Më lodh kafeja e mëngjesit!
Ç’do ditë ngaherë më lodh nga pak,
Dhe çehre e ngurtë e kamarierit
me ecejaket rreth e qark.
Më lodh dekori ballë për ballë
dhe një kolltuk që s’gjej rehat.
Tryezë ovale xham kristal,
dhe lulet false mbi banak.
Tek pi kafenë, në mendje, grish
i imi mik atje në fshat.
Një kafene të thjeshtë kish’
aty ndanë portës me sofat.
Më priti me mall e dashuri!
Një stol më solli si jatak
tek nxjerr filxhanët më të rinj,
musëndrës fshehur në dollap.
Dhe bëmë kuvend kokë më kokë;
nuk di sa folëm, s’di sa gjatë,
avllisë, patkonjtë kërciste – trok
një kalë i kuq me krifë të artë.
Çatisë shkisnin, binin fletë
prej degësh varur nën oxhak.
Mbi lulet jashtë zukasnin bletë,
ku shkonin tufë ca zogj bishtgjatë.
–
Në çast u shkunda mallëngjim,
nga çast që shpirtin çoi larg,
trazuar kafesë ky meditim,
kjo kafe sot më shlodhi pak.