Suplementi Pena Shqiptare/ Brikena Shehu: U desh largimi yt, që unë ta shikoja jetën me një sy tjetër

387
Sigal

Për babain tim Izet Shehu

Nuk është kjo data, që më bën të kujtoj ty babushi ynë i dashur! Nuk kalon asnjë sekondë pa të sjellë ndërmend, që nga momenti që nuk je më midis nesh. Nuk kam aftësinë të shkruaj metafora, atë dhunti të cilën ti e kishe. Më mjafton që u linda nga ti dhe u rrita me një kujdes të veçantë atëror. Me dashuri dhe kujdes ke depërtuar aq thellë në shpirtin tonë, sa mendoj se asgjë s’mund të zëvendësojë. Ne qeshim gëzojmë, jetojmë… Pas çdo hareje e gëzimi, është buzëqeshja jote e trishtë, por e bukur. Asgjë s’është më si më parë. U desh largimi yt, që unë ta shikoja jetën me një sy tjetër. E sigurisht ajo ka gjithë ngjyrat, që aq bukur ti ke thurur poezi. Tani kam më shumë kohë të rri me ty. Atë kohë, të cilën do ta kalonim bashkë në kafene, tani e kaloj me librat dhe shënimet e tua. Nëpërmjet tyre arrij të depërtoj në botën tënde të brendshme, për të lexuar ato që më shprehje e hezitoje t’i thoje. Gjej mesazhe të bukura e të trishta. Boshllëkun dhe dashurinë e madhe që kishe për babain tënd, të ndarë herët nga kjo jetë, e ke hedhur në vargje edhe pas 40 vjetësh … Nuk ka më bukur se sa të ndjekësh gjurmët e atit tënd…të njëjtën gjë do të bëjmë edhe ne bijat e tua të dashura…do të vazhdojmë të të duam me të njëjtën ndjenjë që na mëkove ti, i shtrenjti ynë!

 

Le një fjalë pa ma thënë

 

Le një fjalë pa ma thënë,

midis buzëve dot s’ta kapa.

Lot i ngratë

në të rënë

drithërimën më la prapa!

Ç’doje, vallë, të më thoshje

në atë çast të zbehtë në shuarje?

Jetë, o jetë, e kotë dhe boshe:

vjen e ikën nëpër muzgje.

Le një fjalë pa ma thënë,

Le një dritëz si një flutur.

Unë e mora, bëra këngë,

Bëra metaforë të bukur!

Izet Shehu, kushtuar babait të tij Eminit, thonë që ka qenë një burrë i mençur e fjalëpak.

 

Më lexo…

Më lexo kur të kem vdekur,

mbase më kupton më mirë.

Do të jem thëngjill i djegur,

midis barit në çair.

Aty ndalu pak po deshe:

më fikso në sytë e bukur.

Nuk do ta gjesh prushin e parë,

nuk do të flatëroj si flutur.

Më lexo kur të kem vdekur,

më kupto çfarë ruaj në shpirt,

mbase më kupton më tepër,

mbase prushëroj sërish…

 

Nga Neritan Kolgjini: “Babai yt ka qenë një burrë gjithë dinjitet e fisnikëri, një poet i pashterrshëm dhe vullkanik, një intelektual që gjithmonë e thoshte fjalën e tij, siç duhej në interes te idealit kombëtar e demokracisë, ndërsa unë kam pas fatin ta kem mik e vëlla të tim eti. Jam realisht shumë mirënjohës që më ka dashur e respektuar si “djalë vëllai”, dhe ende e kam në kokë timbrin e tij në të folur, mënyrën e arsyetimit dhe analizat që bënte për fenomene të ndryshme politike, sociale, fetare apo letrare etj. Kam mësuar shumë prej tij që të mos miratoj padrejtësinë dhe t’ia them troç në sy mosaprovimin tim, kujtdo qoftë. Izeti kishte një karakter luftarak që më bënte ta admiroja dhe rrezatonte mirësi në çdo gjë që thoshte e bënte. Na mungon në njëfarë mënyre edhe neve, ashtu si familjes së vet.”