Suplementi Pena/ Dritëro Agolli: “Malli për heronjtë” dhe “Në Parlament!” ku bëhet zhurmë

97
Sigal

“Ç’digjeni nga malli për heronjtë?

Kushedi kur kthehen nga kjo anë!”- profeci e Dritëroit …

 

Malli për heronjtë

S’ka heronj , heronjtë i përzumë!

Me lavdi përditë i nanuritëm

dhe, me lajka dalngadalë i vumë:

një nga një në prehje dhe në gjumë.

 

S’ka heronj: heronjtë u mërzitën.

Prisnin ëndrrat, ëndrrat u vonuan .

Duke pritur heshtën dhe dremitën

Dhe, ne nina-nana u kënduam.

 

Ç’digjeni nga malli për heronjtë?

Kushedi kur kthehen nga kjo anë!

Ç’i kërkoni? Pritja është e kotë!

S’ka heronj, tani ka pehlivanë!

I përndjekuri i dashurisë

Unë jam i burgosuri yt.

Rroj me prangat që ti m’i ke vënë!

Po çudi, as qelia s’më mbyt

dhe, s’më mbyt as dritarja e zënë.

 

Kur ti prangat m’i hodhe në mish,

unë i putha duart e tua,

Është rast i pashembullt ta dish,

që xhelatin ta puth e ta dua!

 

I përndjekuri yt erotik,

i përndjekur të mbetet gjithmonë!

Erotik i mirë a i lig,

hidhmi duart në fyt, torturomë!

 

Ky burgim sa do zgjasë s’e di!

I përjetshëm do kisha dëshirë.

Veç ti eja më shpesh në qeli,

të përndjekurit tënd i vjen mirë…

 

Dëshira

O toka ime, që të lërova e të thura këngë,

që ta kam dashur plisin dhe barin,

që të kam fshirë me duar dhe mëngë,

ku do ma bësh varrin?

 

Më mirë ma bëj në ndonjë brazdë,

apo mbi ndonjë përrua ndofta,

ku të tundë bishtin një laraskë

Duke më sjellë lajme nga bota,

Nga bota që e pata të mbyllur sa rrojta!

 

Në Parlament !

Vij në parlament ku bëhet zhurmë

dhe, qëndroj i heshtur si guhak.

Gjëra që s’më duhen gjej aq shumë!

Gjëra që më duhen marr kaq pak !

 

Ndaj vërtitem turbull si në gjumë,

Them me vete: s’piva një konjak !

Gotë e pijeve kushton kaq shumë,

shishe e fjalëve kushton aq pak!

 

“ Nuk jam as i pari dhe as i fundit që po ua marr hua gjyshërve këngët e tyre . Këtu është edhe shpirti im i përzjerë me të gjyshërve.”

Dritëro Agolli

 

Që nga majë e malit

Që nga majë e malit ,

ta shtira dylbinë.

Pas dritës së llambës,

ta pashë stolinë.

 

Në gjysmën e ballit

të binte shamia!

M’u në dorën time,

seç më ngriu dylbia.

 

Me erën e malit

desha të të vija ,

Sarhosh seç më bëre,

mbeta nëpër brinja ,

 

Qetë m’i zu zekthi.

Kali malet mori .

Majë gurit mbeta ,

ç’të bëj unë i gjori !

 

Që nga majë e malit,

ta shtira dylbinë!

Them të vij pas teje,

them ta shes shtëpinë …

 

Lamtumira e flamujve

Ju flamujt e mi, lamtumirë.

Ju flamuj gjakosur e grisur,

T’ju mbaja ka qënë e vështirë ,

t’ju hidhja s’kam qënë i lajthitur.

 

Ndaj vdisni në gjurmët e gërryera ,

përzihi mes hirit dhe rërës

dhe shtrihi me shtiza të thyera,

në shkallët e verdha të hënës.

Atje në Saharën e ëndrrës…

 

Hëna e limontë mbi varre

Unë i menduar pi një cigare !

Më vdiq një mik i mirë parmbrëmë.

Dhe sonte atje përmbi varre

qëndron e ngrirë kjo hënë!

Qëndron ky limon i thartë e i ftohtë:

përmbi një peisazh të limontë.

Jam vetëm dhe është mesnatë :

dhe era s’vrapon nëpër fletë.

S’lë gjurmë në perden e kaltër,

veç hënë e limontë nga retë!

E shtrydh gjer në fund limonin e thartë

mbi varret e ngratë …

 

Nuk dua!

Edhe sikur të ma brejë trishtimi gjoksin e ngratë:

nuk dua të thonë për mua gjynah!

Nuk dua të vijnë njerëzit ndaj nate ,

si tezet në odë me oh e me ah!

Po dua të ulen me dhembje të thellë

dhe vetëm mos më lënë në dhomë!

Të flasin për dheun e të flasin për qiellë,

të flasin si duart i vramë në tokën e thatë e të njomë.

Ndofta prandaj e kam dashur don Kishotin aq shumë,

se me gjithë disfatat e mëdha të tij,

në udhët e largëta me gjumë e pa gjumë,

nuk lejoi ta ngushëllonte njeri…

1963