Suplementi Pena Shqiptare/ Flutura Açka: Burri i ëndrrës me Prust dhe Albertinë

560
Sigal

– E ke lexuar këtë libër? – Jo ende – Mëkat! – Për çfarë flet? – Për dashurinë, për ëndrrat, për shkrimin… – Por duket libër i gjatë. – I gjatë, për ata që mendojnë shkurt. – Por duket i shtrenjtë. – I lirë është stomaku. – Ma lexo një fragment. – Jo, lexoje vetë, si mund të të ritregoj burimin kur ai vetëm rrjedh? Do të ta rrëfej me fjalët e mia vetëm njërën prej historive të tij mahnitëse. Ja dëgjoje:

Në Stambollin që popullohet edhe nga njerëz që përpëliten për t’u veshur me veshje europiane e që harrojnë se të ngjash europian duhet të fillosh nga mendja, jetonte një zotëri i vjetër, dikur gazetar, i dashuruar me veprën “Në kërkim të kohës së humbur” të Prustit. Aq shumë ishte magjepsur pas asaj vepre, sa kishte filluar ta ndiente veten se bënte jetën e Prustit, të bënte dialogët e librit të famshëm, por ngaqë nuk jetonte me askënd, fliste vetëm me macen e tij. Albertina e famshme e autorit, ishte një fantomë që ai e shihte nëpër shtëpi, ajo e përcillte e priste. Kishte shpenzuar vite duke hulumtuar nëpër Stambollin milionësh, për të takuar një njeri që mund të njihte Prustin apo të kishte dëgjuar për Albertinën. Kështu ngadalë ky libër u kthye në ëndrrën e tij, të cilën një ditë guxoi t’ia tregonte një gazetari të ri, i cili kishte marrë nam të madh duke shkruar gjithfarë përrallash mahnitëse, por që nuk kishte dëgjuar për ekzistencën e kësaj “ëndrreje” me emrin Prust. Rioshi ia futi një të qeshure plot vulg kur mësoi historinë e kolegut të tij të vjetër dhe i qëndisi një shkrim satirik këtij “matufi plak” që i bëri të qeshnin edhe qentë e rrugës. Kur e pa veten personazh në atë shkrim karikaturë, plaku ynë i fisëm, ndjeu se jo vetëm e kishte humbur ëndrrën e tij, por Prusti dhe Albertina e tij, ishin bërë pis. U mbyll dhe nuk doli më në dritë të diellit, kur e gjetën pas tri ditësh të vdekur, pranë kufomës së tij përgjonte macja. Uria nuk e kishte shtyrë kafshën e dashur ta shqyente të zotin, sepse e dinte se çfarë ëndrre të pastër mbante ende ai në atë trup, edhe pse i vdekur.

Fundjavë të mbarë, Miq!