Suplementi Pena Shqiptare/ Gëzim Zilja:  Shënime rreth librit “Rrëfime për njerëzit dhe lulet” të Astrit Xhaferit

567
Sigal

Në qytetin tim bregdetar, që shtrihet në dy dete, ka shumë shkrimtarë, poetë, piktorë e skulptorë. Jo pak syresh njihen në të katër anët e Shqipërisë madje në Europë dhe përtej Oqeaneve. Janë të shumtë, të vjetër e të rinj. Të tjerë jo aq të njohur promovojnë librat ose veprat e tyre të artit ( nuk mendoj se ka qytet tjetër në Shqipëri të promovojë aq shumë ekspozita arti e librash brenda një viti) në qytetin e tyre pa shumë bujë, pa trokitur e lutur në dyert e redaksive, televizioneve apo poetëve e shkrimtarëve “të mëdhenj” për të shkruar diçka, për ta shfaqur në TV, apo për tu bërë një parathënie me firmën e tyre për librin e shkruar. Mungesa e publicitetit  për ekspozitën apo librin, bën që vëmendja e publikut të mos jetë e madhe. Atje në galeri apo sallën e promovimit të librit kur i takon e i uron thonë vetëm fjalët: “Faleminderit që ishit këtu sot! Ndjehem shumë i nderuar nga prania juaj!”. Gjithsesi, një zambak, një trëndafil a manushaqe, njeriu e dallon edhe kur ndodhet mes ferrave apo fshehur shkurreve. Astriti Xhaferi  ma dhuroi këtë libër një ditë gushti në një nga baret e njohura të bregdetit. Më përshëndeti, me pa me ata sytë e tij të butë e pak të trishtë ( ndoshta nga që është i dashuruar me lulet mendoj tani që lexova librin) dhe më tha: Lexoje kur të kesh kohë!” Vetëm kaq asnjë fjalë tjetër. Edhe kur u takuam disa herë të tjera ai nuk më pyeti si bëjnë shumë të tjerë nëse e lexove,  nëse të pëlqeu etj. etj. E lashë librin diku në shtëpinë e simë mëje pa e ditur që kisha në dorë një krijim, që do të më çonte një botë pothuaj fare të panjohur.

Të shkruash një  libër mbi lulet, një libër krejt ndryshe, nuk është aspak e lehtë. Duhet të jesh i dashuruar me lulet, të njohësh jetën dhe prejardhjen e tyre, të kesh pak nerv shkrimtari a poeti, ta shkruash atë jo rastësisht, të njohësh gjuhën e luleve, mardhëniet e tyre me njerëzit … e kështu pa mbarim. Jo një libër mbi të dhënat e një luleje ose peme zbukuruese. Libra të tillë ka pasur e do të ketë me mijëra sepse  kanë të bëjnë me shtimin e llojit të drurëve dhe luleve zbukuruese  por sigurisht edhe me botën e biznesit. Fjala vjen, trëndafilat e tulipanët, lulet më të kërkuara për të dashuruarit kultivohen me miljona dhe shpërndahen në të gjithë botën. Për ta ka manuale të panumërt: si t’i mbjellim, kultivojmë e tregëtojmë, kjo e parë jo vetëm në ndihmë të të dashuruarve, e zbukurimin e mjedisit por edhe në dritën e një biznesi të mirfilltë. Krejt ndryshe ndodh me autorin Astrit Xhaferri dhe librin e tij të mrekullueshëm “ Rrëfime për njerëzit dhe për lulet”. Ai lulet dhe pemët dekorative na i sjell nën një këndvështrim të posaçëm: jo vetëm të bukura e delikate, që ia lehtësojnë njeriut jetën dhe ia zbusin ndjenjat. Lulet e pemët  ai i ka paraqitur si njerëz me historinë e tyre të lindjes dhe të vdekjes. Madje në shumë raste ato arrijnë të flasin e të bashkëbisedojnë me autorin.

Në tregimin “Dega e trëndafilit” ai me një gërshërë në dorë drejtohet të presë disa lule të kësaj bime me bukuri të rrallë për të bërë një buqetë . Lulja e famshme për bukurinë e saj flet dhe ai dëgjon i befasuar: “ Oh! Mos më dëmto në je njeri i mirë!…A e ke parë vazhdën që lë nga pas një yll që digjet? A e ke parë shkrepjen e rrezeve të dritës mbi pendët e kanarinës apo palloit? Ashtu janë ato. Prandaj hiqe nga dora atë gërshërë. Mos më dëmto në je njeri i mirë…Kjo ishte fraza e fundit nga biseda në ëndërr me degën e një  trëndafili… fq.29.” Astrit Xhaferri i dashuruar marrëzisht dhe përjetësisht me trëndafilin ( dhe të gjitha lulet e pemët e tokës) i kthehet sërish atij, në tregimin tjetër “Gjuha e trëndafilit” (fq 181). Ai shkruan: “… Unë nuk e di se ku ka lindur gjuha sumere ose gjuha esperanto por ku ka lindur gjuha e trëndafilave ka kohë që e kam mësuar. Ajo ka lindur në Shiraz të Persisë, për të rjedhur më vonë në Babiloni, Egjipt dhe në të gjitha anët e botës…” Dhe sqaron me atë stilin e tij gjysëm Çehovjan (pak të trishtë) të kombinuar jo rrallë edhe me atë ala Cvajg (filozofik) se trëndafilat u shpikën dikur, që njerëzit të gjenin një mënyrë më të rafinuar, më romantike, për të shprehur dashurinë. Nëse i fal vajzës një trëndafil të kuq dhe ajo të dhuron një të tillë do të thotë se edhe ajo të do. Nëse vajza të dhuronte gjethe trëndafili nuk dëshironte, nëse të dhuronte tëndafil të bardhë  nuk ishte e rritur ende; dhe trëndafili i verdhë ishte përgjigja se nuk kishte besim. Çështje trëndafilash, çështje delikate, çështje zemrash që lidhen ose jo. Dhe çfarë fisnikërie ndjenjash, çfarë respekti për vajzën e dashur që edhe pse nuk pranoi dashurinë e djalit sepse i dhuroi sërish një trëndafil. Kështu janë pothuaj të gjitha tregimet e këtij libri, ku jeta e luleve dhe e pemëve lidhet pazgjithshmërisht me atë të njeriut. Nuk të hiqen nga mendja tregimet “Shelgu” “Lulja që qan” “Gipsofila e Shën Valentinit” “Ceratonia” etj. Në tregimin për pemët do të veçoja (sa keq që më duhet të zgjedh!) atë me titullin “Shelgu”. Edhe këtu kemi një bisedë të gjatë e mjeshtri të luleve (autorit) me shelgun: “ Nuk e kemi të qartë mjeshtër nëse ju e dini se nga rrjedh ky merak, ky trishtim, kjo dhimbje e dashuri njëherësh, që ne e shprehim dhe e derdhim me tepëri në shpirtrat tuaj. E kemi trashëgim nga Babilonia… fq,35”. Astriti vazhdon pastaj me historinë e shelgut pse ai është aq i brishtë, pse zgjatimi degëve të tij drejt tokës ka ngjashmëri me lotin, pse është i pikëlluar, pse ka aq shumë dhimbje e trishtim në atë përkuljen e tij të përjetëshme drejt tokës etj etj…

Çdo tregim të mahnit me mënyrën e thurrjes, me njohuritë e jashtëzakonëshme të autorit për lulet e pemët, me mënyrën sesi ai realizon një trinom të pandarë lule-pemë, njeri, mjedis.  Aq shumë i do lulet e pemët ky njeri sa arrin të “përleshet” edhe me fshesarët e rrugëve. Shprehet: “ Vjeshtave zemërohem shpesh me fshesaret e natës. Më vjen tu bërtas…Sa nxitojnë këta fshesarët, psherëtij. Janë mësuar të pastrojnë gjithçka që u del përpara. Fshesarët fq.30.” Fjala është për gjethet e rëna të pemëve në vjeshtë, që për të janë një bukuri e rrallë në trotuarët dhe rrugët, pavarësisht se ato (gjethet) janë të vdekura dhe duhen fshirë. Është një tapet gjigand i shtruar mbi rrugët, trotuarët dhe sheshet e qyteteve, me ngjyra të panumërta vjeshte por që rrallë piktorë arrijnë t’i hedhin në telajo. Ne njerëzve të thjeshte kur ndjejmë kërcitjet e tyre nën këmbët tona na vjen keq s’dihet përse, shpirtin na i mbulon një ndjenjë pikëllimi por edhe sigurie për një stinë që shkon, duke na lënë në sy ngjyrat e saj të mrekullueshme, duke pritur një tjetër që vjen pa shumë ngjyra dhe e ftohtë por sidoqoftë edhe ajo e bukur. Në këtë libër çdo tregim është një gjë e veçantë, e bukur dhe e ngrohtë, një gur i çmuar, një perlë, një rubin a zefir.  Së fundmi do të veçoja atë me titullin “ Kopshti botanik” të cilin autori e quan “… bankë ku në vend të parave ruhet e gjithë bimësia që ka Shqipëria dhe në vend të valutës ruhen bimët e huaja.fq 236” Tregimi na njeh dhe me krijuesit, shkencëtar-heronjë do t’i quaja unë, si Skënder Rusi, Ilia Mitrushi, Mustafa Demiri, Xhafer Qosja, Liri Dinga që me shumë mund, djersë, përkushtim e dituri ngritën Kopshtin Botanik në Tiranë, një nga krenaritë (nuk di si është sot) e shkencës shqiptare. Shpesh na duket se i njohim njerëzit dhe qytetin tone, ku jemi lindur dhe rritur. Por sa gabojmë, jo rrallë deri në budallallëk!  Dhe kjo jo vetëm për rastin e librit të Astrit Xhaferrit. Gjithsesi  libri jep të dhëna për lulet e pemët zbukuruese, që rriten në Shqipëri dhe që shumë syresh e kanë origjinën nga të gjitha vendet e rruzullit tokësor, që jeta e njerëzve bëhet më e këndëshme, më e bukur e plot ngjyra kur ata krijojnë në një mënyrë ose tjetër mardhënie me këto bimë. Shumë mirë kjo kuptohet pasi lexon këtë libër. Duket sikur je i rrethuar nga gjelbërimi i përjetshëm, ylbere ngjyrash dhe aroma lulesh gjithfarësh. Në tregimet ka shpresë, ëmbëlsi, dhimbje, butësi, trishtim, dhe sigurisht shumë, shumë dashuri. Lexojeni këtë libër. Të jeni të sigurt që paskëtaj do të bëheni pakëz më të mirë.