Suplementi Pena Shqiptare/ Akademik Artan Fuga: Murgu

560
Sigal

Atij iu duk se edhe Ati e la, nuk ka rëndësi në e kishte lënë apo jo, ashtu e ndjeu Ai, dhe e përballoi. E kishin dënuar si mashtrues, ndërkohë nuk kishte asnjë dyshim se ishte në rrugën e drejtë. Të gjithë ata që kishte shëruar rrugëve me pluhur a në banesat e tyre, të gjithë ata që e kishin dëgjuar me përdëllim, e që kujtonte se i kishte në anën e Tij, ishin zhdukur nga horizonti. Gjithkush fshihej duke mohuar çdo lidhje me të. Nuk i dënonte, i kishte falur sepse poqese do të ishin ndryshe, ata nuk do të kishin pasur nevojë t’a dëgjonin kur ai u fliste duke u thënë mos kishin frikë nga vdekja. Anash Tij një hajdut ordiner i kryqëzuar edhe ai, por sa shpejt i erdhi falja. Jo Atij! Kush e falte atë! Nuk u mërzit që mbeti vetëm me vdekjen sepse njeriu e pranon këtë thjesht sepse të gjithë vdesin. Të tijët e kishin çuar në Kryq sepse Ai besonte diçka tjetër që ata nuk e besonin. Miku më i ngushtë iu përbetua se do të qëndronte me të kur e lidhën, por Ai i tha se para sesa të këndojë gjeli i parë do t’a kishte mohuar tri herë. Ashtu doli, por Ai nuk e bëri fare veten. I vetmi që e puthi, ishte ai që e kishte tradhëtuar. Të braktis miku dhe të puth armiku. Por, Ai nuk kishte armiq në botën e shpirtit. Në ato çaste vetëm nëna dhe e Mira i kishin qëndruar pranë. Ndofta edhe ndonjë grua tjetër. Nëna që nuk trembej nga asnjë romak meqë nuk kishte çfarë të humbiste më. Ajo i besoi deri në fund. Të tjerët kërkonin prova. Ajo i besonte pa prova që është forma hyjnore e besimit, të cilën njeriu i vockël nuk mund t’a ketë. Ah, një e therrur në kraharor. Një heshtë ngulur. Romaku nuk mund të lejonte që dikush të duronte qetësisht në kryq e të sfidonte dënimin. Ky Njeri duhet të vdesi përpara sesa të sfidojë Vdekjen. Ai ishte bir i Zotit, por vdiq si njeri i thjeshtë mes përbuzjes, braktisjes, harresës, hajdutëve, moskuptimit, pranimit që idetë t’i provonte mbi trupin e vet, talljes, vetmisë, dhe një dashurie pa kushte të Atit që e shihte nga larg dhe provonte forcën e tij, një nënë që pranon humbjen e Tij në ngashërime pa i kërkuar asgjë dhe besimit se Ai do të rikthehej pa asnjë hakmarrje, pa sharje, pa qejfmbetje, i kishte falur të gjithë sepse e dinte se çfarë ishin!