Suplementi Pena Shqiptare/ Poezi nga Enkelejda Kondi

252
Sigal

Në kujtim të saj

Në kujtim të saj

Do të vë në tryezë trëndafila të kuq

Për ta ngjallur sërish imazhin e saj.

 

Në kujtim të saj

Do të shoh ëndrrën më të bukur si në legjenda,

Të ndiej shpirtin e saj të ngurtësuar në jehona mitesh.

 

Në kujtim të saj

Do të shkruaj data

Në brigje të largëta, në blu të frikshme.

 

Në kujtim të saj

Do të pushoj së shkruari, do të përpij errësirën,

Do të hesht e do të shkrihem në vaj të përjetshëm.

 

 

Endacakët

 

Në fytyrën e një qeni endacak

Sytë mbajnë dhimbjen e vetmisë,

Frikën e rrugës, ankthin e braktisjes.

Rruga është e frikshme,

Nata është e ankthshme.

 

Po njëlloj dhe fytyra e një endacaku human që sapo ndesha:

Shikimi qe bosh,

Në ato pasqyra shpirti që nuk mund t’i fshehë dot

Pashë dhimbje, ftohtë, uri…

Pashë indiferencën, pafuqinë për të bërë diçka për ty.

Pashë thirrjen time të mbytur në zhurma darkash e trokitje gotash…

 

Të përqafuar frymë më frymë,

Duke ngrohur njëri-tjetrin,

Mëngjesi i gjeti ashtu tok, të dy endacakët:

Njeriun dhe qenin!

 

 

Po shkoj

 

Po shkoj…

Me vete po marr mbrëmjen në xhepa,

Duart struk në ta,

Shkërmoq me mollëza trishtimin në thërrime urtësie.

 

Po shkoj…

Qesha fort, qava me ngashërim,

Por tani ndihem e askujt.

 

Po shkoj…

Dhe me vete po marr buzëqeshjen tënde,

Të fundit ngërç të sforcuar.

 

Po shkoj…

Qiellit do të harrohet çdo kujtim i yni,

Kur moti të vajtojë e t’gëzojë në ekstazë sezoni.

 

Po shkoj…

Dhe e di se kthim nuk ka për  të dy!