Suplementi Pena Shqiptare/ Agim Bajrami: Aroma e një gruaje

32
Sigal

Aroma e një gruaje

(Nga lirikat e dimrit )

Sëbashku me mbrëmjen, u shfaqe

dhe ti

O zot sa e bukur m‘u duke!

Gjithë dhomën përrreth e mbërtheu

një zjarrmi.

Dhe një joshje për puthje

mbështjellë e tëra me aroma.

(Ti s’kundërmon kaq për të tjerë)

Mbi sytë dhe vetullat e holla

u ul, të prehej një ylber.

Sa herë që ti nxirrje një fjalë,

ai shtonte dhe një ngjyrë!

Unë pranë t‘u qasa me ngadalë

të t’shihja ca më mirë.

Dhe ndofta këtu ishte gabimi.

E keqja për shumë gjëra

se befas humba ekuilibrin

pa ditur më se ç’bëra!

Ndofta fajtorë kanë qenë ylberët

a më verboi aroma?

Kjo botë ka gjëra plot mistere

që s’shpjegohen akoma.

Sëbashku me hënën u shfaqe

dhe ti.

( O zot , ç’mrekulli më je dukur! )

Unë ende vazhdoj që të kem

prapë zjarrmi

dhe aromat e një gruaje të bukur.