Suplementi Pena Shqiptare/ Agron Mema: Miho Gjini “MJESHTËR I MADH”

Shënime nga leximi i librit “ Një natë e ndyry’’- Përmbledhje me tregime të zgjedhura me autor

Nuk ndalet kritiku dhe shkrimtari bregas nga Piqerasi i bukur jonian, Mjeshtri i Madh Miho Gjini, së shkruari dhe së botuari perlat e tij artistike. Së fundmi kemi në duar veprën e tij letrare ‘’ Një natë e ndyrë’’ me përmbledhje tregimesh të vetë autorit. Fillimisht të duket si një titull intrigues që lundron në ujërat e metaforës dhe personifikimit si detaj letrar, por kur zhytesh në faqet e leximit, beson se ky është një realitet, nuk është ëndërr dhe as trill frymëzimi, fatkeqësisht realitet, ndonëse i ndyrë e me erë të kutërbuar, por i prekshëm deri në palcë duke shkaktuar dhimbje dhe lotim. Mënyra se si Miho rrëfen, i ngjan një reje puplore, që brenda vetes pret të nxihet me rrebeshe dhe të shfaq rrufetë e gjirit të saj, i ngjan asaj reje që mbyll rrezatimin e dritës diellore. Largon për pak çaste diellin përvëlues, por nuk të lë t’a harrosh atë, se ajo ikën e mbuluar nga retë, por rikthehet përsëri me inat më përvëlues. Kujdesi duhet nga rikthimi i saj zhuritës. Dhe për këtë, kujtesa është mbrojtja më e bukur e më e sigurt, por jo mburojë hermetike dhe as heshtë goditëse. Është veprim për ecjen përpara dhe këtu shkrimtari është brenda kornizës së misjonit të krijuesit artistik. Ecjen pra , por pa harruar të djeshmen dhe dashuruar jetën. Miho nuk denoncon si hafije atë realitet të hidhur që ka përjetuar dhe as merr rolin e avokatit. Por ai futet dhe gërmon tek mistikja, tek rebusi i këtij realiteti për të sjellur jo vetëm të dhimshmen dhe të fajshmen, por edhe të bukurën dhe artistiken me forcën e fjalës artistike. Ai nuk ka kohë të ankohet e qaravitet, por ka akoma forcë të përcjellë me dashuri e mënçuri të bukurën e jetës. Ndaj edhe nuk ndalet, ndonëse pensionist e në moshë të thyer, përsëri në punë duke j’u përgjigjur jetës, proçeseve demokratike, lirisë në çdo dimension, besimit tek jeta, me gadishmërinë për të qenë shërbestar i përcjelljes së ndjenjës dhe bukurisë jetësore dhe artistike në shpirtin njerëzor për t’i fisnikëruar e zbukuruar më tepër ato shpirtra të vyera. Ndaj ku nuk gjendet, në çdo skenë teatri, antikë dhe modern, në shumë vende të botës. Ai gjithmonë është i gatshëm, përherë i papërtuar, gjithmonë i nderuar e i respektuar në punën që bën. I thjeshtë e i dashur, i sinqertë e i respektuar, i drejtë e i ndershëm, punëtor e i apasionuar, model i pastërtisë dhe elegancës krijuese, këto janë disa nga cilësitë karakterizuese në punë, krijimtari dhe shoqëri. Në libër sillen copëza jete tepër të dhimshme, që trondisin shoqërinë dhe shkaktojnë fytyra të vrenjtura, lot e pikëllim në zemër dhe brenga në shpirtërore. Vëllimi ‘’ Një natë e ndyrë’’ ka në vetvete të strukturës një përmbledhje të kujdesëshme që të jep fuqishëm biografinë e një njeriu që do jetën, ka vuajtur dhe është përballur pafajësisht me drama që i kanë tronditur ashpër jetën, por dashuria dhe besimi tek jeta e bëjnë tepër racional dhe të sakrifikojë në emër të saj, megjithëse dënohet, nuk i lë të zbehen ngjyrat e jetës. Retë përkohësisht e mbulojnë diellin. Ndaj realitetet në tregimet e këtij vëllimi shfaqen në llogoret më të paskrupullta të tij, në kushtet makbethiane, aq sa të gjitha mbretëritë mizore do t’a kishin zili. Zbardhen me penelin e artit, me magjinë e fjalës së penës që dalin nga Mjeshtri i Madh Miho Gjini, të gjitha tmerret që njeriu-shtet i shkakton njeriut-Perëndi. Një rrëfim që dhëmb e mbetet dhimbje dhe nuk metaforikohet në lotë, por në një kristal diamanti në qafën e kujtesës njerëzore plotë dritëza reflektimi dhe kontrasti. Një rrëfim që papërkulshmëria burrërore dhe besimi tek vetvetja, tek e drejta, besnikërisht kthehet në një margaritar i vyer si një përvojë dhe model jete të një personaliteti me karakter njerëzor. Mesazhet mbeten udhërrëfyese për këdo që jeton me moton dhe misjonin e të qenit NJERI. Rrëfime që i duhen jetës jo si relike muzeale, po si udhëdrejtues në rrugëtimin e jetës. Befasia e gjuhës letrare, stli sintaksor, kapërcejnë kapriçot dhe ndërgjegjien personale. Njeriu i përket vetes dhe të gjithëve. Duke punuar për vete dhe për emrin tënd, u shërben të gjithëve, duke u shërbyer të gjithëve ke respektuar veten dhe zë vendin që meriton në shoqëri. Mes tregimeve jepen realisht skena të trishta nga një fëmijëri e vuajtur nga fukarallëku, vështirësitë për t’u arsimuar, fëlliqësitë e ndyrësitë e një sistemi që predikoi ‘’ Njeriun e ri’’, por shpërfytyroi edhe ‘’Njeriun e vjetër’’Tjetër vlerë kjo që Miho sjell në këtë vëllim të një udhëtimi biografik të zgjedhur kujdesshëm e me nikoqirllëk piqerasjot, sillen zhgënjimet e mëdha dhe peripecitë sfilitëse të jetës së emigrantit deri në vuajtje. Por sjell edhe aq detaje të bukura e të buzëqeshura ëmbël. Po të marrim në mënyrë ilustrative të këtyre shënimeve një prej tregimeve ‘’Adio Xhulia R……’’Autori sjell me art e ndjenjë panoramën e zymtë të paragjykimit të femrës shqiptare në emigracion. Por sjell në vetvete e deklamativ edhe krenaritë dhe vrushullimin e gjakut shqiptar në deje si papranueshmëri të këtij realiteti fyes dhe hakmarrës, mes një paralelizmi nga jeta e femrës greke në Amerikë, trondit shpirtin e pronares greke duke i dhënur edhe një mësim të mirë se kjo tragjedi sociale dhe shoqërore prek të gjitha shoqëritë dhe popujt e varfëruar ekonomikisht për faj të qeverisjes së keqe dhe jo të tyre, dhe kjo s’ka të bëj me racat apo kombet e ndryshme të botës. Por krahas këtij leksioni teorik, zonjës greke i jep edhe mësimin praktik, pasi zonja bie shpejt viktimë e emocioneve dhe ndjenjave të saj duke u kredhur gjithë epsh në krahët e emigrantit shqiptar. Por nuk mbaron këtu krenaria dhe sedra. Më emocionale është mosmarrja e parave që zonja i ofroi si shpërblim nga kënaqësia e seksit që i dhuroi emigranti. Por emigranti nuk i merr duke i thënë se : ‘’ Shqiptarët janë të varfër, por nuk e blejnë qejfin’’. E po këtë ritëm emocional mbajnë të gjitha tregimet e librit ‘’ Një natë e ndyrë’’. Dhe këto perla jetësore do t’i sjellë pena brilante e Mjeshtrit të Madh Miho Gjini duke formuar edhe një opinion të plotë se ai është një patriot, një njeri i kulturuar dhe i edukuar, i ndërgjegjshëm dhe kompetent, tolerant dhe humanitar, i drejtë e i ndershëm, i thjeshtë dhe serioz, i përkushtuar me dashuri të zjarrtë e me angazhim të madh, ndaj kemi vepra të tilla letrare që të mrekullojnë me leximin e tyre. Urime dhe suksese Mjeshtri i Madh Miho Gjini! Jetofsh sa më gjatë e shëndetshëm për të na dhuruar sa më shumë vepra të tilla që të mrekullojnë e të shtijnë në meditim.

 

Sigal