Suplementi Pena Shqiptare/ Kadri Tarelli: Poet Agim Bajrami, misionar i fjalës së bukur

1031
Sigal

Në javën e fundit të Korrikut 2019, pikërisht më 22 të këtij muaji, shkrimtarë, poetë, artistë, anëtarë të klubit të shkrimtarëve dhe artistëve të Durrësit, miq, shokë dhe familjarë, festuan bashkërisht 60-vjetorin e poetit Agim Bajrami, i cili kishte mbledhur dy gëzime në një ditë, përvjetorin dhe përurimin e librit të tij të fundit me poezi, të titulluar “Vonë”. Nderuan takimin edhe përfaqësues të Bashkisë së Durrësit dhe miq nga Tirana. Ky kuvend festiv, duke u nisur nga përmasat, përbën një ngjarje të bukur në jetën artistike të qytetit bregdetar Të Durrësit. Takimin e hapi Nikolla Spathari, kryetar i Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve të Durrësit. Ai uroi poetin duke vënë në dukje talentin, punën dhe bukurinë e vargut, në të gjitha botimet, në nëntë librat e tij. Njëkohësisht vlerësoi edhe rolin e tij, si veprimtar shoqëror dhe organizator i gati të gjitha veprimtaritë e klubit. Ai, duke qenë pjesëmarrës në shumë veprimtari brenda vendit dhe në të gjitha trojet shqiptare, ka provuar të ndjejë kënaqësinë e shumë çmime të para, duke i dhënë emër vetes, si një ndër poetët më të njohur bashkëkohor shqiptar, më tej duke i bërë nder edhe poezisë durrsake. Poetin, tashmë 60 – vjeçar, e përshëndeti durrsaku Bashkim Hoxha, shkrimtar dhe dramaturg, i cili, si njohës i mirë i të gjithë veprës poetike të Agimit, vlerësoi të gjithë krijimtarinë shumë vjeçare, duke përfshirë edhe botimin e fundit, “Vonë”. Fjala “vonë” dhe vepra “Vonë”, janë vetëm gjetje letrare, pasi për Agimin nuk është vonë, sepse ai e ka nisur poezinë që herët dhe tani është në kulmin e prodhimtarisë letrare, ku natyrisht mosha dhe pjekuria artistike, i jep më shumë vlerë mendimit poetik dhe mesazhit njerëzor e shoqëror. Ai theksoi tematikën larmishme dhe çmoi mendimin kritik të këtij autori, që nuk bën kompromis, pasi e jeton kohën me të gjitha shqetësimet e saj. Më pas përshëndeti Meçan Hoxha, shkrimtar dhe historian, i cili bëri një përmbledhje të plotë të librit të porsa botuar, duke i dhënë të gjitha ngjyrimet letrare, artistike dhe filozofike të poezive të thurura aq bukur, ku veç të tjerave spikat muzikaliteti dhe ngritja në art edhe e temave dhe objekteve, të papërfillshme për njeriun e thjeshtë. Ndërsa Vladimir Muça, poet dhe kritik, në fjalën e tij shprehu, se poezia e Agim Bajramit është një frymë e veçantë dhe një risi dhe nj arritje në poezinë shqiptare të kohës, ndaj duhet studiuar dhe vlerësuar, në të gjithë shtrirjen dhe problematikën që përmban dhe trajton. Merita Kuçi (Thartori), poete durrsake, ndryshoi atmosferën e leksioneve dhe fjalimeve, duke recituar dy poezi të nxjerra nga libri, duke i dhënë ton solemn poezisë, “Baladë për Ibrahim Rugovën”.

Vaso Papaj, poet dhe shkrimtar durrsak, e nisi ndryshe fjalën e tij, duke marrë ngacmim nga një bisedë e shkurtër, ku poeti është dhe vlerësohet si mbret e përmbi mbret, pasi i shërben njerëzimit për mijëra vjet. Ai theksoi, se e njeh poezinë e Agimit që në dorëshkrim, pasi takohet shpesh dhe natyrshëm biseda vërtitet rreth letërsisë dhe sidomos poezisë, ku vargjet e tij kanë shumë muzikë, mund të këndohen lirshëm, mjafton të gjesh melodinë. Agimit i shkojnë shumë fjalët e një të dituri që thotë: “Ndërsa tingulli është fjala e muzikës, poezia është muzika e fjalës”. Ndryshe foli skulptori i mirënjohur Idriz Balani, i cili poezinë dhe skulpturën e shikon në një linjë artistike të përbashkët. Ai shprehet: “Ashtu siç gdhend unë me daltë mermerin, apo i jap formë baltës, ashtu vepron edhe poet Agimi, i cili e gdhend vargun, e zgjedh dhe e ledhaton fjalën, duke i dhënë asaj bukuri në formë dhe në përmbajtje, aq sa them: “Sa bukur tingëllon ky varg, sa e bukur kjo poezi!”.Hysen Haxhiaj dhe Gëzim Çela, të dy autorë librash, por që provuan për shumë vjet me radhë burgun e Spaçit. Ata me nota drithëruese përshëndetën poetin, për poezinë “Spaç 2019”, (pjesë e librit), ku shprehet dhimbja njerëzore dhe rinia e humbur në atë humbëtirë mes malesh të ashpër e të zhveshur. Ja disa vargje: Një reze drite del mbi mal/ pastaj shpejt bie në rrokullimë/ kërkoj të flas, por s’gjej dot fjalë, se fjala bëhet psherëtimë”. Ndërsa Aqif Dino, shkrimtar, lexoi një skicë të shkurtër letrare, lidhur me marrëdhëniet e tij shoqërore me poet Agimin të titulluar: “Një kafe në breg të detit”. Në fund të takimit, apo “Kuvend festiv”, siç po e quaj unë, u bënë vlerësime nderi, si shpërblim i merituar për penën e mprehtë artistike të poetit Agim Bajrami.

  1. Klubi i shkrimtarëve dhe artistëve të Durrësit i jep çmimin “Leonik Tomeo”.
  2. Mujo Buçpapaj, në emër të gazetës letrare artistike kombëtare “Nacional”, i jep çmimin “Për arritje letrare”
  3. Ardian Gurra, në emër të Bashkisë së Durrësit i jep çmimin “Mirënjohja e qytetit”.
  4. Gëzim Domi, mjeshtër i fotografisë artistike, i jep dhuratën, “Perëndim dielli në Durrës”, kompozim fotografik.

Mbase janë shumë emra që folën dhe përshëndetën, por jo pa qëllim i përmenda të gjithë këta personalitete në fushën e letërsisë, gazetarisë, fotografisë dhe artit, sepse secili solli diçka të veçantë nga njohja dhe bindja e vet, si penelata ngjyrash në portretin artistik të poet Agimit, duke e modeluar atë, si mjeshtër të fjalës magjike, si personalitet zë të bukur dhe i veçantë në poezinë shqipe, si kritik i ashpër i realitetit që përjetojmë, si njeri me ndjeshmëri të madhe ndaj botës që na rrethon, si poet me botë të madhe shpirtërore dhe si atdhetar i përkushtuar.Në një ditë festive, nuk mund të mungonin edhe këngët dhe vallet popullore. E gjithë kjo festë kërkonte një drejtues. Kujt mund t’i shkonte më mirë ky rol i vështirë, veç këngëtarit Naim Kërçuku? Ai, si artist me përvojë, me mjeshtëri fjale, drejtoi të gjithë veprimtarinë, njëkohësisht këndoi disa këngë të rinisë së hershme, duke i dhënë takimit gjallëri të veçantë. Urimet nuk u ndalën edhe kur u ngritën dolli për poet Agimin, që kështu me shëndet të mirë dhe gotë vere të mbushur plot, të festojë edhe plot përvjetorë mes miqsh e shokësh, duke kërkuar dhe shpresuar për libra të tjerë, po kaq të arrirë artistikisht!

Urime poet Agimi, si misionar i fjalës së bukur!