Suplementi Pena Shqiptare/ Alma Zenellari: Lirikë malli

42
Sigal

Do të pres!

Ja këtu,

tek ky kënd, tek kjo dritare

ku vjen butë një rreze diell,

ku më puth pak dritëz hëne.

 

Ja këtu

do të pres!

Pranë selvisë ku fryn një erë.

Era degët ia përkul,

por selvia zë nuk nxjerrë.

 

Mos vono!

Brenda zemrës klith një mjelmë,

unë e tëra sy që qan.

Unë e tëra mall e breng,

dallgë që vdes mbi oqean!

 

Ja këtu ku çel një ëndërr,

nuk do të lodhem.

Do të pres!

Ti nga larg pa fjalë, pa duar

si një pemë në vjeshtë, më zhvesh.

 

Babushi

 Sa herë ulem pranë teje,

reja e shikimit tënd

bie në fund të shpirtit tim.

Trazon nyjet e mpleksura të dhimbjes sime…

Ti bën gati një tufë rrëfenjash të përmallta,

me aromë ftonjsh e vadhëzash,

për mua.

M’i lë në prehër si yje,

zbritur nga qiejtë e zhurmshëm

të fëminisë.

Unë dëgjoj rrëfenjën tënde,

që s’më lodh kurrë,

Dëgjoj si rrëzohen

gjethet e mendimeve të tua,

i mbledh një nga një,

si thesare brenda kraharorit,

si prush, si zjarr i ndezur në vatër.

Më duhet ky thesar, ati im

Rrëfenja jote më duhet,

për të përballuar të gjitha stinët e jetës sime,

sepse pa ty, ato s’do të jenë më katër…

Sa herë vij tek ti,

flasim nga pak ashtu thjeshtë,

sepse nuk dua fjalët të rrallohen,

si lejlekët që ikin në fundvjeshtë…