Në fund të viteve 1970 dhe në fillim të viteve 1980 institucionet e artit e të kulturës në Tiranë mbuloheshin nga një agjenturë që kishte, në nivelin e rezidentit, këta bashkëpunëtorë: Arbri, Besa, Romeo, Shpendi, Bufeja e madhe, Deti. Në nivel të bashkëpunëtorëve spikasin: Stilografi, Materia, Lahuta, Moisiu, Tavolina e punës, Tomori, Bistrica, Motori, Fani, Lapsi, Bredhi, Danubi, Kacabroku, Avioni, Aktori, Zbuluesi, Adriatiku, Butrinti, Piktori, Pojani, Studiuesi, Elektroni, Flutura, Kaltërsia, Dajti, Fatosi, Vullneti, Labëria, Tradita shqiptare, Vjosa, Holta, Mezi i Bardhë, Morfma, Hudhra, Sped, Fiku, Fasulja e Kavajës, Letrari, Fusha jeshile, Antena, Portieri, Mësuesi, Pedagogu, Futbollisti, Libri, Mushka, Ariu, Dhelpra, Krokodili, Bleta, Skilja, Lejleku, Korbi, Gjalpi, Djathi, Boza, Kosi, Qumështi, Lebetitja e nuses, Zotimi i burrit, Autokritika, Cigarja, Gaveta e vjetër, Djali i vogël, Kritiku, Studenti, Gropa e bajames, Pusi i Lezetit. Numri i përgjithshëm i agjenturës nga vitet 1944-1991 është 110 mijë bashkëpunëtorë. Fjalori i shqipes së sotme, me 34 mijë fjalë, lea 1500 faqe. Një Fjalor pseudonimesh nuk do t’i mjaftonte ky leksik, ai do të kërkonte rreth katër vëllime sa ky fjalor, ose rreth 10 vëllime 500 faqesh. Zot! – thua, edhe në qofsh ateist. – Ҫ’është kjo ushtri; mizeri, mushkonjëri, grerëzëri, moleri, vemjeri, krimbëri, hardhucëri, zhapikëri, nepërkëri, që gëlonte për të pickuar, kafshuar dhe helmuar ata që bënin vjersha, shkruanin tregime e romane, u binin kitarave e violinave, këndonin, bënin portrete e pejsazhe të bukura a luanin në filma – thjesht, që të gëzonin e zbukuronin njeriun e jetën njerëzore. Pas rënies së regjimit totalitar, herë pas here, kryesisht para apo gjatë fushatave elektorale, këto pseudonime shfaqen e zhduken në shtypin e shkruar. Njerëzia, me një kërshëri gati patologjike, vrapojnë nëpër kioskat e gazetave për të parë se mos, ndoshta, më në fund, bashkë me pseudonimet, janë përbri edhe emrat e tyre! Përsëri vetëm me emrin kur i kanë ripagëzuar dhe u kanë thënë të hedhin firmat e tyre. Po emrat e xhelatëve të tyre që shkelën çdo hyj e normë njerëzore, ku janë? Vetëm viktimat! Tallja bëhet edhe më e madhe kur shpallen në shtyp listat e deputetëve dhe ministrave, dhe janë po ato gazeta, që shkruajnë se, për shembull, Ҫiftelia, Qukapiku, Ҫorapja, Cigarja, Artisti, Liufeja e Madhe, Pusi i Lezetit, Korbi, Palltoja e vjetër… janë zgjedhur deputetë, kurse Sqepi, Dhelpra, Shishja e qumështit dhe Mezi i bardhe jane dekretuar ministra… Ti hutohesh nga dhjetëra pyetje, që të vinë në kokë. Nga cili komision virgjërie apo cila zyrë, dyqan apo han dalin këto pscudonime, që botohen në faqet e gazetave pa burime e i referenca? Përse pëlqehen kaq shumë nga partitë politike? Ku janë këto “dhoma zhveshjeje” apo garderoba misteriozc, ku njerëzit misteriozë të pseudonimeve ndërrojnë veshjet, lënë aty origjinalin, të vërtetën, dhe hedhin nga trupi lëkurën-pseudonim apo maskë për t’u dukur e zhdukur në publik, ashtu siç bën gjarpri, që lë në zgërbonjë a zgafellë lëkurën e dimrit, për të veshur lëkurën e re çdo pranverë? Të hapen dosjet! Të mos hapen! Të hapen … Loja dhe tallja vazhdon prej mëse tri dekadash dhe t’i vazhdon t’i përfytyrosh mizat, molat e mushkonjat a hardhucat tek lëvizin e rrëshqasin nëpër fletët e dosjeve. Megjithëse tanimë brima-brima e të zverdhura, ato, molat, mizat a mushkonjat vazhdojnë të ushqehen me dosjet, të gërryejnë me dhëmbë e të bëjnë krime të reja. Deputetë a ministra, tanimë ata janë edhe brenda dosjeve të reja me jetëshkrime ku, veç lëkurës-pseudonim, është edhe ajo e demokratit, madje edhe e antikomunistit. Dhe kryesorja: rrojnë mirë, shumë mirë. Si dikur. Jo pak prej njerëzve me pseudonime dhe punëve të tyre, ashtu sikurse kuislingët, bashkëpunëtorët e fashizmit menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, shkuan, u arratisën përtej detit, në Kanada, Suedi, Amerikë a kushedi ku, dhe atje, të mësuar me pseudonime, pas azilit politik, u shndërruan në demokratë, madje, edhe në antikomunistë edhe ata. Dhe rrojnë mirë. Shumë mirë. Si dikur…
Të hapen dosjet! Të mos hapen! Janë viktima, – thonë. Eshtë cinizëm, por edhe kurajë, të quash viktima ata që kanë shkaktuar viktima. Me ligj. Sigurisht me ligj. Askush nuk thotë pa ligj. Në emër të detyrës. Në emër të Partisë e shtetit.