Sigal

Dionis Bubani (Bukuresht, 18 shtator1926 – Tiranë, 10 shkurt 2006) qe letrar dhe përkthyes shqiptar. Lindi në Bukuresht në rrugën atëherë të quajtur “Turku”, e më vonë “Malet Tatra”, i biri i Gjergj Bubanit. Shkollimin fillor dhe të mesëm e kreu në Bukuresht.Gjatë viteve 1932-33 në Konstancë të Rumanisë Gjergji botoi gazetën patriotike “Kosova”. Në vitin 1940 Dionis Bubani, së bashku me familje u kthye në Shqipëri, vendlindjen e babait të tij. Pas katër vitesh që u kthyen në Shqipër, regjimi komunist e burgosi Gjergj Bubanin, andaj Dionisi i ri u desh të kujdeset për vete dhe familjen. Ai punoj në një puntori biçikletash, shiti cigare rrugëve e nëpër kafene, por punoj edhe si kartelist, madje edhe si daktilograf në Ministrinë e Jashtme. Mëqe ishte djali i publicistit, ai filloi të merret edhe me shkrime. Në fillim punimet e veta i botoi në “Letrari i ri”, dhe “Rinia”, ndërsa në vitin 1946 filloi të bashkëpunon me revistën humoristike “Hosteni”, redaktor i së cilës u bë më vonë. Dinos Bubani në Tiranë studioi filologji. Gjatë punës së tij krijuese Dionis Bubani u mor me publicistikë, satirë, humor dhe letërsi për fëmijë e për të rritur, përkthime dhe me shkrimin e komedive. Për punën e tij krijuese dhe për përkthime ai u shpërblye disa herë. Ai njohu për së afërmi shumë rilindas e njerëz të shquar të kulturës sonë: Çajupin, Asdrenin, Kutelin, Poradecin, Luarasin, Kadarenë, Agollin, Godon, Grillon, Nikolla-n, Greblleshin, Man-in e shumë të tjerë, për të cilët edhe ka shkruar një vepër. Është interesant të përmendet se Dionis Bubani ka përkthyer edhe “Poemën” e Lasgush Poradecit nga rumanishtja në shqip, të cilën Poradeci e shkroi gjatë kohës kur po jepte provimin pranues në Akademin e arteve te bukura në Bukuresht. Dionis Bubani vdiq në Tiranë me 10 shkurt 2006.

MENDJEMADHE

Të kujtohet si njëherë

Flisje, qeshje me të tjerë

Gojëmbël, fjalështruar

Dhe në punë i dalluar?

 

Por një  ditë papandehur,

Na u duke pak i dehur:

Ndoshta të hutoi poltroni,

Ishe bërë shef seksioni!

 

Nise gradat t’i shijosh

Dhe u fryve si kaposh!

Ti në rrugë kordhëtar,

Ti në degë kryetar!

 

Ne nuk vlenim asnjë pare,

S’na shikoje rrugës fare,

Ndoshta hunda nuk të la,

Të kish hipur la më la.

 

Je drejtor dhe s’ke nevojë

Që ti flasësh kujt me gojë!

Përshëndet kur shkon në zyrë

Vetëm veten në pasqyrë!

 

Lart je sot me të vërtetë,

Ti kujton se preke retë…

Por me mend’t që ke në kokë

Do të zbresësh shpejt përtokë!

 

BOJA, PENA, GISHTËRINJTË DHE TRURI…

Dhe boja i tha penës:- Dreq’ o punë,

Pse bëhesh për çdo ditë budallaqe?

Nuk e marr vesh si paske sy e faqe,

Të mburresh se m’e zonja je se unë

 

Ç’po na shet mend dhe ti, bojë krenare,

A nuk kupton se nuk vlen një pare?

Jam unë që të mbaj, ke fat!

 

…As gishtërinjtë nuk duruan dot,

Filluan që të mburren: —-More ju deri diku

Punoni, porsi dje dhe sot

Mjeshtra të zotë në çdo vend

Ne jemi, ne…heronj pa dekoratë!

…Vetëm, i shkreti tru s’bënte shamatë!

 

INTRIGANTI

Sikur të mbetet nesër i vetmuar

Më ndonjë ishull krejt të pabanuar,

Që ta stërvitë pak gjuhën e ligë

Dhe vetes mund ti thurë një intrigë…

DEMBELI

I fundit mbet sa ish gjallë

Vetëm kur vdiq ky rregull shpejt u thye

Të gjithë pas i venin me ngadalë

Vetëm ai kish dalë mu në krye

 

KOPRACI

Kur pati dalë, sa fort u gëzua,

Se shpejt iu tek t’i vërë emrin LEK!

—Ja mbyllëm gojën botës, o moj grua,

I dhamë më në fund dhe ne një…lek!