Suplementi Pena Shqiptare/ Arjana Gabi: Erdha nënë Çamëri

97
Sigal

Erdha nënë Çamëri, erdha!
Erdha unë, mbesa jote nga Shqipëria.
Erdha të shoh pak nurin tend.
Erdha të shoh shtëpitë e mija.

Ullinjtë e plakur pa të zotët,
janë ar e shkuar, përmbi ar,
janë zilia e dushmanit,
janë të gjitha, me gjak larë.

Ferrat kacavjerrë dhe shkurret,
m’kanë zënë grykën e shtëpisë…
Aty ku gjyshi qante me ligje,
kujtimet e tij të vegjëlisë.

U ula pak, tek guri i portës:
Dy fjalë në heshtje, seç m’i tha;
Bijë e kësaj toke, mirë se më erdhe!
Ti je rrënja, dhe jo “ata”.

Një pikë loti padashur derdha.
Kujtova stërgjyshen time, Fajkanë,
që vdiq pa e parë më Çamërinë,
më të bukurin, vatanë.

Ish ajo fisnike grua,
filaqotja shamibardhë.
Kur t’i çoj lule tek varri,
Do t’i them, nga larg kam ardhë.

Vajta i putha, pragun shtëpisë.
Lule manxuraje mblodha,
t’u marrësh erë e të çmallesh,
Nga Filati, për ty i solla.

Me këtë tokë kam lidhje gjaku!
Eshtë e bekuar nga perëndia,
Eshtë e jona dhe do të jetë,
sa të jetë jeta, Çamëria.