Suplementi Pena Shqiptare/ Bashkim Hoxha: Deshmitari i shkretëtirës (1988-2003)

23
Sigal

Ajo nuk e fshiu lotin. E la të dilte nga sytë e të rrokullisej lehtë mbi faqen, ndoshta të purpurt. Një lot tjetër i ngriu në qerpikë.

Penelopë! desh i thërrita dhe duke e përmbajtur veten nuk thashë më asgjë. E kuptova mirë Uliksin në kthim. Ia ndjeva gjithë atë dallgëzim që do t’i ketë vërshuar në trup e në shpirt kur ka zbritur në Itakë dhe ka takuar sërish dashurinë e tij. Ç’gjëmim do të ketë pasur brenda vetes së tij ngaqë nuk ka mundur të flasë. Sa mall! Pa zë do të ketë qarë mijëra herë. Një grua e plakur dhe një burrë i plakur përballë njëri-tjetrit. Në ëndrrat përkatëse secili prej tyre e ka përfytyruar tjetrin të ri. Përse erdhe, ka thënë Penelopa me dhembje, përse ma prishe përfytyrimin që kisha për ty? Përse kështu, ka thënë Uliksi i trishtuar kur ka parë atë gërdallë plakë përballë tij, unë të kisha ndryshe në ëndërr, në përfytyrim. Dhe ashtu të zhgënjyer që të dy, pasi u takuan e fjetën bashkë atë natë, nuk është e vërtetë se rrojtën me njëri-tjetrin përsëri. U ndanë. Dhe a e di se ku shkoi të nesërmen në mëngjes Uliksi? Të kërkojë përsëri Penelopën.

I përlotur, edhe unë mora rrugën përsëri.

Arbesa (?!) qëndronte ndanë murit me ato rroba të çuditshme që valëviteshin nga era. Ishte mbrëmje vonë. Era rrëmbente gjethe, rroba, njerëz dhe i niste në udhë përsëri.

Ende pa kthyer mirë shpinën, u dëgjuan disa zëra të çuditshëm.

Erdhën pastaj disa njerëz, se nga dolën dhe në çastin kur e kisha shpirtin plot nostalgji, nisën të më qëllonin me grushte dhe me shkelma. Më rrahën mirë e mirë.

“Plak matuf”, – dëgjova nëpër të. – “Guxo të ngasësh edhe një herë gratë tona!”

Grushtet ishin shumë të forta dhe më lanë shtrirë përdhe. Kur u përmenda, kisha përballë gjeneral Jakupin, i cili më dha urdhrin se duhej të largohesha menjëherë nga qyteti.

Qyteti K. dikur kishte qenë qyteti im dhe jo i tij. Ky urdhër më tingëlloi i çuditshëm, por sidoqoftë i pranueshëm. Edhe vetë e dëshiroja këtë largim.

Megjithëse, të them të vërtetën, ndjeva trishtim…