Suplementi Pena Shqiptare/ Eva Gjoni: Tre fjalë

321
Sigal

Trupi i saj ishte i ftohtë, i lëshuar plotësisht, i tretur dhe s’kishte më jetë. Ai u shkëput prej saj ngadalë, nuk donte t’ja prishte atë qetësi që me përpëlitje e kishte kërkuar. Tani ishte në paqe me çdo gjë, me dhimbjen, me ndjenjën dhe kujtimet. Asgjë nuk mund të ndikonte mbi të, e kishte arritur fitoren e saj mbi gjithshka, ishte e pa jetë, e kishte përzënë jetën në një luftë të vazhdueshme, e kishte dashur shumë, e kishte urryer e mallkuar për të gjitha, ishte në asgjënë e saj të errët, pa tinguj dhe pa ngjyra. Tani nuk mund të mposhtej më. Ai shpirti i saj e shikonte nga larg atë trup gruaje në të cilin kishte ndenjur prej vitesh, kishte parë si ndryshonte e çelej, plotësohej e rrumbullakosej, si ishte shdërruar në grua e si nga pak filloi të humbiste freskinë. Por ai shpirti i lutej ta donte trupin e saj, ai i kishte dhënë asaj ngrohtësi dhe drithërim ndjenje, ato nuk ndryshonin. Duke e parë ashtu nga larg diçka dalloi aty midis brinjëve të saj. Si nuk e kishte vënë re më parë, një kuti e vogël! U afrua e mori dhe po e shikonte. Çfarë të jetë!? Kureshtja e shtynte ta hapte, ishte diçka që ja kishte mbajtur të fshehtë dhe atij shpirtit të saj dhe vetëm vdekja bëri që ajo të shfaqej. Mos është një kuti e vogël Pandore e brenda të ketë ferrin dhe shpresën! Jo nuk mund ta hapte, qetësia e saj nuk duhej prishur. E mori me vete, por i rëndonte sikur një forcë e tërhiqte poshtë drejt trupit. Duke u ngjitur lart atje mes shpirtrave të tjerë kapaku u hap e në të lexoi;”sekreti ynë i bukur “. Tre fjalë, vetëm tre. Çfarë mbartin ato mbi vete? Ndjeu dhimbjen e një tryele që po e përshkonte atë shpirt ajër. Si mundet ta ndjej këtë tani, jam jashtë trupit të saj! Brenda saj i kishte provuar të gjitha, por tani ishte i lirë për t’u futur në një trup tjetër, për të patur një histori jete tjetër. Nuk mund ta mbarte me vete këtë dhimbje tre fjalëshe, duhet të ishte i pastër, pa kujtime e ndjenja. Por nuk po mundej të shpëtonte. E mbylli kutinë dhe bashkë me të u ndry edhe dhimbja. Por tashmë kishte ikur shumë larg dhe kutia mbeti në duart e tij. Do futej në një trup tjetër bashkë me kutinë dhe historia do përsëritej. Trupi i ri do e mbante kutinë aty brenda tij e fjalët do rishkruheshin nga e para; “sekreti ynë i bukur”. Asgjë më shumë se kaq! Çdo trup do e mbaj me vete sekretin, do tretet bashkë me të në tokën e lagësht dhe do i bashkohet gjithë historive që toka mbart me shekuj. Çdo shpirt është i dënuar përjetësisht me kutinë e tij si nje mallkim i zotave ashtu si me Pandorën dhe kutinë e saj. Zeusi e krijoi Pandorën grua dhe ja besoj asaj mallkimin e tij.