Suplementi Pena Shqiptare/ Alma Zenellari: Që atëherë!

S’mbaj mend kur ika nga ti!

S’mbaj mend kur ndala së dashuri ty!

NOA

Di veçse që atëherë mallin shtrëngoj buzève,

dhe loti yll më digjet në sy…

 

Që atëherë humba veten time!

Zemra ime ngushëllim dot s’po gjen.

Sytë e tu nuk i shoh më askund.

Fytyra jote nëpër ëndrra s’më vjen…

 

Di vetëm se bota e tëra m’u shkërmoq në duar,

dhe kënga vdiq buzëve të mia.

Pranverat në shpirtin tim s’kanë lulëzuar.

Shpirtit tim që atëherë i mungon liria

 

 

S’mbaj mend kur ika nga ti!

S’mbaj mend kur ndala së dashuri ty!

Di veçse që atëherë shpirti më është rrudhur,

dhe bota s’më hyn më në sy!

Ka kohë që yje e hënë
s’i kundroj më…

 

S’më thonë asgjë!

 

 

Gjithçka ishte ndryshe !

 

Kur ti më doje

gjithçka ishte ndryshe,

edhe erërat, edhe stinët,

edhe zogjtë ishin ndryshe.

edhe flladi, edhe yjet , gjithçka.

Unë bëhesha trëndafil,

drithëronin petalet mbi fytyrën tënde.

bëhesha pemë,

gjelbëroja e zgjohesha kraharorit tënd.

 

Kur ti më doje,

të ndjeja fllad mes krahëve,

mes flokëve,

qëndisja ëndrra mbi sy , buisja e tëra,

bëhesha syth, gjethe e kuqe, fole

ndjeja dritën tënde si zbriste nëpër sy ,

papritur ulej përmbi buzë,

dhe digjesha kometë,

dhe digjesha yll,

dhe ndihesha e gjallë shpuzë.

 

Kur ti më doje,

dhe shiu më dukej i bukur!

A thua shirat s’janë të tillë?

Unë padyshim kthehesha flutur,

mbi tokë shfaqeshin lulet,

ato që zakonisht lulëzojnë në prill.

 

Kur ti më doje,

zëri yt më bëhej këngë,

rreth meje gjithçka përndritej,

fytyra jote i ngjante diellit,

dhe zemra ime bëhej me krahë.

Nē duart e tua kthehesha zog,

që renë si fole kërkon mes qiellit.

 

Sa bukur kur më doje!