Suplementi Pena Shqiptare/ Gëzim Zilja: Skënder Kamberi, Piktor i Popullit

263
Sigal

E njoh Skënder Kamberin që para dyzet vjetësh, kur ishte shumë i ri por fama në Shqipëri i ishte përhapur me kohë. Me shumë drojtje, asoherë sa kisha mbaruar Shkollën e Lartë dhe isha emëruar mësues në shkollën “Jani Minga”, i shkova në studion e tij të famshme  aty afër, në anë të rrugës automobilistike. Iu prezantove dhe i parashtrova kërkesën time për të zhvilluar një bisedë për pikturën me një klasë djemsh të shkollës mjeksore.

“Pranoj me kënaqësi” më tha. “Pse jo, janë fëmijët tanë.” Meraku im ishte se fëmijët kryesisht pesëmbëdhjetë vjeçarë, vinin nga rrethinat dhe fshatrat e thella dhe me ta duhej folur shumë thjesht. “Skënder,” i them, i merakosur. “Shiko, e di si është puna, ata fëmijë nuk kuptojnë fare nga piktura. Po pate mundësi  thjeshtoji pak gjërat. “ Për këtë merakosesh ti Gëzo,” më hodhi dorë mbi supe Piktori i Madh me një buzëqeshje njerëzore që nuk i ikën kurrë nga fytyra. “ E zgjidh unë atë punë. Do të m’i biesh në studio dhe ma lerë mua në dorë gjithçka.” Ai takim edhe pse kanë kaluar gati dyzet vjet ngeli i paharruar për të rinjtë e asaj klase, (më vonë shumë nga ata u bënë mjekë me emër dhe shëtitën botën), për mua por edhe për vet Skënderin. Me mënyrën e tij, Piktori i magjepsi me fjalët dhe sjelljen, megjithëse studioja gjysëm e suvatuar nga brenda e muret e rrjepura nga jashtë mezi i nxinte ata tridhjetë adoleshentë. “ Unë jam nga fshati, jam nga Kuçi i Vlorës. Mos më shikoni kështu me penel në dorë, me beretë e kollare. Fshatar jam unë si ju, ama kam punuar, kam punuar si “derr” ( fëmijët u gajasën së qeshuri) për t’u shkolluar dhe siç e shikoni, punoj e studioj ende. Asgjë nuk bie nga qielli. Natyrisht që mua talentin ma fali zoti, por ama kam pasur shokë më të talentuar dhe nuk arritën të shkojnë më tutje se një mësues vizatimi. Prandaj fëmijë punoni të bëheni mjekë se për mua mjeku është një artist, që ta ndihmoni këtë vend që ka shumë nevojë për ju.” Shpjegoi me fjalë të kursyera, që piktura është ngjyrë, është emocion, është krijim, është vëzhgim, mesazh, por nuk zuri në gojë Piktori i Popullit as fjalët “parti” as “Enver” e as “mësimet e partisë”, që për atë kohë ishte detyrim. Ndërkaq me një laps mbi telajo shkarraviste papushim ndërsa fliste. “ E dini pse është e bukur piktura edhe kur e bën me laps mbi fletë të bardhë? Pse aty mund të pikturosh edhe këtë mësuesin tuaj të ri ashtu si ju nuk e njihni.” Mori letrën e bardhë dhe e ktheu nga nxënësit, që shpërthyen si një gojë e vetme në të qeshura të zhurmshme. Ishte nga ato karikaturat miqësore që piktorët i krijojnë shpejt e shpejt, ama duke theksuar në mënyrë të ekzagjeruar diçka nga karakteri i njeriut që vizatojnë. Nuk u ndamë më me Skënderin, qysh atëherë. Sidomos pas vitit 97-të, mbasi na “përzunë” nga Vlora.

Në vitet 2000-2007  kishte një studio aty pas Kishës Katolike, në rrugën “Him Kolli.” Ishim përkohësisht komshij, ai në një studio me qera, unë gjithashtu në shtëpinë e pestë me qera. Shpesh vinin dhe të tjerë veçanërisht, miku ynë i përbashkët, piktori Nestor Jonuzi, nja katër a pesë vlonjatë dhe bisedonim për gjithçka: për pikturën, letërsinë, artin, dhe natyrisht për mallin tonë të përbashkët, Vlorën tonë të dashur. Pasi rrëkëllenim ca gota Skënderi, merrte kitarrën që e mbantë gjithmonë në studio dhe këndonim.  Kënga duhet thënë na shkonte “gjym.” Kur e gjeja vetëm të kredhur në punën e tij, hapja derën me kujdes dhe ulesha mbi një karrige shtrembaluqe, pa folur. Ndodhte që prisja edhe një orë, duke e soditur ndërsa punonte pa kthyer fare kokën. Për mua ishte kënaqësi e pafund, kur e shikoja ashtu me penel në dorë, herë duke iu afruar, herë duke iu larguar telajos, duke picëruar sytë, duke pëshperituer me vete. “Më fal Gëzo, se isha duke punuar. Ke shumë që ke ardhur?- me fliste gjithë dashamirësi. “Tani sa erdha”, përgjigjesha. “ Po ti vazhdo, puno!”  “Po si do të punoj unë,” më thoshte “kur më ka ardhur mysafir një shok?” Mbushte pa më pyetur dy gota me “ujë të bekuar”, vendoste mbi tavolinën të vogël e të vjetër, (edhe ajo si karrigia shtrembaluqe) dy pjata, një me bajame (ndonjëherë mjaltë) një me arra dhe opa: “ Hajt gëzuar, mirëse më erdhe!”. Një njeriu të tillë është e kotë t’i bësh naze, t’i thuash, do rri pak, nuk pi raki, kam një punë etj. etj. Mundohesha gjithë takt ta “vërtisja” që t’i merrja (i kam “marrë” disa të tilla) ndonjë pikturë me çmim të arsyeshëm. Skënderi e pikaste dhe më thoshte: “Të pëlqen? Merre! Jep sa të duash, kur t’i kesh.”  Mundohesha (dhe mundohem) të mos përfitoja nga bujaria dhe shpirtëmadhësia e tij jo e zakonshme, sepse e dija që ai pas viteve ’90-të, veç shitjes së pikturave nuk kishte të ardhura të tjera. Dhe kishte halle që ai nuk i thoshte por unë ia dija dhe kërkonin shpenzime të mëdha.

Dy tablo të tij, që i kam ndjekur nga A-ja te Zh-ja, do të më ngelen në mendje. “ Otranto 1997” dhe “Skënderbeu mbi kalë.” Sa herë që hyja në studio, kur punonte tablonë, “Tragjedia e Otrantos” e gjeja shumë të ngrysur dhe të trishtuar…  Shikoja detin e egërsuar me atë blunë e shkumbëzuar dhe njerëzit me sy të “shqyer” si kryqe të mëdhenjë e të vegjël, që zhdukeshin dalëngadalë nën sipërfaqen e errët e të trazuar të ujit të kripur. Nga tabloja transmetohej një dhimbje që vështirë të mos e kuptoje, gati e papërballueshme. “ Skënder,” i thashë një ditë: “ Kaq shumë vuan? Kaq afër e ndjen vdekjen, që hedh në telajo vetëm ngjyra të errëta, njerëz me sy të venitur dhe ata trupa, të deformuar nga dhimbja, që duken se i janë dorëzuar vdekjes  pa bërë asnjë përpjekje për të shpëtuar? “Kam gruan, Lilon, shumë sëmurë, Gëzo,” më tha me sytë e përlotur. “Lilo do të shërohet” i thashë për t’i dhënë kurajo. “Por ngjall një fije shprese te ata që po mbyten, jepu pak dritë ngjyrave se ka dalë gjithçka gri në të zezë. Ti e di që ata nuk u mbytën të gjithë dhe disa shpëtuan.” Falë zotit Lilua, gruaja e tij e mrekullueshme me kurajon e saj prej trimëreshe, me ndihmën e jashtëzakonshme të Skënderit dhe të fëmijëve e përballoi me sukses sëmundjen, por në pikturën “Otranto1997” mbeti ai pikëllim  i madh gri, që të jep përshtypjen se për një çast jeta ka ndaluar.

“Gëzo nuk është Skënderbeu. Ky është Shën Gjergji. Kam studiuar shumë  për Skënderbeun para se të filloja ta pikturoja. Madje edhe në gjermanisht dhe ky është ai i vërteti që unë përfytyroj. Do ta vesh të gjithin në ar, në flori, që ndriçon kur kalon dhe i jep shpresë njerëzimit.” Dhe ashtu e bëri ai Heroin Kombëtar në një telajo të madhe me madhësi natyrale. Një Skënderbe si në asnjë pikturë tjetër. Jo trupmadh, i bërë njësh  me kalin e vet, që i lëshonin xixa  patkonjtë, duke fluturuar mbi ushtrinë turke, një Skënderbe duke mbjellë vdekjen ndër armiqtë, lavdinë për vete dhe kombin, me shpatën kërcënuese në krahun e zhveshur, me flokët e gjata pak të thinjura të valëvitura nga era, me hundën shqiponjë në profil, flamurin e shpalosur me një të kuqe të papërsëritshme dhe shkabën e zezë në mes… Një figurë e gjitha në ar që tejkalon kohën dhe shndrit e shndrit pambarim. Sa herë kaloja nga studioja gjeja gjithmonë detaje të ndryshuara. “ Sikur e kishte pak të harkuar shpatën tani e ka shtrirë plotësisht,” e ngacmoja. Fillonte pastaj të më shpjegonte me një pasion të madh, karakteristikë e shpirtit të tij optimist, pa u ndalur, që pse shpata në atë rast duhet të jetë jo e harkuar, por drejt qiellit, që ka filluar të hapet në blu pas shpërndarjes së tymit e zjarrit, se po kalon ai ‘Shën Gjergji” “zulmëmadhi”me shqiptarët e vet dhe prapa tij ka vetëm “fitore” dhe “diell”. Kështu ka pikturuar, pikturon dhe do të pikturojë miku im, Piktori i Popullit, Skënder Kamberi edhe tridhjetë, edhe shtatëdhjetepesë edhe njëqind vjeç. Këto rreshta  janë një portret i “vockël” për një Piktor e Njeri të Madh si Skënder Kamberi. Jeta e tij është një tablo gjigande, ku miqtë dhe studiuesit mund të hedhin pambarimisht ndonjë “penelatë.”, është si një pazëll që do të vazhdojë të plotësohet e plotësohet nga këto penelata plot ngjyra, jetë e kujtime, ku të spikasin vlerat, dashuria për artin, njerëzit dhe qytetin e tij të dashur Vlorën.