Suplementi Pena Shqiptare/ Bardhyl Londo: Pishat e buta të Golemit

575
Sigal

PISHAT E BUTA TË GOLEMIT

Pisha uniformëgjelbër.Skllevër të bindur.
Vetëm një komandë njihni,veshur jeshil si ushtarë:
një erë e lehtë të fryjë ktheni të gjitha fytyrat,
kur era pushon ktheheni si më parë.

Të gjitha një shtat,të gjitha një fytyrë
të gjitha një ëndër shihni çdo natë,
në dimër dridheni bashkë si një trup,
në verë si një trup djersitni në vapë.

Në resht iu shoh agimit të bardhë,
në resht prapë në mbrëmje nga ballkoni,
nga gjithë fjalët që kanë fjalorët,
vetëm urdhëro,si urdhëron dini të thoni.

Pisha të gjelbra,në një shtat,në një masë,
me një mendje,me një ëndër si robote,
ju kini lindur robër të përjetshëm
dhe robër do të ikni nga kjo botë.

Ju kini lindur për të qënë të bindur,
ju kini lindur për të qënë skllevër.
të paktën njëra të kish qënë pak më e gjatë,
të paktën njëra të kish qënë pak më e egër.

Të paktën njëra të kish guxuar të mos i bindej erës,
të paktën njëra mos ta kthente me komandë kokën,
të paktën njëra të kish mëndje të ëndëronte:
përse na kanë thirur? Ç’është kjo luftë e kotë?

Të gjithë njerëzit shëtisin vetëm apo bashkë,
të gjithë një nga një ose në çifte ecin,
ju njihni vetëm kuadratin milimetrik,
ju njihni vetëm rreshtin.

Askush nuk guxon të shikojë nimfat që lahen,
askush s’iu hedh sytë shtojzovalleve,
në mendje ju rri vetëm gjatësi e kuadratit,
rregullsia uniforme e rreshtit iu turbullon gjumin.

Pisha të buta të Golemit
kuadrate uniforme,memece,të heshtur,
ju kini lindur për të qënë skllevër,
ju kini lindur bukuri e vdekur.

VERË E MALLKUAR

Genocid shtetesh,
shtetrrethim detesh.

Qiell pa yje,
pa dalje,pa hyrje.

Duar përthyer,
në grushta kthyer.

Burgosur jeta,
e lirë vdekja.

Ditënata si burg,
njerëz kthyer në murgj.

Aeroporte shkretuar,
kufij të vetmuar.

Verë e mallkuar.