Suplementi Pena Shqiptare/ Bardhyl Agasi: Vepra e Moikom Zeqos, Monument Kulture 

277
Sigal

 

Me rastin e dy vjetorit te ndarjes nga jeta

Me 15 qershor mbushen dy vjet nga dita e ndarjes nga jeta e Moikom Zeqos. Rrallë ndodh që edhe pas vdekjes, që të përmendet si ai çdo ditë në rrethet shoqërore, në biseda intelektualësh, që të mos shihet apo dëgjohet nëpër ekranet televizive, apo të ribotohen artikuj e shkrime të shumta të tij, por dhe shkrime e studime mbi veprën e tij. Kjo ndodh nga figura dhe personaliteti i tij shumëdimensional. Nuk ka ngjarje apo figurë historike ku ai të mos jetë prononcuar, nuk ka fushë të jetës dhe të veprimtarisë ku ai nuk u shfaq me kulturën e tij të gjerë, me talentin e tij të gjithanshëm, me mendimin e një intelektuali të klasit më të lartë, me qëndrimin e një karakteri të admirueshëm. Poet, shkrimtar, piktor, gjuhëtar, arkeolog, historian, politikan, studiues dhe enciklopedist, deri dhe sportist rekordmen. Moikom Zeqo ndoshta si askush tjetër jep shembullin e Njeriut të madh të së tashmes, për më tepër i së ardhmes, Njeriut lider në kuptimin më të plotë të fjalës. Si shok i tij prej mëse gjashtë dekadash që nga fëmijëria dhe deri në ditën e parafundit të jetës së tij, kur në bisedën e fundit telefonike lamë të takoheshim pikërisht në mëngjesin e largimit të tij të përhershëm, ndjehem krenar që kam patur fatin të mbetem deri në fund ndër miqtë tij m  afërm, që siç shkruante vete ai, ndoshta i vetmi shok që i kish mbetur nga fëmijëria. Lindur në të njejtin vit, në të njejtin qytet, në Durrësin tonë bregdetar nisëm rrugëtimin e miqësisë sonë të pandarë qëkur ishim në rrethin letrar të shtëpisë së pionierit. Për mua ai ishte jo vetëm thjesht shok dhe mik, por dhe një mësues, një frymëzues, një nxitës dhe mbështetës për botimet e mia. Pothuaj çdo mbrëmje të dy ishim bashkë, shëtisnim nëpër rrugët e Durrësit, shkonim deri në bregun e currilave. Janë të panumërta kujtimet me të, bisedat, angazhimet e përbashkëta. Me të drejtë ai mund të quhet qytetari numër Një i Durrësit, krenari e këtij qyteti. Rrallëkush tjetër ka mundur të kontribuojë aq shumë për këtë qytet me histori të lashtë, mijra faqe nëpër artikuj, studime, nëpër libra, nëpër leksione apo konferenca e seminare shkencore. Por Moikom Zeqo ishte i gjithë Shqipërisë: që nga Libohova e origjinës së tij  dhe i çdo qyteti apo krahine ku ai shkeli dhe takoi me njerëz të ndryshëm duke manifestuar thjeshtësinë dhe dashurinë e tij. Mungesën e tij e ndjejmë jo vetëm ne shokë dhe miq të tij, por të gjithe ata që e njohën dhe vlerësuan erudicionin e tij të gjerë, dijenitë dhe njohuritë e tij të thella. Dua të kujtoj një ngjarje ku ai tërhoqi vemendjen e një auditori të huaj. Ndodheshim në Samitin për holokaustin në Stokholm të Suedisë, ku merrnin pjesë delegacione nga të gjithë vendet e botës të kryesuar nga mbretër, presidentë, kryetarë parlamentesh etj. Delegacioni i kryesuar nga nënkryeministrja Zonja Çeço u caktua që gjatë një pushimi të vizitonte muzeun historik të mesjetës të Egjiptit dhe të Lindjes së mesme, krahas disa delegacioneve të tjera. Si ciceron shërbente vetë drejtori i muzeut, një profesor i nderuar. Gjatë spjegimeve të tij po shikoja se Moikomi nuk dukej aq i qetë. U them kolegëve të mi se për Moikomin diçka nuk shkonte dhe se po kuptoja ai mund të ndërhynte. Dhe vërtet, në një moment pauze nga vendi ku ishte ai ndërhyri për të plotësuar diçka në fjalën e drejtorit, duke tërhequr vemendjen e gjithë të pranishmëve të huaj. Nuk vazhdoi gjatë dhe ai përsëri ndërhyri. Drejtori i bëri shenjë që të afrohej dhe e ftoi ta merrte ai fjalën, duke ia liruar vendin. Ne fund drejtori e duartrokiti, pasuar nga duartrokitjet e të pranishmëve… Ai e falenderoi në sy të të gjithëve, duke i shprehur respektin për njohuritë e tij të thella. Dhe bëri çudi kur mësoi se ai ishte i delegacionit shqiptar. Kjo bëri që në hollin e madh të pallatit ku u mbajt Samiti Moikomi të mos mbetej asnjë çast vetëm me ne, por i shoqëruar nga bashkëbisedues të huaj, që i shfaqnin admirimin e tyre dhe që i kërkonin të komunikonin me të në një të ardhme të shpejtë. Këtë admirim e kemi parë në sa e sa samite dhe takime të tjera brenda dhe jashtë vendit. Multidimensionalizmin e personalitetit të tij ai e ka shprehur në të gjithë veprën e tij të gjithanshme. Autor i gati njëqind librave në gjini të ndryshme ai rradhitet në korifejtë e letërsisë shqipe, ku ai shkëlqeu veçanërisht me poezinë e tij aq origjinale, plot mendim filozofik dhe ndjenje qytetare. Krahas shumë librave poetike, ai me dymbëdhjetë vëllimet seriale, të titulluar MISCELLANEA, ka lënë një godinë shumëkatëshe poetike moderne. Asnjë tjetër nuk ka përdorur aq mjeshtërisht metaforën, saqë jo më kot e kanë cilësuar si perandori i metaforës. Shumëkush nuk e di se Moikom Zeqo ishte gjithashtu dhe një piktor i talentuar, një mjeshtër i portretit. Ai ka hapur disa ekspozita vetjake me punime të tij, që janë pritur shumë mirë. Ai është autor i disa portreteve, ku me i spikaturi eshte ai i nenes, vizatuar kur ai ishte 15, 16 vjec. Por shquhen dhe portreteve të miqve të tij, si ai i Kadaresë, Agollit, Cabejt, Poradecit dhe i poetit portugez Fernando Posua, pesë variante të portretit të Onufrit, që i ka kushtuar dhe studime të vaçanta. Madje nga shumë personalitete të arteve tona figurative pikturat e Zeqos janë cilësuar të përmasave europiane. Kontributi i tij si historian është nga më të vlerësuarit. Ai nuk është thjeshtë një historian i një periudhe të caktuar, por i të gjithave periudhave historike, duke qenë dhe një nga arkeologët më të njohur të vendit. Ai ka mbështetur dhe përmes studimeve të tij autoktoninë e shqiptarëve në trojet e tyre dhe ishte një mbrojtës i flaktë i historisë së popullit tonë, i kufive etnike të saj. Në mënyrë figurative ai ka përshkruar padrejtësitë që i janë bërë nga fuqitë europiane, që siç thotë ai…Gërshërët e rrobaqepësve të mbledhur në Londër prenë qefinin e Shqipërisë. Ai ngriti në monument përmes studimeve dhe ligjëratave të tij figurat e mëdha të kombit, periudhat më të lavdishme të historisë sonë. Si ish drejtor i Muzeut Kombëtar ai dha një kontribut të vyer edhe për ngritjen e pavionit të luftës antifashiste. Zeqo ishte dhe një politikan i madh vizionar. Ai do të kujtohet dhe për fjalimin e tij, krahas atij të Agollit në Kongresin e themelimit të Partisë Socialiste duke shtruar tapetin e ri demokratik të kësaj force politike, por që shërbeu dhe për fillimin e demokratizimit të shoqërisë shqiptare. Në një nga bisedat e tij të improvizuara me Makabe Zaharia ai ve në dukje se shqiptarët janë zotëruar nga demoni i politikës së ditës që artikulojnë simpatira dhe antipatira të kundërta politike. Zeqo duke qenë intelektual i klasit më të lartë është një nga lëvruesit më kryesorë të kulturës dhe si i tillë edhe një nga mbrojtësit më të flaktë të saj. Shpesh ai ka theksuar se është kultura ajo që e qytetëron dhe emancipon politikën. Por ai mban edhe një qëndrim kritik kur shprehet se -vetëm në Shqipëri ndodh që figurat më autoritare të artit dhe të kulturës nuk arrijnë dot ta ftillëzojnë dhe ta udhëheqin opinionin publik. Në këtë kuptim ai thekson nevojën e udhëheqjes nga mendimi intelektual, sepse nuk mund të ketë zhvillime të mëdha pa ide të mëdha dhe se vulgariteti politik nuk mund të konstruktojë dhe të lartësojë madhështinë intelektuale. Por në mënyrën më paradoksale ai një nga mendjet e ndritura të kombit u la për gati 15 vjet i papunë nga të dy krahët e qeverisjes, duke dëshmuar se për ruajtjen e pushtetit administrata shtetërore i trembet inferioritetit të saj nga mendimi intelektual. Mendimi moikomian është i nevojshëm aktualisht nga mjaft probleme me të cilat ndeshet realiteti ynë, si për luftën kundër korrupsionit, drejtimin e vendit nga forcat më të afta, problemin e forcimit të unitetit kombëtar dhe të zgjidhjes se problemit tonë kombëtar me integrimin europian të vendit. Ai hapjen e kufijve e shikon si të ardhme dhe jo si të kaluar. Hapja e kufive, thekson ai, është paqja dhe jo lufta. Shumë aktuale tingëllon sot thënia e tij se:“ Në një Europë pa kufij nuk mund të ekzistojë Ballkani me kufij. Por në të njejtën kohë ai shtron nevojën që krahas ndërkombëtarizimit dhe globalizimit të kulturës të tregohet gjithmonë kujdes për ruajtjen e kulturës kombëtare dhe të kultivimit të saj të vazhdueshëm. Duhen studime të veçanta për çdo fushë të krijimtarisë të veprimtarisë së gjithanshme të Moikom Zeqos, që kjo pasuri e madhe kombëtare që na la ai me përkushtimin e tij të jashtëzakonshëm dhe talentin e tij të fuqishëm, të njihet dhe të trashëgohet nga brezi në brez për një të ardhme të ndritur dhe sa më të kulturuar. Në këtë dy vjetor të ndarjes nga jeta jo vetëm e nderojmë me respekt dhe mirënjohje të thellë kujtimin e tij, por të bëhet nxitje për të gjithë institucionet tona, shtetërore, shkencore, letrare artistike, studimore që ta kenë punë të tyre njohjen dhe përhapjen e veprës së madhe që na la Moikomi ynë i madh.

 

Bardhyl Agasi