kryqëzim rrugësh. Shpresëhumbur i them fatorinos” të lutem, ndale autobusin se ai që zbriti kur foli shoferi më ka vjedhur lekët me gjithë dokumentet e mia”. Ky i tha shoferit dhe ai, ndonëse jashtë rregullave, ndaloi. Zbrita dhe ndërkohë vura re se ai burri me kasketë gri, me qetësi po futej në klub. Trotuari ishte thuajse pa njerëz. Çapita kujdesshëm drejt lokalit të pijes pa ia ndarë sytë kasketëmbajtësit. Hyra duke u munduar për të ruajtur qetësinë. Vërejta se qytetari që po ndiqja ishte shumë më i fuqishëm se sa unë, mjaft i qetë dhe i qeshte fytyra. Po thurja planin sesi do ta kapja për krahu, t’i thosha se më kishte vjedhur se …por ai mund të më mbyste mua shkurtapecin dhe për më tepër që nuk kisha asnjë dëshmitar.Ai porositi një kafe e një fërnet dhe qëndroi tek banaku. Unë u ula në një tavolinë pranë derës së daljes pa ia ndarë sytë. Sakaq,befasisht e për fatin tim, brofi brenda në klub një polic trupmadh nga ata të postës së policisë së spitalit, me uniformë të rregullt, me pistoletë e pranga në brez, të cilit mesa duket, i kishte vajtur në majë të hundës për cigare ngase që në hapat e para i kërkoi me zë të lartë banakierit një paketë “Diamant”. Fërnetpirësi ktheu kokën nga erdhi zëri për paketë dhe sa e pa që ishte polic, pagoi fët e fët, rrëkëlleu gotën e fërnetit dhe bëri të dalë. U ngrita dhe i tregova policit shkurt e shpejt hallin tim. Ai më besoi dhe më porositi: Shko në rajon tek Rruga- Ura, rri aty brenda në dhomën e pritjes, që të marrësh përgjigjen. Furishëm doli, e mbërtheu qytetarin për krahu dhe i tha :”Do shkojmë në rajon”. Unë u struka në cep brenda klubit. Qytetari refuzoi, por më kot. M ‘u desh të prisja vetëm ‘ gjysmë ore në rajon, sa mbaruan veprimet ligjore policore. Erdhi polici i plotfuqishëm i lagjes, i cili më dha portofolin me ato që kishte pasur brenda. Pashë se mungonin vetëm lekët që ai kishte paguar kafen dhe fërnetin. Polici më tregoi se qytetari qe një hajdut i njohur xhepash, ndaj u mjaftuan me “këshillimet” që të mos e përsëriste fajin. Në oborrin e rajonit ‘hajduti im’ po shoqërohej në dalje nga polici roje. Sa më pa, me një vështrim ngultazi në fytyrë, ku mund të lexoje pendesë, qëndresë, humor dhe shpresë, m’u afrua e me shikim edhe nga polici, tha:”O shok-o, hajde bashkë me policin të pimë një kafe se më mbeti pa pirë ajo që pagova me lekët e tua!” E takova rastësisht ‘hajdutin tim’ pas dhjetë vitesh kur sapo isha kthyer në kryeqytet. Më ftoi të pinim kafe!? Ishte veshur thjeshtë e hijshëm dhe po dyshoja a është ai apo dikush tjetër? Biseduam gjatë si miq të vjetër. Ishte punësuar saldator. I martuar me dy fëmijë. Kish marrë shtëpi nga ato me kontribut vullnetar. Së fundmi më tha:” Vetëm dashuria e çiltër e asaj vajze që u martova dhe puna me disiplinë në ndërmarrjen elektrike ma hoqën vesin e përtacisë dhe hajdutërisë”.Duke sjellë ndërmend këtë ndodhi them me veten time: Eeeeh, sa shumë ka ndryshuar tani pas 57 vjetësh, mënyra e dhënies së kafes nga “vjedhësi yt!?”Hajdut, imoral e kriminel, sot mund të jetë kushdo, i panjohuri, i njohuri, i dashuri,e dashura, polici, ministri, komshia, madje edhe fëmija. Dhe kafeja mund të të jepet në formën e drekës ose grushtit, të kërcënimit, thikës ose plumbit apo edhe sipas vendimeve të qeverisë e gjykatave, që mbajnë vetëm aromën e hajdutërisë!
ILMI S. QAZIMI




















