Suplementi Pena Shqiptare/ Engjëll Musai: Mirënjohje e përjetshme për gjeniun e gjuhës dhe kulturës shqipe

1014
Sigal

Gjashtë  gushti i 1908-ës shënon  ditën  e lindjes së Prof. Eqerem Çabejt, gjuhëtarit të madh, shkencëtarit objektiv, njeriut që jetën ia kushtoi shqipes dhe origjinës së fjalëve të saj. Respekt i përjetshëm! Por asnji nga institucionet e shtetit shqiptar dhe në veçanti Akademia e Shkencave nuk u kujtua ti bënte nderet që I takonte këtij gjeniu të gjuhës dhe kulturës shqipe. Me këtë rast Gazeta Telegraf po riboton kumtesën e Prof. Emil Lafe mbajtur në vitin 2006, me rastin e 100 vjetorit të lindjes së dijetarit të shquar të gjuhës shqipe. Vdekja e parakohshme – sapo kishte mbushur 72 vjeç – i ndërpreu vijimin e veprës së tij të jetës “Studime etimologjike në fushë të shqipes” dhe të punëve të tjera që kishte nëpër duar. E. Çabej ka lënë një trashëgimi shkencore të pasur e të shumanshme me mbi 200 tituj veprash, artikujsh e tekstesh mësimore. Kontributin më të shënuar e ka dhënë në fushën e historisë së gjuhës shqipe dhe të marrëdhënieve të saj me gjuhët e tjera indoeuropiane e ballkanike. Duke iu mbajtur parimit se historia e një gjuhe është historia e popullit që e flet atë gjuhë, ai ka përfshirë gjerësisht në studimet e veta edhe kulturën materiale e shpirtërore të Shqiptarëve në shfaqjet më të larmishme të saj, kështu që në personalitetin e tij shkencor janë shkrirë në një gjuhëtari, etnologu e folkloristi dhe historiani.Vepra e tij madhore  shumëvëllimëshe “Studime etimologjike në fushë të shqipes” përbën një sintezë të dijeve të tij të thella e të gjera dhe të përvojës së gjatë në gjurmimin e burimit të fjalës shqipe e të historisë së saj. Kjo vepër, që shënon një etapë të re në studimet historike për shqipen, përbën njëkohësisht një kontribut me vlerë të gjithanshme për studimin e historisë së gjuhëve të Ballkanit, për indoeuropianistikën dhe për teorinë e përgjithshme të etimologjisë.

Engjëll Musai

Drejtor I Gazetës Telegraf