Suplementi Pena Shqiptare/ Gjikë Kurtiqi: Një libër i ri dhe një përshëndetje për Vitin 2024

48
Sigal

Kohët e fundit doli nga shtypi libri më i ri me fabula të zgjedhura dhe të reja i autorit Gjikë Kurtiqi, titulluar “Mozaik”, përgatitur me rastin e 80-vjetorit të lindjes së tij. Me gjuhën e personifikuar të kafshëve, përmes satirës dhe humorit të hollë, fabulisti i mirënjohur prek dukuri që cënojnë moralin shoqëror, godet vese njerëzore dhe zakone negative frenuese ndaj realiteteve, përparimit e zhvillimeve. Shpesh, duke qëmtuar urtësinë popullore, autori stilizon në vargje me origjinalitet të spikatur, me fjalor të pasur e të ngjeshur, fabula, epigrame, tipa dhe karaktere njerëzore.

Dhe vjen ky libër i ri në prag të ndërrimit të viteve 2023 e 2024 si një përshëndetje e ngrohtë urimi për dashamirësit, lexuesit e kësaj gjinie dhe gjithë shqiptarët e kudondodhur nëpër Botë.

Gëzuar 2024! Mbarësi e përparim për shoqërinë dhe Kombin shqiptar, për të gjithë!

Botimet Finoku

Shoqata Kulturore “Naum Veqilharxhi”

***

Dy fabula dhe dy epigrame shkëputur nga ky vëllim:

Fabula

Shporta me karavidhe.

Karavidhet në shportë

qenë bërë lesh e li.

Tha zëdhënësja në konferencë:

“Jetojmë në harmoni!”

***

Këmisha dhe Lëkura

Në Parlament ditën e mërkurë

Këmisha debatoi me një Lëkurë:

– Unë – tha Këmisha e blerë

nga ti kam më shumë vlerë.

– Ke të drejtë – pohoi Lëkura.

Në këtë Parlament ka shumë burra,

që u vlen më tepër Këmisha nga Lëkura!

***

Epigrame

Një shitësi të djathit

nuk e dimë ku e ke mësuar

marifetin që s’e dije…

Djathin e qumështit pluhur

ti e shet për djathë dhije.

***

Dyshimi i një kritizeri

edhe më parë e kam theksuar,

për Vitin e Ri kam konsideratë,

por prapë le për të dyshuar

ardhja e tij në mesnatë!..