Suplementi Pena Shqiptare/ Në shtëpinë e Dritëro Agollit

513
Nga Miltiadh M. Muçi
Kisha arritur në pjesën përfundimtare të monografisë “Lekëljotët të lashtë sa Lekli”, kapitulli i pesëmbëdhjetë: “Historianët, arkeologët, shkrimtarët dhe gazetarët për Leklin e lekëljotët”, me të cilin kam dashur t’i tregoj lexuesit, se unë lekëljoti, mjaft kisha shkruar për fshatin tim Leklin, dhe bashkëfshatarët e mi, ndërsa edhe më e rëndësishme ishte, se çfarë kishin shkruar të tjerët, për t’u bërë jo vetëm sa më i besueshëm, por sa shumë interes ata kanë treguar ndaj Leklit e lekëljotëve.
Thoma Papapano, mësuesi i brezit më të fundit të rilindësve shqiptarë, ka qenë lekljoti që i ka dhënë mësim dy korifenjve të letërsisë shqiptare, Dritëro Agollit dhe Ismail Kadaresë. Ai ishte një nga nismëtarët e hapjes së shkollës së parë shqipe, fillimisht në qytetin e Gjirokastrës dhe më pas në Labovën e Zhapës, të filantropëve më famë botërore, Vangjel e Kostandin Zhapa. Por, ai ka qenë dhe aktivist i pa përmbajtur i shpalljes së pavarësisë, dhe më pas i qeverisë së Vlorës, ne fushën e arsimit dhe të diplomacisë, duke u bërë pjesë e delegacionit që shkoi në disa kryeqytete të Evropës, të sensibilizonin qeveritë e tyre për mbështetjen e Shqipërisë. Po kështu në 1918-ën, ai priti e shoqëroi në jugun e Shqipërisë konsullin amerikan në Romë, që me porosi të presidentit Uillson të kontaktonte me shqiptarët, për të biseduar rreth tokave të synuara nga vendet fqinjë të veriut dhe jugut. Kontributet më të mëdha Thoma Papapano, “Mësues i Popullit”, i pati në fushën e arsimit, duke qenë pjesëmarrës në të gjithë kongreset, të Elbasanit, Lushnjës dhe Tiranës, nga nuk u shkëput asnjëherë sikurse qytetit ku kishte lindur dhe ishte rritur, Gjirokastrës. 
Dritëroin më duhej ta takoja, të bisedoja, t’i kërkoja çfarëdo që do të dëshironte të më tregonte për mësuesin e tij të letërsisë, Basho Thomanë. Kisha dëgjuar dhe pata bindjen se biseda me të do të ishte pa emocione, duke u ndodhur para këtij personaliteti të letrave shqipe, por vështirësia e madhe ishte se jashtë shtëpisë nuk do të mund ta takoja, pa tjetër më duhej t’i bëja një vizitë kur nuk e kisha takuar ndonjëherë më parë, pale t’i shkoja në shtëpi. Më të vështirë e kisha të takoja Kadarenë, sepse më duhej të paktën të kërkoja mendimin nga njëri prej tyre. Edhe pse vërtetë nuk e kisha të lehtë me asnjërin, vendosa t’i shkoj në shtëpi Dritëroit të Madh. Shtypa butonin e sinjalit të ziles dhe nuk po besoja sa shpejt dhe lehtë u hap ajo derë e shtëpisë së tij, si të hapej vetë dhe jo nga Sadia apo person tjetër i rastit, vizitor. 
U prezantova vetë dhe qëllimin e vizitës. Dhe reagoi menjëherë. U ngrit për të kujtuar diçka, mendova unë, duke e vënë në siklet sa të vështirë do ta kishte për ta kërkuar e gjetur atë për çka u kujtua. Veçse kur erdhi me dy fletë format libri, pa hezitim m’i ofroi ato, sikur t’i kishte bërë gati e më priste për “porosinë”. I dha tërë kënaqësi e dashuri, respekt për mësuesin Basho Thomanë dhe mua bashkëfshatarin e tij, edhe pse nuk e kisha parë ndonjëherë. Nga të gjitha, në ato pak minuta kuptova sa shumë iu bë qejfi, që shkrimi i tij i botuar në një nga numrat e gazetës “Zëri i Popullit”, pa u bërë akoma “kryegazetar” i saj, të ishte pjesë e monografisë “Lekëljotët të lashtë sa Lekli”. Ato dy fletë kuptova se i “grisi” nga një kopje e botimit të librit të tij, për të m’i dhënë mua, neve lekëljotëve. E falënderova shumë, i kërkova edhe falje ndoshta për shqetësimin, por sa kuptova “nuk i erdhi mirë”, dhe ai më falënderoi për çka përgatitesha të bëja edhe për mësuesin e tij, të paharruarin Thoma Papapano, sikurse do të mbetet Dritëroi për shqiptarët. 
Ja çfarë kishte shkruar për mësuesin e letërsisë, kur ishte akoma nxënës i tij: 
Ne nxënësit e tij në një natë të gëzuar 
Unë gjithmonë kështu e mbaj mënd, gjithnjë me ato syze të bukura, gjithnjë me atë fytyrë të pastër, gjithnjë i rruar, me kravatë, me çantë. Se mos vetëm unë Ecën në kalldrëm duke trokitur këpucët që shkëlqejnë. Ecën bukur, i menduar, i qetë. Gjithë burrat e gjithë gratë në moshë gjer në gjashtëdhjetë vjeç, që ecin në këto rrugë me kalldrëm të qytetit, ndofta kanë qenë nxënësit e Basho Thomait mësuesit thuaj më të vjetër të Shqipërisë, që dhe në 31 dhjetor në mëngjes, ditën e fundit të 1964-s ngjit shkallët e shkollës “Asim Zeneli” në Gjirokastër … Mijëra nxënës e kanë dëgjuar Thoma Papapanon. E ku nuk janë ata, çfarë s’bëjnë, çfarë mjeshtërish s’kanë. Fluturojnë nga qytetet dhe fshatrat, nga kasollet e barinjve në veprat e ndërtimit, universitetet dhe shkollat, nga malet e fushat kartolinat e letrat, dhe postieri i troket në portë Basho Thomait. 
– Basho Thoma, jam unë – thotë ai – Sot një vandak me kartolina të kam sjellë. 
– Jo vandak, o i bekuar. Si gjeta një fjalë të bukur thotë Basho Thomai dhe i hap në tavolinë, kartolinat e letrat. Ai prapë ngjit shkallët e gurta të shkollës… E vështroj mësuesin tim, e vështroj me dashuri dhe kam dëshirë të shkoj krah tij të flas me të, të hesht me të e të dëgjoj trokitjen e këpucëve të tij.
E vështroj mësuesin tim me mall dhe nuk dua që ai të plaket, dua ta mbaj mënd si ditën e parë të shkollës, si natën e parë të atij Viti të Ri, kur ai festonte bashkë me ne, gëzohej me ne. Po, ai ashtu do të mbetet në sytë tanë, në sytë e ish nxënësve të tij. Gëzuar Vitin e Ri, Basho Thoma!
Sigal