Suplementi Pena Shqiptare/ Hyqmet Hasko: Shpirti i zbrazur i njeriut të vogël

527
Sigal

Zbrazëtia e njeriut nganjëherë si plumbi të vret,
dhe frymën ta merr si vapa e një muaji të nxehtë,
Se shpirti i njeriut të vogël e ka fundin krejt të zi,
që të krijon një jetë fare boshe dhe pa lumturi.

Na ndodh të shikojmë shtëpi të braktisura,
ku gjithçka brenda tyre është e vdekur,
aty dhe heshtja kalon momente të krisura,
ngurtëson shpirtra, dhe pse e vogël ka mbetur.

Por shpirti i zbrazur i njeriut te vogël kërkon të flasë,
dhe pse askush s’i përgjigjet veç smirës së vetvetes,
oshtima e zërit të saj dhe malin e kthen mbrapsht,
njeriu i vogël veç besnik i zbrazëtirës së tij mbetet.

Shpirti i zbrazur i një njeriu të vogël tremb dy vetë,
ashtu si pushka që është destinuar të marrë dy jetë,
Zbrazëtia është si një dhomë pa ajër që të mbyt,
si errësira e natës së përjetshme që ka i verbëri te sytë.

Në shkretëtirën e njeriut të vogël, stuhi rërë ka,
dhe aty nuk lulëzon as më e thjeshta bimë…
Të jetosh ne atë botë mundësitë janë të pamundura,
tek zbrazëtia e një shpirti nuk gjen njeriu-njeriun.

Njeriu i vogël end dhe end pa prehje, pa pushim
pëlhurën e mërzisë që nuk i vlen jo as atij vetë…
Dalldinë e kotësisë e ngre në kult dhe adhurim
mbi thumba vogëlsirash bie e ngrihet në këtë jetë…