Në një kënd të Muzeut të Luftës
Mbyllur me kujdes në xhame
rrinë e çlodhen prej udhëve të gjata
Opingat e një dëshmori, rënë në male…
Moj opingë e shqiptarit, opingë,
E shkove tërë jetën në luftra e udhë
Me netë të rënda robërie arnuar
Por hovin s’e ndale dot kurrë!
U hëngre në kohëra me çizme e tanke!
Ngarkuar shkëlqime e bujë plot,…
Po nga udha e nisur njëherë s’u ndave.
Ajo udhë – më e ndershmja në botë!…
S’e ndale vrapin në vite dhe shqota,
armiqtë duke ndjekur si era.
Gjurmët e gjakut që lije nga pas
si lule i rriste pranvera…
Le gjurmë në jetë e udhë ti çele.
Shtigje të reja i hape lirisë,
që të ecte në to i lirë hapi ynë;
Marshimi vital i Shqipërisë…
Dhe sot kur hapat trokasim mbi tokë
a shëtisim netëve të lumtur, të qetë?
Opingën e dëshmorit e ndjejmë ndër këmbë
dhe ecim të sigurt, të lehtë…






















