Suplementi Pena Shqiptare/ Gëzim Zilja: Mbi veprën e Musine Kokalarit: “Dasmë… Sa u tunt jeta.”

205
Sigal

Në vitin 1944 Musineja botoi veprën e saj “ Dasmë…Sa u tunt jeta”. Me një gjuhë të pasur në dialektin e mrekullueshën të krahinës së Gjirokastrës, plot ngjyrime, hollësira e delikatesë, na shpalos ritet mahnitëse të një dasme gjirokastrite, kryesisht atë që bëhet në shtëpinë e nuses deri në çastin, që ajo del nga shtëpia dhe përcillet për në derën e burrit të ardhshëm. Dasmat zakonisht fillonin ditën e enjte dhe mbaronin ditën e diel. Ditët e dasmës jepen të emërtuara sipas traditës: Dita e Nishanit, (Ç’thanë për mua e për tinë?/ Trëndelinë moj trëndelinë./Dojë të prishnin krushqinë./Dhanë e dhanë e dot se prishnë./Kot që vejnë e kot që vijnë,/ se ne kishmë dashurinë.) Dita e Nigjahut, (Moj dora me bezeliqe, /cc’dolle në udhë e më prite?/Diç më the më porosite,/ për një par’ vëthë nazike./Në Janinë ç’i porosite.) Dita e Vetullave, (Vetullatë pse tu nxinë,/sikur ke vënë mazinë?/Jo, jo, jo për perëndinë,/po kam vetë bukurinë.) Nata e Brumit, (Uromë baba uromë!/Gëzomë baba gëzomë!/Sonte që zëm brumëto,/me mjalt e me qumështo). Dita e Kënasë, (Erdhi koha për këna/Xhemile fat madhija!/ Shkëputu nga vallija!/ Lum babai që të ka. /Vure Xhemile kënan,!/se të rri nanaja pranë.) Nata e vajzës, (Dallandushe vogëlo,/dale, dale ref./Primë sa të rritemo!/Të bënem sa shoqeto!/Sa Libohoviteto,/sa gjirokastriteto./Të vemi në kasaba./Të zëm’ shtëpi me qira,/me xhame e taraba,/jashtë e brënda me boja’.) Dita e nuses, (Ç’ke moj nuse që mejtone?/I mejtonem vashërisë,/se u’ vajzë s’bënem kurrë: më thonë grua me burrë.).

Këngët e vallet në këto katër ditë dalin nga shpirti i popullit shqiptar, ku vuajtjet ishin të shumta dhe gëzimet e ditët e lumtura të pakta. Në ritet e dasmës përfshihen babai, nëna, vëllai motra, dhëndëri, vjehri, vjehra, fisi e gjithë të ftuarit e tjerë. Sigurisht që motivi kryesor në këngët ku pikon malli për ndarjen e vajzës nga prindërit, janë besnikëria ndaj fjalës së dhënë: (A në prill a në maj,/gjersa vdekja të na ndajë), bukuria e vajzës dhe djalit, shtëpia që do të krijojnë, fëmijët që do të vijnë si bekim për familjen etj. Ditët e dasmës te shtëpia e djalit dhe e vajzës përcillen me valle e këngë popullore ku krijues e aktorë janë vetë dasmorët, pa përjashtuar as fëmijët, të cilët kanë rolin e tyre. Autorja shkruan: “Niset kënga nga Dita e Shënimit, tek Nata e Brumit me mashalla nëpër udhë me pishë të ndezura nga të vegjëlit në duar, si nga ana e djalit dhe ashtu e vajzës. Vepra 2, faqe 169” Janë rreth 5.000 vargje të zgjedhur me shumë kujdes, midis mijëra të tjerëve, të vendosur, plot sqimë, me një dialekt jugor, që tingëllon me një bukuri e muzikalitet të rrallë, (Tatëpjetë malit vije,/jelek verdha veshuro!/Thaçë se vije tek unë./Dolla duke qeshuro,/me duar përveshuro./Ti vajte te kishe punë,/Hika zemëruaro,/me duar lëshuaro./Mik në të mbeti qejfi,/kthenem në të shkuaro). Sa është e pamundur tw mos shkëputesh për një çast nga leximi i tyre e të përfytyrosh atë mori njerëzish, që kërcejnë e këndojnë, japin e marrin me njëri-tjerin, (Bota janë vrarë e prerë e janë pajtuaro/Ne as vrarë as prerë jemi,/fjalë s’kemi ndërruaro.) plot optimizëm, humor e gëzim, sa ndjen edhe ti dëshirën të bashkohesh me ta, për të kënduar e kërcyer, për të gëzuar jetën, që paraqitet aq natyrshëm, aq thjeshtë e plot dashuri, ku gjithkush ndihet aq mirë, duke lënë mënjanë urrejtjen, mëritë e zënkat e kota. Këngët këndohen zakonisht nga gratë e fisit dhe të lagjes mes humorit,( Juve krushq hai e pini,/lugëtë mos i fshihni!/Thela në xhep mos vini.) gëzimit, merakut për t‘u zbatuar me rreptësi gjithë zakonet, duke sajdisur veçanërisht njerëzit e pranishëm, të ftuar e të paftuar. Krahas humorit brilant nuk mund të mos vihet  re edhe nepsi për pak birek nga i dasmës për ata që nuk mund të ishin aty për arsye të ndryshme: (Lum ti more birek,/e vë Haxhua nëpër xhep/E kanë porositurë/Haxho moj të keqenë,/birek nga të dasmësë.) Ndërsa dëgjon këto këngë të mrekullueshme ndjen që shpirti të mbushet plot hare e vetvetiu të vjen të buzëqeshësh e të thuash i mrekulluar: Sa bukur! Do të këndoj edhe unë e do të marr një valle se shpirtin e kam plot. E rritur në një shtëpi të pasur për kohën dhe e pajisur me dashuri për vendin dhe kulturën shqiptare, Musine Kokalari nuk mund të mos vinte re krahas të bukurës edhe varfërinë e sidomos jetën e mundimshme të gruas shqiptare për kohën kur jetonte. Kjo bijë e Gjirokastrës, plot ëndërra e dëshira për vendin e saj, krahas përshkrimit të gjallë e jetësor të riteve të mrekulleshme të dasmës gjirokastrite, ku shpalosen gëzimi dhe humori popullor, me të gjitha ngjyrimet, nuk mund të rrijë mospërfillëse e të mos vërejë varfërinë e zakonet e tjera, që shtypin, ndrydhin dhe kufizojnë të drejtat e gruas shqiptare. Pasi shpalos me pak fjalë bukurinë e dasmave, në faqet e fundit të librit, krahas trishtimt dhe dhimbjes, Musine Kokalari  thurr një himn madhështor për qytetin e lindjes, që nuk e kam parë në asnjë libër të shkruar deri sot: “…Kush u martua dhe s’u gëzua? Dasmë pa mishra s’bënetë, dasmë pa hatëre të mbetura nuk ka. Gjirokastra bota e madhe pa funt që s’kish shoqe për moshën time të parë. Gjirokastra ime an’e mbanë me shkëmbinjë e udhët plot gurë. Vendi ku ke lerë e je rritur është dashuria e parë, që hedh rrënjë në zëmërat tona. E shkuara ëndërr e bukur…Gjirokastra e kujove dhe këngëve që buçitnin një herë e një kohë nga dritaret e mëdha të shtëpive buzë përronjëve, ndënë hijen e rëndë të kalasë së Ali Pashës. Sa u tunt jeta, është ëndra e shkurtër e pak ditëve të vajzës gjirokastrite, që pas asaj ajo vihet nën thundrën e vjehrës, rron nën tmerrin e vjehrit, me frikën e burrit, që fjala e tij është urdhër për të…”

Musineja thekson se kohët kanë ndryshuar për mirë dhe gruaja me guxim po kërkon të zerë vendin e duhur në shoqërinë shqiptare, si në të gjithë kombet e përparuara. Në mbylljen e librit ajo shprehet plot besim për të ardhmen, duke dhënë më vonë shëmbullin e saj, bashkë me pak gra të tjera, që u bënë kurban nga diktatura se kërkuan një rend shoqëroror demokratik, ku njerëzit të ishin të barabartë para ligjit dhe të shprehnin lirisht fjalën. Plot dhimbje e shpresë, plot 80 vjet më parë përfundon: “Gruaja sot nga bota e perënduar e djeshme zuri udhën e saj dhe kërkon të jetë përgjegjëse për vehten e saj dhe të marrë pjesë në të gjitha ngjarjet e kohës, kërkon të dijë se ku rron e përse rron në jetë, për të drejtën që ka si pjesë e pandarë e asaj që është. Fq. 225-228.” Këto bindje të hershme të kësaj gruaje trime dhe të mençur, arsimuar në Itali, që Zoti veç të tjerave e kishte pajisur me një bukuri mbresëlënëse, do të binin ndesh me pikëpamjet e udhëheqësve komunistë, që pllakosën si një murtajë mbi Shqipërinë, duke e mbajtur nën terror për dyzetepesë vjet me rradhë. Pranoi çdo dënim dhe një jetë plot vuajtje, sakrifica e mundime, por nuk u dorëzua dhe nuk kërkoi ndjesë për bindjet e saj. Studimi “Dasmë sa u tund jeta” hyn në veprat më të mira të letërsisë shqiptare për historinë, këngën e traditat  e dasmës shqiptare.