Këto ditë doli në treg libri i fundit i Ilir J. Hoxha, “My Love”. Është një mixer i krijimeve të autorit, që ka në përbërje poezi dhe tregime, të cilat janë krijuar në kohë të ndryshme. Autori pas një eksperience të gjatë në “publicistikën” sportive, vjen me një risi në këtë krijimtari artistike. E pranova me kënaqësi kërkesën e mikut tim Ilirit, për t’i dedikuar parathënien këtij volumi modest. Në fakt isha i “përgatitur” që këtë parathënie t’ja dedikoja për romanin në proçes “Shtatorja”, të cilit duke ja njohur subjektin po e prisja me kërshëri për të parë zhvillimin artistik të atij subjekti tejet interesant. Deri tani autorin e kemi njohur të aplikojë vetëm letërsinë “sportive”, nuk është ndonjë afeksion specifik i tij. E vetmja arsye që ka përzgjedhur deri tani këtë lloj zhanri, është eksperienca e gjatë si gazetar dhe komentator sportiv. “My love” është një libër modest që ka në përbërje një tufë poezish të krijuara ndër vite nga Iliri si dhe një set tregimesh të një “zhanri” metaforash diversive. Krijimet poetike të Ilirit, janë lirika që shfaqin përjetime të ngjarjeve që ai i ka përjetuar në kohë dhe situata të ndryshme. Ajo që më “krenaron” me krijimet e Ilirit është “fanatizmi” i tij për të ruajtur “virgjërinë” krijuese. Në kohë reale ai i ka hedhur ato krijime pothuajse “taze”. Jo se nuk mund t’i ripunonte, por e ka menduar se duke i ripunuar do t’ju cënonte atë që ka ndier dhe përjetuar në çastin e krijimit, kudo ku është ndodhur në lokal, zyrë, udhëtim apo anëdeti etj. Janë krijesa emocionuese apo “democionuese”, që gjithsesi në të dy kahjet e “medaljes”, kanë prodhuar muzë, kanë prodhuar vargje interesante. Libri është i thjeshtë dhe i menaxhueshëm. Perceptohet “me shikim” të parë, dhe të “rrëmben” ta përfundosh që me takimin e parë, falë edhe madhësisë modeste. Autori është kujdesur që poezitë të jenë sa më lakonike, duke përdorur varg të thjeshtë, të shkurtër dhe metaforik.