Suplementi Pena Shqipatre/ Mimoza Çobo: Guxoj të të puth , se të dua!

122
Sigal

Guxoj të puth rrënjët e shpirtit, se të dua!

Dua fuqinë legjendare, që rrezaton si burrë.

Guxoj të admiroj nurin e bukurive të tua,

nurin e thjeshtësisë, që nuk vyshket kurrë.

Guxoj të çel gjoksit, si trëndafil i mesnatës,

kur hap petalbutën e puthur nga hëna,

të më përpijnë flladet e trupit gjatë natës,

të bëhem Evë, mbi mollët e ngrëna.

Guxoj të puth syrin, që më shigjetoj mua,

vështrimin qelibar, që s’e ka asnjë burrë.

Guxoj të zhvesh gjoksin dhe me ty të luaj,

se nuk dua të vdes pa lënë aty gjurmë.

Guxoj të puth zemrën dhe më të mos vuaj,

nga meraku se çfarë do thuash për mua.

Pastaj do të lë të rendësh, si kalë i harbuar,

të gjesh thesare, që askush s’i ka zbuluar.

Guxoj të puth rrënjët e shpirtit, se të dua,

dua fuqinë legjendare, që rrezaton si burrë.

Guxoj të admiroj nurin e bukurive të tua,

nurin e thjeshtësisë, që nuk vyshket kurrë.

 

Më mbaj fshehur në gjoks

Ah, sikur të më mbash, gjoksit fshehur,

gjersa të fashitet, ky dimër i egër!

Askush të mos gjejë, gjurmën e patretur,

veç dashurisë, që më bëri grua tjetër.

Më mbaj gjirit, me aromë mushti,

thellësive të eshtrës me afshe gushti.

Vetëm pak çaste, fare pak, dua unë,

t’i përvidhem dimrit me lak kurthi.

Të ndiej zjarrin e gjoksit, ku teret bryma,

prushit t’i fryjë, sa të më tretet fryma!

Të shkrihem brinjëve, pa bërë zhurmë,

kur bota e tërë, të ketë rënë në gjumë.

Dhe kur të fashitet, ky dimër i hidhur,

mos më largo nga gjoksi me tallaze,

me fijet e universit tënd, ma mbaj lidhur,

shpirtin tim rebel, me stuhi ekstaze.

Të ndiejmë vlagën e tokës, kur teret në diej,

afshet e pranverës, kur sythet shpërthen.

Të bëhemi Zogj Parajse e të turbullojmë qiejt,

me rigëtimën e shpirtit, që dashurisë i jep jetë.

 

Të digjem në zemrën tënde

Ti më ndjen kur hyj fllad në zemër,

ndjen si çelin befas lule venoze.

Në oazin e tyre jam e vetmja femër,

që vishem me fije të holla fibroze.

Se më tërheq era e rrënjës së zemrës,

era karizmatike e trupit të zhveshur,

teksa më shtrydh si kokrra e mjedrës,

afron dy buzët, që digjen pareshtur.

Pastaj drejt barkusheve më çon mua,

se ç’thëngjij ndez aty, as unë nuk e di!

Se ç’erë fëshfërinë mbi bukuritë e tua,

këtë mister epokal vetëm ti e di…

Ndaj kur hyj në zemër digjem në erë,

se ti zbret, si llavë mbi lëkurën rozë,

në çast bëhemi hi dhe rilindim në eter.

Vdekja në dashuri është metamorfozë.

Çdo ndjesi sensuale që ka zemra jote,

është krijuar për të më qetësuar mua,

për t’i dhënë njerëzimit edhe kësaj bote,

dashurinë që rrjedh nga venat e tua.