Suplementi Pena Shqiptare/  Agim Shehu: Të dashurës nga një Matematikan

59
Sigal

Ty po të drejtohem, vajzë moj syzezë!
Më do a s’më do, kjo është hipotezë.

Pamja jote e ëmbël, porsi teoremë;
kur të shoh përpara, sikur zgjidh probleme.

Ti je elegante si ekuacion;
mesi yt i hollë, porsi ypsilon.

Supet delikate, pika infleksioni;
qafa si cilindër, koka si trung koni.

Hunda si segment, posi rreze drite,
veshët simetrike, balli si orbitë.

Buzët si elips, mjekra si kupole,
sytë si dy vatra, vetull parabole.

Ç’mi ke ndarë aq bukur flokët si spirale,
moj t’u thaftë dora si me simetrale.

Rreze rrezatojnë syt’ e t’u të qeta,
njeri rreze alfa, tjetri rreze beta.

Për ty psherëtimat që dalin rrethore
hapen valë-valë si rrathë bashkqendrore.

Unë e ti një thyese lidhur në një bosht
ti numerusi sipër, unë emërusi poshtë.

Po s’ta bëra jetën diell si pranvera,
ç’vite më janë taksur m’i shumëzoftë zerua.

Dashurisë për ty mos t’i shuhet vapa;
çdo fjalë që të thuash do ta fus në kllapa.

Dhe, oh si do rritet me hapa ritmike:
sot fuqi katrore, mot fuqi kubike.

Bukuria jote bukuri limit;
m’i përndau mendë gjer në infinit.

Me trete formulë, me shkrive të gjallë,
si një copëz akull në plus njëqind shkallë.

Folmë shpirti im, shpirt në maksimum,
se pa ty s’kam gjumë as në minimum!