Suplementi Pena Shqiptare/ Dritëro Agolli: Pelegrini

535
Sigal

Unë jam prej kohësh pelegrin
udhëtar në vendin e shpresës së thyer
jam ndarë pa dashur nga karvani im
mes shtigjeve nga vapa e shirat gryer.

Kërkoj karvanin tim në renë e shpat
karvanin që e ka ndëruar drejtimin me kohë
ndaj në udhë jam krejt i humbur,jam fillikat
me shami të grisur lidhur në kokë.

Për ujë buza ime u dogj u bë zhur
dhe sytë më shpojnë nga shterja e lotit
më duhet të arrij karvanin e tretur qëkurë
çapitur mes vapës,mes shiut e të ftohtit.

Unë jam prej kohësh pelegrin
shtegtar i karvanit të humbur
dhe bart në kuriz një premtim
të dhënë gjyshërve të mundur.

 

Kohë më vonë 

Kohë më vonë e ndofta më shumë,
Kur të ketë bleruar një dardhë
Dhe kur lumi në prill të zbresë me shkumë,
Unë e di, do vij me kalin e bardhë,

Para jush do shfaqem,-që s’patët fat të më njihni,
Se disa nga ju vërtet u lindën më vonë
Dhe të tjerët mbase s’e dinin
Qe mes tyre jetoja diku në një dhomë

Dhe shkruaja librin e fundit
Të vështirin, korrigjuar radhë më radhë.-
Unë e di, do vij kur ju të notoni mes gjumit,
Mos harroni, do vij me kalin e bardhë.