Nën mjegullën e turbullt kundron Dhjetori,
me drita që ndizen e fiken në shpirtin tim…
Vorbull kujtimesh me vrull hapat i mori,
lotët e qiellit formuan kristale pambarim…
Përtej kornizave të heshtura mbi mur,
me ngjyra flasin kujtimet e tua…
Përherë kjo dhomë do të marrë nur,
petk nostalgjie mban veshur mbi mua.
Me globa të blunjtë rrethuar gjithë shtëpia!
Dhe qielli gri papritur kthjellohet…
Një bredh i bardhë zbukuruar nga dashuria,
kur gjithë familja sëbashku takohet…
Prej argjendi rrugët janë kthyer,
këpucët me argjend lyer kushedi.
Pas në kohë të kthen muaj i vyer,
i ftohti i hidhur jep dhe bukuri…
“Fuqia e Imagjinatës”
Ashtu si shija e lotëve të kripur,
ndiejmë vërtetësinë humbur në tokë…
Ngjyrat e arta prekin zemrën e fikur,
imagjinuar oqeanin si një fjalë të plotë.
Imagjinata shkon akoma më larg,
përtej rrahjes së zemrave tona…
Realiteti mbyllur në këtë glob përqark,
të gënjeshtrave, që vërshojnë me jehona.
Brenda një ëndrre jete nuancat ndryshojnë,
me shtrëngata shiu dhimbja po noton…
Imagjino sikur shpirtra njerëzish të lulëzojnë,
teksa rrënjë shprese në agoni lëshon…





















