Rrëfenjë
Shtëpia ndodhej në kat të parë të pallatit 5 katësh, ndaj edhe ballkonin e kisha thurur me shufra hekuri për t’u garantuar nga ndonjë vjedhje e mundëshme.
Nuk e kishim ndjerë kurrë një rrezik të tillë, por një ditë ballkonin dikush e kish “sulmuar”. Ai dikushi, ndoshta me pak mundim, kishte shfrytëzuar atë pak hapwsirë mes shufrave të hekurta dhe, me shumë marifet, kish zbrazur disa kilogram mollë, patate e qepë. 4-5 kokrra domate ishin vendosur në parvaz.

-Çtë jenë këto, kush i ka hedhur?- pyeta gruan paksa i habitur.
Ajo ngriti supet, i hodhi edhe një herë sytë ballkonit dhe filloi t’i mblidhte e të bënte bashkë mollë, qepë e patate në një trastë bezeje, të mjaftueshme për çka na kishin rënë nga “qielli” në ballkon.
-Mos i ke dhënë porosi Lirisë?, i thashë, i cila banonte po aty, sipër nesh. E ka gjetur derën mbyllur dhe e ka gjetur të arsyeshme t’i hedhë në ballkon.
-Jo, jo, nuk kam dhënë asnjë porosi. Pastaj, çne të blija kaq? Këtu janë më shumë se 10 kile mollë. Pale pastaj tërë këto qepë e patate!
E lamë të habiturin brenda vetes, por jo pa e vrarë mendjen për të gjetur atë që kish guxuar të fuste duart në ballkon.
Kaluan dy ditë dhe, ndërsa nuk nguruam të provonim mollët, komshia e katit të katërt, ashtu siç i bënim përshëndetjet, të sinqerta e të çiltërta, tha:
-Nuk e di, por pardje një burrë i shkurtër, nga fshati dukej, diçka zbrazi në ballkonin tuaj.
-Si, i shkurtër …!
-Po diçka i tillë. Si moshë duhet të ish rreth të 50-ave.
-Kishte ndonjë kafshë ngarkese?-vijova unë.
-Po-tha-Kishte një mushkë pak të kuqrremtë.
-Aaa, paska qënë vëllai!
Ma miratoi “gjetjen” edhe gruaja. Pas dy javësh ai solli ngarkesën e dytë, por këtë rradhë na gjeti në shtëpi.
Ishte vjeshtë.



















