Qamil Gjyrezi: Plazhi i Velipojës dhe propaganda elektorale

66

Plazhi i Velipojës, ose propaganda elektorale e Edi Ramës!

Nga Qamil Gjyrezi

Duke lexuar statusin e zotit Dorjan Teliti me titull: “Turizmi në pikë të hallit, strukturat hoteliere të braktisura dhe pa mbështetje në ditët e tyre më të vështira. Në kulmin e sezonit, fluksi i turistëve arrin në rastin më të mirë deri në 50% të kapacitetit të saj, dhe kjo vetëm në fundjavë”, po shkruaj disa rreshta për plazhin e Velipojës. Sektori i turizmit është shumë i rëndësishëm për ekonominë e Shqipërisë. Plazhi i Velipojës është i rëndësishëm jo vetëm për qytetin e Shkodrës, por edhe për Veriun e Shqipërisë dhe Kosovën. “Rilindja” në këta 8 vite i ka varfëruar shqiptarët deri në palcë dhe shumë familje nuk kanë mundësi të bëjnë pushime edhe në ato hapësira që i’u ka dhuruar natyra, Zoti. Në plazhin e Velipojës sot pushojnë shumë pak familje nga Shkodra. “Rilindja” dhe Edi Rama e kanë varfëruar dhe injoruar Shkodrën. Që me ardhjen e “Rilindjes” në vitin 2013, është investuar shumë pak në Shkodër dhe në këtë plazh të rëndësishëm, jo vetëm për Shkodrën. Edhe rruga që është investuar ka mbetur përgjysmë, si pasojë e situatës së Covid-19, dhe problematikave me shpronësimet. Në të vërtetë Edi Rama do ta përdorë këtë rrugë për qëllime elektorale, për ta përfunduar në vitin 2021, duke bërë propagandë elektorale, si investim i “Rilindjes” për Shkodrën. Gjithashtu në Velipojë këtë vit në pikun e turizimit, u bënë prishje selektive politike duke ndikuar tek zhvillimi i turizimit dhe pushuesit e pakët në numër. Është interesant fakti që u dhanë përsëri leje shfrytëzimi për këta lokale të prishura brenda 20 ditëve. Ky model politik-elektoral i “Rilindjes”, po i bën vetëm dëme Velipojës dhe qytetarëve shkodranë. Qeveria e P.D.-së ka investuar në vitin 2010 në plazhin e Velipojës, duke bërë një plan rregullimi, rrugë dhe trotuare, ujrat e zeza dhe sheshin qendror me hapësira të gjelbëra. Në të ardhmen duhet një projekt afatgjatë 2030, për investime në plazhin e Velipojës për infrastrukturën dhe për t’i kushtuar vëmendje kësaj pike turistike, jo vetëm për Shkodrën. Rruga Ballkanike Lezhë-Ulqin do të sjellë gjithashtu një frymëmmarje tjetër për zhvillimin e turizimit në këtë zonë. Plazhe publike dhe private!? Në plazhin e Velipojës ka shumë plazhe private me “shezlongë” dhe sivjet në vitin 2020,  u krijuan edhe disa hapësira publike të cilat janë për pushuesit, që nuk përballojnë plazhet private. Edhe në këtë plan përfituesit e plazheve private ndikojnë negativisht  tek hapësirat publike në dëm të pushuesve të shumtë që nuk kanë mundësi të paguajnë për pushimet e tyre. Prandaj duhet një studim i mirëfilltë për plazhin e Velipojës, vëmendje për t’i dhënë rëndësinë që i takon dhe bashkëpunimin e pushtetit lokal me atë qendror dhe bashkëpunime rajonale me vendet e rajonit të Ballkanit. Vetëm qeveria e P.D.-së e zotit Basha, do t’i japë rëndësi kësaj pike të rëndësishme jo vetëm për Shkodrën, por për të gjithë ata që duan të pushojnë në plazhin e Velipojës. Në këtë nismë duhet të marrin pjesë edhe media lokale dhe kombëtare, për t’i kushtuar vëmendje zhvillimit të turizmit. Këtë vit kam ndjekur disa kronika televizive për plazhin e Tales në Lezhë dhe Shëngjinin dhe asnjë kronikë për plazhin e mrekullueshëm të Velipojës, që kërkon vëmendje e të gjithëve. Politika e zhvillimit, sidomos për zhvillimin e turzimit, nuk duhet të jetë politikë dhe propagandë elektorale, për një vend që aspiron integrimin në BE! Zhvillimi i turzimit duhet të jetë prioritet kombëtar!