Imzot Noli besonte se zgjimi artistik me anën e muzikës, hollësimi i shijes, krasitja e mendjes së lopësuar të shqiptarit të sotmë me harmoninë e tingujve, janë vepra, që meritojnë lëvdatat më të mira. Njihet mbështetja e tij konkrete për veprimtarinë e bandës “Vatra” në Shqipëri në vitet 1920-1924 si dhe planet për krijimin e disa institucioneve muzikore në këtë periudhë.
Vlen të përmendet kujtimi që sjell Thoma Nasi gjatë qeverisjes së shkurtër të Imzot Fan S. Nolit si kryeministër i Shqipërisë (16 qershor-24 dhjetor 1924). Ai thotë se Noli ëndërronte të themelonte një konservator muzike për të rinjtë shqiptarë dhe për këtë i kërkonte që të sillte nga Italia një grup muziktarësh të klasit të parë, për të dhënë mësim dhe për të krijuar njëkohësisht edhe bërthamën e parë të një orkestre simfonike të Shqipërisë!
Konica e përforcon atë kur thoshte se: Fan Noli jo vetëm është i ditur në muzikë, po ka zotësinë e rrallë të stërvitë të tjerë në atë mjeshtëri të bukur, dhe t’i stërvitë në pak kohë. Ç’humbje për Shqipërinë, që një njeriu të atillë nuk i jepet rasti të organizojë stërvitjen muzikale të popullit në shkolla të vendit !




















