Deti dhe Lumenjtë
Deti tek shihte lumenjtë,
që iknin andej – këndej
tha:- Si s’vjen një lumë drejtë për drejtë,
një përgjigje dot s’e gjej.
Eh, o det , o mik për besë
-i thanë lumenjtë për karshi.
Mund të bëjmë dhe ndonjë kthesë,
por në fund ne vijmë tek ti.
Vreshti dhe Shkurret
Thanë shkurret me vërtik,
na ha sëpata përditë.
Dhe vreshti me qesëndi:
– Juve nuk ju do askush
me ne bëjnë verë e raki.
U hodhën shkurret menjëherë:
– Edhe juve me prestigj
pak nga pak ju bënë të tjerë.
Majat
Majat e një peme në mëngjes herët
u thanë degëve:-Mbi ju kemi dalë.
Sado që të ngriheni ju të tjerët,
maja mbetet majë.
U rrevoltuan degët pak nga pak,
ato që të forta kanë qenë tërë jetën,
thanë:-Sado të qëndroni lartë,
edhe majat s’mbahen vetëm.
Ketri dhe Ariu
Tek një pemë atje matanë,
me ca kokrra mbushur dëng.
Të gjithë që kalonin pranë,
iu lëshonte goja lëng.
Një ketër mori yrysh,
pyeti:-ç’hani ashtu?
Ariu s’ja bëri dysh:
– Hamë, o mik ç’farë lini ju.
Dembeli
Çatia nga një e çarë pikonte,
dhe shiu binte te një tra.
I zoti i shtëpisë të ngjitej lartë përtonte,
ndaj ashtu e la.
Një ditë ai e pa keq,
dhe nisi që t’a vlerësonte këtë gjë.
Por ç’e do se çatia kish dalë
jashtë përdorimit krejt,
dhe trari qe kalbur e s’mbante më.
Kungulli dhe Dardha
Një kungull tek rritej dalëngadalë,
u mbajt që në fillim te një dardhë.
Dhe shprehej sa herë që vizitorët vinin:
– Shikimin para dardhës mua më hidhnin.
U rrit kungulli e mori famë,
por një ditë era e rrëzoi dhe e hodhi nën dardhë.