Suplementi Pena Shqiptare/ Arjana Fetahu Gaba: Në jetë i njoha që të gjithë

16
Sigal

 

Ca miq i mbaj,
Ku mbaj “gjilpërë”,
Ca të tjerë,
Ku mbaj “krehër”,
Ca që i dija ,
Se i kisha për kokë,
E hapën për mua,
E ranë vetë në gropë.
Më të vërtetët,
Në zemër i ruaj,
Janë miq që qajnë,
Kur shohin që vuaj.
Ata janë të besës,
Janë melhem për plagë,
Por dhe unë për ta,
Turrem nëpër flakë.
Në sa hoje që ka zemra,
I vendosa miqtë që zura,
Në jetë i njoha që të gjithë,
Dhe se sa u vlen lëkura.

 

Ajo s’ishte thjesht një puthje

Ajo s’ishte thjesht një puthje nën dritë hëne,
Qe një re e butë, që më preku buzën e etur,
Ishte një çast sikur në kupën e qiellit
Të mbledhesh gjithë yjet që mezi kishe gjetur.
E të vishesh, me petkun e tyre të zjarrtë,
Të vallëzosh mes reve e dashuruar,
Ajo puthje, që më bëri të ndihem sikur,
Gjithë botën, e kisha në duar.

S’ishte një puthje dosido ajo,
Ishte një zgjim lulesh kur puthen nga dielli,
Ishte një tingull lahute ku oshëtijnë bjeshkët,
E të shohësh mimikën si habitet qielli.

S’ishte aspak e zakontë ajo ,
Zbrazi buzëve të mia, të ëmbël aromë ,
Mbaj mënd lëshova veten, krahëve të tij,
Si një mimozë e brishtë me shtatin e njomë.

Unë me atë puthje shpesh bëj çudi,
Si jetoi tek unë deri në thinjën time?
Vitet që më plakën janë tjetër çmenduri,
Ndërsa ajo puthje, mbeti thjesht sublime.

 

Mall

Ne më s’u pamë, as u këmbyem,
Si të mërguarit në shtegëtim,
I vetmi vend ku ti jeton,
N’limanin e qetë të shpirtit tim.

Jemi në dy skaje pa pikë takimi,
Ku janë të gjitha shtigjet zënë,
Veç një pjesë të zemrës time,
Te ty ta ruash, kam lënë.

Ndaj mos u ligështo për mua,
Nëse ndihem si re plot shi,
Unë s’do ta prishja shpirtin tënd,
As me vesë, kurrësesi.

 

Nëse ajo ngrihet një ditë

Ti e ngrite atë dorë pa mëshirë
Pa keqardhje grushtin shtrëngove,
Dhëmbët përcillnin fjalët e pista,
Thua se atë çast, u burrërove.

Në qoshe të murit gjymtuar,
Po e nënshtron egërsisht,
Ti s’mund te godasësh një grua,
Patjetër je, njeriu me bisht.

Si mundesh vallë, si ke guxim,
Me ç’të drejtë pështyn mbi të,
Ta nënshtrosh është i vetmi qëllim,
Që ajo mos të nxjerrë më zë.

Ti ke frikë prej dashurisë së saj,
Ke frikë ta shohësh kur lulëzon,
Ti je krimbi mbi mollën e artë,
Ndërsa ajo që guxon.

Nëse ajo ngrihet një ditë,
Ik sa më larg e mos u kthe,
S’mund të matesh me forcën e malit,
Ajo kthehet rrufe.

Rinia ime

Një ditë do të humbasë rinia ime,
Shkaras dhe pa të vënë re,
Mes viteve do të më bësh ziliqar,
Këtë s’do të kem turp që ta fsheh.

Do largohesh si nëper mjergull,
Sfondin mund ta lësh pa prishur,
Por nga pak fytyrën time ëngjëll,
Dhe mund ta kesh gërvishur.

Dhe unë do të ulem diku menduar,
Me çapat e mi ashtu të ngadaltë,
Si një relikë do t’i sjellë ndërmend,
Jetën time të gdhendur me daltë.

Pastaj do të gëzohem që munda,
Të zbukuroj timen jetë si desha,
Do t’kujtoj zvarritjet kur ngjitesha përpjetë,
Sa lot që dardha e sa shumë që qesha.

Një këngë do të marr ashtu shtruar nën zë,
Për dashurinë që qe e vetmja e vërtetë,
Do t’i kujtoj vetes time duke kthyer një gotë,
Se sa bukur e shkova këtë jetë.

Ndaj ikja jote rini, thjesht një jehonë,
Në horizonte akujsh s’kam frikë të vallëzoj,
Nuk më plakin vitet të lutem besomë,
Sa herë marr frymë aq herë dashuroj.

 

Rri këtë pranverë

Rri këtë pranverë, t’u luta mos ik,
Diellin ndaj me ty, dhe nëse nuk shoh,
Ylberet e shpirtit do t’i ndez për ditë,
Që ti të jesh I lumtur vetëm qëndro.

T’u luta sa Zotin mund të kem bezdisur,
Si një femijë t’u luta mos më lësho,
Ti s’pyete se sa shumë më kishe dëshpëruar,
Ndaj e pafuqishme, thashë vetëm shko.

Stuhirat më përplasën e më lanë pa ndjenja,
Koha nxiu terr e më lule s’kish,
Ylberët më si pashë qiejve të vetmuar,
Por unë kisha shpresë, nëse do ta dish.

Tani vonë për ty, të vësh dimrin në gjumë,
Ti vetë e mbajte zgjuar deri në pranverë,
Si mund të duash atë që le dhe ike?
Si mund të të besoj se s’bën më tjetër herë?

Në ç’grricë shpirt të mardhi që u ktheve papritur,
Nuk është aspak çudi t’i mbete po njësoj,
Unë dimrat e t’u kurrë si kam dashur,
Dhe jam munduar shumë se si t’i harroj.

Dhe një ditë pranvera më gjeti dhe mua,
Me aromë të saj më mbushi gjithandej,
Unë jam ajo që dashuritë i dua,
Por dhe keq në vjen që s’di si të urrej.

 

Faltorja ime sikur n’ Zot

Për ato rrudha që të ndrijnë ballit,
Më mori malli nëna ime
Të t’i puth të artat thinja,
Dhe duart plot mundime.

S’u ngapa dot nga era jote gushës,
As nga zëri yt i ngrohtë,
N’lëkurën time ndjej mornica,
Dhe trupit kam të ftohtë.

Kokën ta ul atij prerit tënd,
Faltorja ime sikur n’Zot,
Të më dëgjosh kur kërkoj falje,
Që nuk kam mundur t’i them dot.

Të kthehem si fëmijë të qesh,
Pa kokëçarje e pa frikë
Mjafton për pak vetëm pak,
Të rri me ty e të mos t’ikë.

Pastaj t’më fshish me lotë e syve,
T’më thuash çdo gjë do bëhet mirë,
Mjafton vështrimi yt i butë
Që unë të kem shpirt të lirë.

Bëmu ti një valë

Bëmu ti një valë e m’u mbështill belit tim,
se më lëkundet si një gjethëz verdhur vjeshtës,
e kam frikë se këputet,
sepse erërat nuk kanë se ku trokasin,
ato fryjnë pa lajmëruar ardhjen,
dhe stuhitë e stinëve,
nuk vijnë butë,
e nuk janë fllade nga ato që përgjonin duart e tua,
flokëve të mi derdhur gushës.

Ti,
ti mund të bëhesh një valë,
pastaj të më puthësh,
sikur puthet bregu verës së nxehtë,
dhe kupton që s’ka mbetur vetëm.
Ti e di që shkumës,
ja dua ato bulëzat e vogla që plasin, teksa më zhbirojnë të gjithën,
dhe unë,
unë ndjej një përkedhelje,
që më rrënqeth ëmbël.

Ti,
bëmu një valë me ca psherëtima detesh,
e me rreze të diellta  përflakur perëndimesh,
hajde më thuaj në vesh,
se ç’të sjell tek unë,
ndërsa unë,
unë të premtoj,
bregun tim të shpirtit,
bashkë me afshet e ngrohta të një vajze valësh

 

Një gotë

Një gotë të lutem,
Se po mbytem,
Nga më e forta raki që ke,
Në pus të thellë,
Kam rënë pa ditur,
E dot s’po prek më dhe.
Të jetë e nxehtë,
Sikur ai prush,
T’më djeg sikur thëngji,
Se ndoshta zemrën që mbeti vetëm,
Ma zhurit der në hi.
Veç mos më pyet,
Tek më shikon,
Se më shumë lëndon,
Kam frikë se më humbet burrërria,
E lot i nxehtë shpëton.
E kthej një gotë,

Një tjetër plot,
Akoma dhe një tjetër,
Unë ndodhem prapë,
Një i pa shpresë,
Në vendin tim të vjetër.
Në mjekërr tashmë, s’jam çunak,
Të qaj s’e kam zakon,
Më jep  një gotë të mbytem fare,
Se ndoshta, diç shpëton
Por sot, sa dhemb,
Malin e shemb,
Se s’ështe i vogël gjemb,
Por është një thikë,
Qe e kam frikë,
Një plagë që s’do të ikë.

Si sot,
Një mot,
Qëlloi
Dhe shkoi…
Ajo,
Unë prap i dashuruar,
Sytë ma kërkojnë,
Ngado.
Sa keq që zemra,
S’më kthehet n’gur,
Do t’ish më mirë, shpëtoj,
Raki të keqen,
Më bëj të lutem,
Gjithçka unë të harroj.

 

 Të thjeshtat gjëra ku shkuan?!

Pse gjërat e thjeshta nuk kanë më vlerë,
Dikur kish dashuri dhe një kurorë,
Mjaftonte të thurje me duar gërshet,
Ca luleborë.

Ku shkuan gjërat e thjeshta,  ku vanë ,
Kur qeshje me lot e me shpirt,
Ku shkuan skuqjet e vajzave në fytyrë,
Kur u flisje për dashuritë.

Të thjeshtat gjëra ku shkuan,
Ato trokitjet në derë pa lajmërim,
Kur mikut i nxirrje ç’ka kishe gatuar,
Dhe në sy kishe gëzim.

Ku shkuan gjërat e thjeshta, kam mall,
Sa shumë qënkam rritur,
Po tjetërsohem dalëngadalë,
Duke pritur.